Huang Zhihong, fituesja e parë aziatike e një kampionati botëror atletike

2017-08-07 11:21:30 CRI Komenti juaj Printoni

Më 4 gusht nisi në Londër Kampionati i 16-të Botëror i Atletikës, që do të zgjasë deri më 13 gusht. Hedhësja kineze e gjyles Huang Zhihong është atletja e parë aziatike që ka fituar një medalje të artë në këtë veprimtari, pikërisht 26 vjet më parë në Tokio, sukses të cilin do ta përsëriste edhe dy vjet më pas në Gjermani. Ajo është po ashtu fituesja e medaljes së argjendtë në Lojërat Olimpike të Barcelonës të vitit 1992.

Huang Zhihong-u ka lindur më 7 maj 1965 në Lanxi në provincën lindore kineze Zhejiang dhe ishte më e madhja ndër dy fëmijët. Prindërit e saj punonin që të dy në një fabrikë tekstili. Në moshën 13-vjeçare, Huang-u u pikas nga një trajner i njohur i hedhjes së shtizës dhe u regjistrua në një shkollë sportive. Ajo provoi hedhjen e shtizës, por "u ndjeva shumë e ngathët", thotë. Provoi hedhjen e diskut, por "m'u morën mendtë." Më në fund, provoi hedhjen e gjyles. "Ndjeva thjesht se ishte e duhura", thotë Huang Zhihong-u. Dhe kështu nisi karriera e saj në këtë disiplinë të atletikës.

Në vitin 1985, në moshën 20-vjeçare, Huang-u u rendit e dyta në kampionatin kombëtar të Kinës. Një vit më pas ajo fitoi titullin kampione në Lojërat e 10-ta Aziatike në Seul të Koresë së Jugut, duke e hedhur gjylen në një largësi 17.51 metra. Por, për fat të keq, dy vjet më vonë, kur po në Seul u zhvilluan Lojërat Olimpike, Huang Zhihong-u arriti të zinte vetëm vendin e tetë, me 19.82 metra. Lidhur me këtë rezultat, ajo është shprehur: "Nervat janë arsyeja për humbjen time në Olimpiadën e Seulit. Duke qenë shumë nervoze, nuk mund ta kontrolloja veten, dhe rezultati ishte që u mbështeta vetëm te forca në dëm të teknikës. Ka shumë rëndësi të ruash qetësinë në çdo kohë. Vetëm në këtë mënyrë mund të jesh në formë dhe të tregosh plotësisht aftësitë e tua."

Duket se pësimi u bë shpejt mësim për Huang Zhihong-un dhe një vit më pas ajo do të triumfonte në tre veprimtari ndërkombëtare, pikërisht në Universiadën në Duisburg të Gjermanisë, në Kampionatin Aziatik të Atletikës në Nju-Delhi të Indisë dhe në Kupën e Botës të Atletikës në Barcelonë të Spanjës, ku ajo vendosi rekordin e vet personal të deriatëhershëm me 20.73 metra. Në vijim, pas zënies së vendit të dytë në tre veprimtari të tjera ndërkombëtare me radhë, si edhe fitimit të medaljes së artë në Lojërat Aziatike të vitit 1991, të zhvilluara në Kuala-Lumpur të Malajzisë, do të vinte arritja më e madhe e deriatëhershme sportive për Huang Zhihong-un. Me 20.83 metra, që do të mbetej edhe rekordi i saj personal në veprimtaritë ndërkombëtare (teksa rekordi absolut ishte ai prej 21.52 metra që kishte arritur një vit më parë në Pekin), Huang Zhihong-u triumfoi në Kampionatin Botëror të Atletikës, që u zhvillua në Tokio të Japonisë. Ajo u bë kështu e para sportiste aziatike, qoftë për meshkuj apo për femra, që fitonte medaljen e artë në një kampionat botëror atletike. Të njëjtin sukses hedhësja kineze e gjyles do ta përsëriste edhe në kampionatin e ardhshëm botëror, të zhvilluar dy vjet më pas në Shtutgart të Gjermanisë, ku ishte e vetmja që e kaloi largësinë 20 metra, duke arritur rezultatin 20.57 metra. Por ndërkohë, një vit më parë Huang Zhihong-u pati një tjetër kulm të karrierës së saj, kur në Lojërat Olimpike të vitit 1992, të zhvilluara në Barcelonë të Spanjës, me rezultatin 20.47 metra ajo do të përfundonte garën në vendin e dytë, duke marrë medaljen e argjendtë.

Megjithëse Huang Zhihong-u kishte mundësinë për t'u bërë atletja e parë kineze, përsëri qoftë për femra, ashtu edhe për meshkuj, që fitonte një medalje të artë olimpike dhe që fitonte të treja veprimtaritë e mëdha të atletikës: Olimpiadë, kampionat botëror dhe kupë bote, trajneri i saj, Kan Fulin, u shpreh: "As Huang-u, as unë nuk i kushtuam shumë rëndësi fitimit të medaljes së artë. Ne besojmë se fitorja në një veprimtari është shpërblimi për stërvitjen e vështirë, ashtu si një bujk që siguron të korra të mbara pas një pune të mundimshme."

Në vitin 1994 Huang Zhihong-u fitoi përsëri në Kupën e Botës të Atletikës, të zhvilluar në Londër, me 19.45 metra, ndërsa një vit më pas, tashmë 30-vjeçare, një moshë e madhe për hedhjen e gjyles, ku mosha ideale për femrat vlerësohet se është 24 vjeçe, Huang-u zuri vendin e dytë në Kampionatin Botëror të Atletikës në Goteborg të Suedisë, duke kaluar përsëri dhe për herë të fundit 20 metrat, pikërisht 20.04 metra.

Karriera ndërkombëtare e Huang Zhihong-ut do të mbyllej në vitin 1997, në Kampionatin Botëror të Atletikës në Athinë, ku 32-vjeçarja do të renditej e katërta, duke e hedhur gjylen në largësinë 19.15 metra, si pakkush në moshën e saj.

Huang Zhihong-u është cilësuar si një atlete "që shquhet për lëvizjet e saj harmonike, forcën dhe hedhjet e shpejta". E sigurisht edhe për hedhjet larg. Lëshimi i gjyles nga Huang Zhihong-u është vlerësuar si "më shpërthyesi" ndër sportistet e hedhjes së gjyles. Art Venegas-i, trajner i hedhjes së gjyles në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxheles, ka thënë: "Shpejtësia me të cilën Huang-u i rrotullon ijët u jep hedhjeve të saj një forcë të pabesueshme, dhe gjylja me plot kuptimin shpërthen nga dora e saj. Ajo ka një balancë, zhdërvjelltësi dhe forcë të jashtëzakonshme …".

Por me gjithë cilësitë dhe arritjet e saj, Huang Zhihong-u është tepër modeste. Ajo nuk i ekspozon kupat e medaljet që ka fituar, dhe gazetarët përmendin gjithmonë një thënie të famshme të saj: "Rezultatet janë thjesht rezultate. Ajo që kam arritur, nuk është më e spikatur sesa po të haja 500 ngjala."

Huang Zhihong-u gjithashtu është një grua që ndihet plotësisht mirë me veten. "Nëse nuk shqetësohesh që je e shëndoshë, do të ndihesh e lumtur", thotë ajo. "Nëse shqetësohesh për këtë, nuk do të jesh e lumtur. Unë për vete nuk shqetësohem. Gjithmonë kam qenë shumë e madhe në trup".

Ndryshe nga shumë sportistë të tjerë, që arrijnë ta zbulojnë diçka të tillë kur arrijnë në të 30-tat ose 40-tat, Huang e kuptoi që në fillim të karrierës së vet se jeta ka edhe shumë gjëra të tjera interesante përveç sportit. Prandaj, përveç marrjes me sport, ajo gjente kohë për të ushtruar pasionet e tjera të saj, si stilimi i veshjeve, leximi i romaneve historike dhe studimi i anglishtes.

Huang Zhihong-u po ashtu është një grua e emancipuar dhe e pavarur. Trajneri i saj, Kan Fulin, shprehet: "Asaj nuk i pëlqen që t'i thonë të tjerët se çfarë duhet të bëjë. Po t'u kërkoje atleteve të tjera të fitonin një medalje të artë, ato të thoshin: 'Në rregull, në qoftë se do ti, unë do ta fitoj.' Kurse Huang-u thoshte: 'Mos më shty. Unë vetë tashmë synoj të fitoj." (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore