Zhang Ning-u, badmintonistja që "nuk njeh pleqëri"

2017-08-21 17:46:17 CRI Komenti juaj Printoni

Më 21 gusht, në Glasgou të Skocisë nis Kampionati Botëror i Badmintonit, që do të përfundojë më 27 gusht. Pa dyshim badmintoni është një sport ku mbizotëron Azia, e veçanërisht Kina. Badmintonistët e badmintonistet kineze janë fitues të pjesës dërrmuese të medaljeve në veprimtaritë më të rëndësishme ndërkombëtare. Një prej tyre është edhe Zhang Ning-u, që nga shumë vlerësohet si badmintonistja më e madhe e të gjitha kohërave. Ajo është fituese dy medaljesh të arta olimpike, si edhe ka dalë një herë kampione dhe dy herë nënkampione botërore, ndërkohë që dy herë të tjera është renditur e treta. Zhang Ning po ashtu ka triumfuar shpesh në kupat e në turnetë e ndryshme ndërkombëtare.

Zhang Ning-u ka lindur më 19 maj 1975 në Jinzhou të provincës Liaoning të Kinës. Në moshën 10-vjeçare, falë edhe shtatlartësisë, Zhang-u u regjistrua në Shkollën Sportive të Jinzhou-t, ndërsa pas katër vjetësh në Shkollën Sportive të Provincës Liaoning. Po atë vit, 1989, Zhang Ning-u u bë pjesë e ekipit të badmintonit të fëmijëve të provincës Liaoning, kurse një vit më pas e ekipit kombëtar të të rejave. Në 1991, në moshën 16 vjeçe, ajo u bë pjesëtare e ekipit kombëtar të të rriturave.

Por vitet e fillimit nuk ishin në mira për Zhang Ning-un. Pika më e ulët e karrierës së saj mund të thuhet se ishte në vitin 1994 në Kupën "Uber", kur bënte pjesë në ekipin kinez të femrave. Kina po synonte për fitoren e gjashtë rresht të kësaj kupe, që do të ishte një rekord, por ekipi i vendit organizator të kësaj veprimtarie atë vit, Indonezia, ishte pengesa më e madhe. Rezultati ishte 2-2 me sete kur Zhang Ning-u doli në fushë. Përballë saj ndodhej kinezoindonezania Mia Audina, e njohur edhe me emrin kinez Zhang Haili, që atëherë ishte vetëm 15 vjeçe. Por Zhang Ning-u nuk arriti të fitonte dhe vetëbesimi i saj duket sikur mori një goditje shkatërruese. Mia Audina dy vjet më vonë do të fitonte medaljen e argjendtë në Lojërat Olimpike të Atlantës, kurse Zhang Ning-u do të merrte pjesë as në atë Olimpiadë, as në atë në vijim në Sidnei. Megjithatë, po në vitin 1994 ajo kishte fituar turneun "French Open" në ndeshjet individuale për femra. Pas dy vjetësh të tjera fitoi "Swedish Open" dhe pas dy të tjerash "Malaysia Open".

Por, me hyrjen në shekullin e ri, karriera e Zhang Ning-ut do të hynte edhe ajo në një fazë të re e të suksesshme. Në vitin 2001 ajo fitoi turneun "Singapore Open", si edhe titullin kampione në kampionatin aziatik të bandmintonit, kurse në 2002 "Korea Open". Derisa do të vinte viti 2003, kur fillimisht, në shkurt, Zhang Ning-u zuri vendin e parë në turneun "Swiss Open", ndërsa më pas në gusht, do të ishte një arritje edhe më e madhe, fitorja e titullit kampion në Kampionatin Botëror të Badmintonit në Birmingam. Në fund të po atij muaji Zhang Ning fitoi përsëri turneun "Singapore Open". Megjithëse e quajtur "një lule e vonë", emri i saj po fillonte të njihej në qarqet ndërkombëtare të badmintonit.

Një vit më vonë, pas fitores së turneve të ndryshme, si "Korea Open", do të vinte triumfi më i madh i deriatëhershëm i Zhang Ning-ut. Ajo u përzgjedh pjesë e ekipit kinez të badmintonit pjesëmarrës në Olimpiadën e Athinës të vitit 2004. Pas katër fitoreve, në finale Zhang Ning do të gjendej përsëri përballë Mia Audina, e cila këtë herë luante për Holandën. Kishte ardhur ora e "hakmarrjes". Ndonëse humbi në setin e parë ndaj kundërshtares katër vjet më të vogël, Zhang Ning-u mori dy setet e tjera bindshëm, 11-7 dhe 11-6. Ajo u bë badmintonistja e tretë, si për meshkuj, edhe për femra, që fitonte radhas kampionatin botëror e olimpiadën. Në atë olimpiadë Kina fitoi tre nga 5 medaljet e arta të badmintonit.

Zhang Ning-u po ashtu u bë badmintonistja më e vjetër që fitonte një medalje të artë olimpike në ndeshjet individuale për femra.

Zhang Ning-u nuk ishte më e re për të vazhduar të merrej me sport dhe dukej se kishte ardhur fundi i karrierës së saj. Pas Olimpiadës vendosi ta linte sportin. Por ishte trajneri i saj Li Yongbo që e ka bindi për të mos e bërë këtë: "Nuk do të them asgjë tjetër, përveçse do të të pyes nëse do me të vërtetë të largohesh". Dhe Zhang Ning-u qëndroi.

"Kisha kaluar më shumë se 10 vjet në badminton, dhe e kisha ndryshuar pikëpamjen time dhe po e shijoja më shumë badmintonin. Kuptova se nuk po plakesha, por vetëm po bëhesha më e pjekur", shprehet ajo.

Dhe kishte të drejtë. Në vitin në vazhdim, 2005, 30-vjeçarja do të fitonte shumicën e turneve ku mori pjesë, dhe vetëm në dy do të zinte vendin e dytë. Një vend të tillë ajo do ta zinte edhe në Kampionatin Botëror, të zhvilluar atë vit në Anaheim të Kalifornisë në Shtetet e Bashkuara, duke u mundur në finale 2-1 nga Xie Xingfan-i. E njëjta gjë do të përsëritej edhe në kampionatin botëror të një viti më pas në Madrid, megjithatë Zhang Ning-u përsëri do të hakmerrej, kur do të fitonte në finalen e "Japan Open" ndaj Xie Xingfan-it.

Përsëri Zhang Ning-u do të fitonte në shumicën e veprimtarive ku mori pjesë atë vit. Përveç "Japan Open", ajo triumfoi edhe në "German Open", "England Open", "Malaysia Open", "Chinese Taipei Open", "China Open" etj., si edhe në Kupën "Uber" si pjesë e ekipit kinez të femrave.

Emeri i Zhang Ning-ut ishte bërë aq i njohur, saqë regjisori i njohur holandez Roel van Dalen realizoi një film dokumentar për jetën e saj, të titulluar "Udhëtimi olimpik – Rruga për në Pekin".

Në vitin 2007 Zhang Ning-u fitoi për herë të gjashtë "Singapore Open", por në vijim, për shkak të një dëmtimi në gju, nuk arriti asnjë fitore tjetër.

Por këtë herë Zhang Ning-u nuk donte të tërhiqej. Po afronte Olimpiada, e cila do të zhvillohej për herë të parë në atdheun e saj, dhe ajo nuk donte ta humbiste një rast të tillë. Ajo e dinte po ashtu se ekipi do të kishte nevojë për pjekurinë e saj. "Ata që më njohin e dinë që jam një njeri shumë i përgjegjshëm. Nëse skuadra dhe tifozët kanë nevojë për mua, unë do të bëj sa mundem."

Megjithatë, paraqitja jo e mirë e Zhang Ning-ut të dëmtuar vazhdoi edhe në fillim të vitit 2008, kur ajo u eliminua që në raundin e parë të "Malaysia Open". Po kështu do të ndodhte edhe në dy turnetë e mëpasmë. Megjithatë, në "Swiss Open", Zhang Ning-u do të dilte në finale, ku do të kishte përballë edhe një herë Xie Xingfan-in. Ishte përballja e 22-të mes tyre, të cilën Zhang Ning-u do ta humbe. Rezultati i përgjithshëm i ndeshjeve mes tyre ishte i barabartë, 11-11.

Por jo për një kohë të gjatë. Më në fund Olimpiada e Pekinit mbërriti. Si Zhang Ning-u, dhe Xie Xingfan-i, ishin pjesëmarrëse në të. Dhe jo vetëm kaq, por që të dyja dolëm përsëri në finale. Dhe duke befasuar shumëkënd, 33-vjeçarja Zhang Ning-u arriti të dilte fituese ndaj Xie Xingfan-it gjashtë vjet më të vogël, duke thyer jo vetëm rekordin e vendosur nga vetë ajo në Athinë të badmintonistes më të vjetër fituese të medaljes olimpike, por edhe duke u bërë badmintonistja e parë që e fitonte dy herë rresht këtë medalje.

Pas Olimpiadës, Zhang Ning-u u tërhoq nga karriera e lojtares, duke u bërë trajnere e ekipit kombëtar, për të stërvitur brezin e ri të badmintonistëve kineze.

Po cili është sekreti i karrierës së jashtëzakonshme të Zhang Ning-ut? Mbase ai që ka thënë me fjalët e veta: "E kam luajtur çdo ndeshje sikur të ishte e fundit që luaja." (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore