Xian Dongmei, nëna që fitoi medalje olimpike në xhudo

2017-08-28 20:01:40 CRI Komenti juaj Printoni

Nga 28 gusht deri më 3 shtator organizohet në Budapest të Hungarisë Kampionati Botëror i Xhudos. Xhudoja është një sport i vështirë, që kërkon forcë e ekuilibër. Xhudistja kineze Xian Dongmei është e vetmja deri tani që ka arritur fitoren dy herë radhazi të medaljes së artë në Olimpiadë në këtë sport.

Xian Dongmei ka shumë gjëra të përbashkëta me badmintonisten kineze Zhang Ning, për të cilën folëm në emisionin e kaluar të rubrikës sonë. Këto të përbashkëta nuk janë thjesht se ato janë nga i njëjti vend dhe kanë lindur në të njëjtin vit, por edhe se kanë fituar nga dy medalje të arta olimpike, i kanë fituar ato në të njëjtat Olimpiada dhe në një moshë relativisht të madhe, e po ashtu janë të parat në sportet e tyre përkatëse që kanë fituar dy herë me radhë medalje të arta olimpike. Po ashtu, që të dyja kanë marrë pjesë në Olimpiadën e vitit 2008, kur ishin 33-vjeçare, vetëm sepse ajo olimpiadë zhvillohej për herë të parë në vendin e tyre, Kinë, prandaj ato nuk donin ta humbnin një gjë të tillë. Dhe të dyja arritën jo vetëm të merrnin pjesë, por edhe të triumfonin, duke bërë të vetat medaljet e arta. Por Xian Dongmei ka edhe diçka më tepër. Ajo është e para dhe e vetmja sportiste kineze deri tani që ka fituar një medalje atë artë olimpike pasi u bë ... nënë.

Xian Dongmei ka lindur më 15 shtator 1975 në Sihui të provincës Guangdong. Në vitin 1988, falë cilësive të saj fizike, ajo u pranua në Shkollën Sportive Amatore të vendlindjes së saj, kurse një vit më pas, kur ishte 14-vjeçare, hyri në Shkollën Sportive të provincës Guangdong, duke u stërvitur në sportin e mundjes. Megjithatë, një vit më pas Xian Dongmei kaloi në xhudo. Ajo e pranon se nuk dinte asgjë për këtë sport dhe nuk e kuptonte atë. "Në fillim nuk dija asgjë për xhudon, por vetëm bëja atë që më thoshte trajneri. Është një sport që i kushton shumë vëmendje mirësjelljes. Së pari, duhet ta respektosh rivalen dhe të kujdesesh për uniformën e xhudos. Pastaj, duhet të harrosh të gjitha nderimet e vetes dhe të jesh modeste. Sa për mua, gjithmonë i kam respektuar rivalet e mia - qofshin ato xhudiste të elitës të huaja apo vendase."

Sidoqoftë, vendimi që Xian Dongmei të kalonte në xhudo doli se ishte i mençur. Ajo shpejt i tregoi talentin e aftësitë e veta në këtë sport dhe në vitin 1993, kur ishte 18 vjeçe, u përfshi në ekipin kombëtar të xhudos.

Po atë vit Xian Dongmei do të fitonte trofeun e vet të parë, pikërisht medaljen e bronzit në Kampionatin Aziatik të Xhudos të zhvilluar në Makao. Pas dy vjetësh, po në këtë veprimtari, që atë vit u zhvillua në Nju-Delhi të Indisë, xhudistja kineze fitoi medaljen e argjendtë.

Por këto suksese ishin arritur me një çmim të lartë. Një lidhëse në gjurin e saj të majtë ishte dëmtuar rëndë dhe Xian Dongmei duhej të bënte operacion e do të kishte vështirësi në të ecur më pas. Dukej se karrierës së saj i kishte ardhur fundi, por në të vërtetë tërheqja ishte e përkohshme.

Në vitin 2001, kur Universiada u zhvillua në Pekin, Xian Dongmei do të ndiente për herë të parë shijen e titullit kampion në një veprimtari ndërkombëtare. Një vit më pas, në Lojërat Aziatike të Busanit, Xian-i fitoi medaljen e argjendtë. Atëherë, mendoi përsëri se kishte ardhur koha ta linte xhudon për shkak të dëmtimeve. "Fitova medaljen e argjendtë në Busan, dhe pas kësaj bëra përsëri një operacion. Nuk e dija se si do të ishte paraqitja ime në të ardhmen, kështu që doja të tërhiqesha".

Por i dashuri i Xian Dongmei-t në atë kohë, që më vonë u bë bashkëshorti i saj, Liu Bo, edhe ai instruktor xhudoje dhe partner në stërvitje i Xian Dongmei-t që prej fillimeve të saj në sportin e xhudos, e bindi të mos e bënte një gjë të tillë. Por thellë vetes, edhe Xian Dongmei e ndiente se kishte ende për të dhënë. "Im shoq mendonte se isha i aftë të fitoja medaljen e artë. As unë në të vërtetë nuk doja ta linte sportin - jo pa u përpjekur për të dhënë më të mirën".

Dhe kështu Xian iu rikthye sportit përpara zhvillimit të Olimpiadës së Athinës të vitit 2004. Falë mundit e përpjekjeve, ajo vetëm arriti të marrë pjesë në Olimpiadë, por edhe të arrinte suksesin më të madh, duke fituar medaljen e artë, gjithnjë në peshën deri në 52 kilogramë.

Pas Olimpiadës, në tetor 2004, Xian Dongmei dhe Liu Bo u martuan. Në janar 2007 atyre u lindi një vajzë. Por disa muaj më vonë, me gjithë moshën 32-vjeçare dhe faktit që ishte bërë nënë, Xian Dongmei-t do t'i kërkonin për herë të katërt të kthehej një ekipin kombëtar. Këtë herë për të marrë pjesë në Olimpiadën e Pekinit 2008.

"M'u kërkua të kthehesha për të konkurruar në gusht të vitit 2007, në një veprimtari kualifikimi për Olimpiadën. Në atë kohë sapo kisha lindur vajzën dhe peshoja 63 kilogramë. Dukej si një mision i pamundur ," thotë ajo, dhe shton: "Por ende e doja shumë xhudon dhe doja të konkurroja, për më tepër që ishte Olimpiada e parë që zhvillohej në atdheun tim. Këto ishin dy arsyet kryesore që vendosa të rikthehem përsëri."

Dhe kështu Xian Dongmei nisi një program rigoroz e të mundimshëm rënieje në peshë, duke arritur që në prag të Olimpiadës të ulet përsëri nën 52 kg. Një grua e fortë si ajo madje edhe qau disa herë gjatë seancave stërvitore, por nuk hoqi dorë. Megjithatë, gjëja më e vështirë ishte që i duhej të qëndronte larg së bijës. Xian Dongmei përpiqej të mos mendonte për familjen, në mënyrë që të ishte e përqendruar te stërvitja, e më pas, te ndeshjet gjatë Olimpiadës. Madje asnjë nga familja e saj nuk shkoi ta shikonte në Pekin, për të mos e emocionuar e shfokusuar. Ata e ndoqën nga televizori në shtëpinë e tyre.

Të gjitha këto sakrifica u shpërblyen. Xian Dongmei pati një paraqitje të shkëlqyer dhe triumfoi mbi të gjitha kundërshtaret, duke fituar medaljen e vet të dytë të artë olimpike dhe duke u bërë sportistja e parë kineze që e fitonte një medalje të tillë pasi kishte lindur fëmijë. Ajo ia dha medaljen së bijës, pa harruar të falënderojë edhe të shoqin, që u bë, sipas saj, edhe nënë për vajzën e tyre gjatë kohës që Xian-i ishte larg.

Pas Olimpiadës Xian Dongmei e la sportin, duke iu përkushtuar tërësisht familjen, por duke lënë pas një emër që do të mbahet mend gjatë.

(Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore