Guo Jingjing-u, "princesha e kërcimit në ujë"

2017-09-11 11:14:36 CRI Komenti juaj Printoni

Legjenda e kërcimit në ujë Guo Jingjing ka konkurruar në katër Lojëra Olimpike radhazi, duke fituar katër medalje të arta e dy të argjendta dhe duke qenë një ndër sportistët me numrin më të madh të medaljeve olimpike në këtë sport. Po ashtu, fitoret e panumërta në kampionatet botërore e në kupat e botës të sporteve të ujit, në Lojërat Aziatike e në Universiadat, e kanë bërë Guo Jingjing-un sportisten me numrin më të madh të medaljeve të fituara për sa i përket kërcimit në ujë, si për femra, ashtu edhe për meshkuj, si edhe një ndër sportistet me numrin më të madh të medaljeve në histori.

Guo Jingjing-u ka lindur më 15 tetor 1981 në Baoding të provincës kineze Hebei, një qytet rreth 140 km në jug të Pekinit. Ajo nisi stërvitjen kur ishte 6-vjeçare, një moshë që në të vërtetë vlerësohet si "e madhe" për sportistët kinezë të elitës, dhe "gabimisht", siç thotë vetë. Një zbulues talentesh shkoi te shkolla e saj dhe pyeti nëse kishte ndonjë që dëshironte të mësonte të kërcente në ujë. Vogëlushja Guo ngriti dorën, duke pasur në mendje pushimet verore në breg të detit.

"Në të vërtetë, unë mendova se ai po pyeste nëse ndonjë ishte i interesuar për të mësuar notin, kështu që ngrita dorën", kujton ajo. "Në vitet '80 dhe '90 të shekullit të kaluar, jo shumë veta e njihnin se çfarë ishte kërcimi në ujë dhe nuk e dija se çfarë do të thoshte. Kur dëgjova fjalën 'ujë', pata para syve imazhin e familjeve që notonin të lumtura së bashku gjatë verës - dhe unë doja të njëjtën gjë". Dhe më tej shton: "Kur e kuptova se nuk ishte fjala për notin, vazhdova megjithatë sepse më pëlqente sfida. Kërcimi në ujë nuk ishte hobi im, por filloi të më pëlqejë dhe ta bëj mirë nëpërmjet stërvitjes. Në fund m'u krijua ndjenja e konkurrimit dhe e fitimit të një medaljeje të artë. Nuk më shkonte mendja që ajo ngritje dore do të më çonte aty ku kam arritur."

Dhe kështu Guo Jingjing-u hyri në shkollën sportive, duke filluar stërvitjen në kërcimin në ujë. Stërvitja ishte rraskapitëse dhe zgjaste nga tetë deri dhjetë orë në ditë, duke filluar me vrapim në 6 të mëngjesit, pastaj me ushtrime force, gjimnastikë dhe në fund vetë kërcimi në ujë. Por kjo stërcvitje u shpërblye dhe kur ishte 11 vjeçe, Guo Jingjingu bë pjesë e ekipit kombëtar të kërcimit në ujë të Kinës. Trajnerja e saj e pare ishte Yu Fen, e cila ishte bërë e njohur edhe si trajnerja e kampiones olimpike Fu Mingxia, që kishte fituar medaljen e artë në Lojërat Olimpike të Barcelonës 1992 në kërcim 10 metra nga platforma. Pas fitores në Kupën e Botës të vitit 1995, një vit më pas Guo Jingjing-u mori pjesë për herë të parë në një Olimpiadë, atë të Atlantës. E ndërsa Fu Mingxia fitoi dy medalje të arta në atë olimpiadë, Guo Jingjing zuri vetëm vendin e pestë në kërcimin nga platforma 10 m.

Por ishte e qartë se adoleshentja kishte talentin, gatishmërinë për të punuar shumë dhe dhuntinë për këtë sport që e bënte atë diçka të veçantë.

Guo Jingjing-u nisi të fokusohej në kërcimin tre metra nga trampolina, si individual, ashtu edhe të sinkronizuar. Dhe në Olimpiandën e ardhshme, të zhvilluar në Sidnei në vitin 2000, ajo fitoi medaljen e argjendtë në të dy këto disiplina. Në kërcimin e sinkronizuar partnerja e saj ishte pikërisht Fu Mingxia, e cila mori medaljen e artë në kërcimin individual, teksa Guo Jingjing pra u rendit e dyta. Medalja e argjendtë në kërcimin e sinkronizuar, pa dyshim erdhi prej faktit që Fu dhe Guo kishin vetëm gjashtë muaj që stërviteshin së bashku, kurse çifti rus që mori medaljet e arta kishin vite të tëra.

Sidoqoftë, pas kësaj Olimpiade, me tërheqjen e Fu Mingxia-së, nisi ajo që pa dyshim mund të quhet epoka e Guo Jingjing-ut në kërcimin nga trampolina tre metra. Në dy Olimpiada me radhë, atë të vitit 2004 në Athinë, dhe të vitit 2008 në adheun e vet, ajo fitoi medaljet e arta, përsëri në kërcimin tre metra nga trampolina individual dhe të sinkronizuar, me partnere Wu Mingxia.

Në fund të Olimpiadës së Pekinit, Guo Jingjing u bë sportistja e kërcimit në ujë me numrin më të madh të medaljeve olimpike të fituara, gjashtë të tilla, duke u barazuar me Fu Mingxia-në dhe dy amerikanë për sa u përket medaljeve të arta olimtike të fituara në disiplinat e kërcimit në ujë (katër).

Ja si e përshkroi shtypi kërcimin e saj fitues në Olimpiadën e Pekinit: "Guo, 1.63 metra e gjatë dhe me peshë vetëm 49 kilogramë, shpërtheu nga trampolina, duke u rrotulluar në ajër dhe duke rënë në një mënyrë të tillë që dukej sikur sfidonte forcën e rëndesës. Pastaj, me trupin e saj të drejtuar në mënyrë të përkryer, ajo u duk sikur e preu sipërfaqen e ujit, duke mos lëshuar pothuajse asnjë tingull ose stërkalë."

Përveç medaljeve olimpike, fitoi medalje të dyfishta në pesë kampionate botërore të sporteve të ujit me radhë, nga viti 2001 në 2009. Po gjatë kësaj periudhë ajo arriti të zinte gjithmonë vendin e parë, pa asnjë përjashtim, në të gjitha veprimtaritë e rëndësishme, në dy disiplinat ku konkurronte, një rezultat pa dyshim i jashtëzakonshëm.

Në vitin 2011 Guo Jingjing-u shpalli vendimin e lënies së sportit dhe mospjesëmarrjen në Olimpadën e Londrës një vit më pas. "Mendoj se e kam përmbushur detyrën time, kështu që mendoj të mos marr pjesë në Olimpiadën e Londrës. U duhet lënë mundësia talenteve të tjera në ekip".

Pas lënies së sportit, një sfidë tjetër e priste Guo Jingjing-un, ajo e krijimit të familjes dhe e bërjes nënë. Në vitin 2012 ajo u martua dhe një vit më pas lindi djalë. Kur u pyet nëse të qenit nënë ishte më i vështirë sesa kërcimi në ujë, duke qeshur Guo u përgjigj: "Janë njësoj të vështira. Si sportiste, je e përqendruar vetëm tek vetja dhe duhet të bësh kryesisht ushtrime fizike, ndërsa si nënë, unë duhet të mendoj jo vetëm për veten, por edhe për fëmijën tim. Çdo gjë është e re për mua si një nënë. Në njëfarë mënyre, edhe unë ndihem si fëmijë, sepse po mësoj pak nga pak. Askush nuk e kupton vërtet se çfarë do të thotë të jesh nënë, derisa të jesh vetë e tillë. Kjo të ndryshon mënyrën se si mendon për gjithçka ".

Sivjet Guo Jingjing-u u bë nënë për herë të dytë, duke lindur një vajzë. Nuk mund të thuhet nëse ndonjë prej dy fëmijëve të saj do të ndjekë rrugën e sportit, por pa dyshim ata do të jenë krenarë për nënën e tyre, që është një prej sportisteve më të mëdha kineze të të gjitha kohërave. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore