Fu Mingxia, diva e kërcimit në ujë

2017-07-17 16:58:28 CRI Komenti juaj Printoni

Më 15 korrik në kryeqytetin hungarez Budapest nisi Kampionati i 17-të Botëror i Sporteve të Ujit. Personazhi i sotëm është fituesja më e re e titullit kampion në këtë veprimtari, si edhe fituesja më e re në historinë olimpike në disiplinat e kërcimit në ujë nga platforma ose trampolina, është legjenda kineze Fu Mingxia. Me katër medaljet e arta olimpike dhe një të argjendtë, ajo ka hyrë në historinë olimpike.

Fu Mingxia ka lindur në vitin 1978 në një familje punëtorësh në qytetin e Wuhan-it të Kinës Qendrore. Në moshën 5-vjeçare Fu nisi stërvitjen në gjimnastikë, por pas dy vjetësh trajneri i tha se cilësitë e saj ishin më të përshtatshme për sportin e kërcimit në ujë, edhe pse Fu në atë kohë nuk dinte të notonte.

Duket se trajneri i saj i gjimnastikës kishte të drejtë. Fu Mingxia nisi të merrej me hedhjen nga trampolina dhe pa kaluar shumë u pikas nga trajnerja e njohur Yu Fen, e cila i ofroi të shkonte në një shkollë që përgatiste sportistë të hedhjes në ujë për ekipin kombëtar. Dhe kështu në moshën 9 vjeçe Fu Mingxia u largua nga shtëpia dhe udhëtoi dhjetëra orë me tren për në Pekin. Që atëherë filloi një periudhë stërvitjeje të lodhshme e intensive, por që do të jepte frytet e saj. Fu nisi të stërvitej kryesisht në hedhjen nga platforma 10 metra. Ajo thotë: "Ende më kujtohet hera e parë kur qëndrova në majë të platformës 10-metra. Ishte aq lart, por ne kishim një rregull profesional: duhej ta linim platformën nga para, që do të thotë se duhej të hidheshim e jo të zbritnim nga shkallët në pjesën e pasme të platformës. Kështu që unë u hodha. Isha e frikësuar për vdekje. Zemra sa nuk po më dilte nga kraharori. Por u hodha. "

Dhe kështu ajo u hodh poshtë në ujë, ndërsa karriera e saj që prej atëherë nisi të ketë një ngjitej, duke arritur lartësi të jashtëzakonshme.

Nëpërmjet një programi rigoroz stërvitjeje, Fu mësoi ta kalojë frikën e saj dhe të përparojë shpejt. Ditët e saj ishin shumë të strukturuara, ato përmbanin pothuajse vetëm shkollë dhe stërvitje. Seancat e stërvitjes shkonin 4-5 orë në ditë, shtatë ditë të javës, por ndonjëherë arrinin edhe në tetë-nëntë orë. Ndonjëherë, Fu praktikonte 100 zhytje në ditë. Me kalimin e kohës, ajo hidhej në ujë aq afër platformës, saqë flokët e saj të shkurtra shpesh preknin platformën.

Pas dy vjetësh, kur ishte vetëm 11 vjeçe, Fu Mingxia u bë pjesë e ekipit kombëtar të të rinjve të Kinës. 12 ditë përpara se të mbushte 12 vjeç, ajo fitoi medaljen e artë në kërcimin nga platforma në Lojërat e Vullnetit të Mirë të vitit 1990 në Siatëll të ShBA-së. Ishte edicioni i dytë i këtyre lojërave, të vlerësuara si olimpiadë alternative.

Gjashtë muaj më vonë, Fu do të bëhej kampionia më e re në historinë e sporteve të ujit, kur do të fitonte medalje të artë në kampionatin botëror në Perth të Australisë, pikërisht në hedhjen nga plaftorma 10 metra. Ajo ishte 12 vjeç e 141 ditë. Këtë titull ajo do ta mbajë përherë, pasi pas atij kampionati, Federata Ndërkombëtare e Notit vendosi që mosha më e vogël e konkurruesve të jetë 14 vjeç.

Vargu i fitoreve të Fu Mingxia-së do të vazhdonte me medaljen e artë në Olimpiadën e Barcelonës të vitit 1992, po në hedhjen nga plaftorma 10 metra, duke u bërë kampionia më e re e disiplinave të hedhjes në ujë në historinë e Olimpiadave, dhe fituesja më e re e një medaljeje të artë në atë Olimpiadë ndër të gjitha sportet. Në atë kohë ajo ishte 13 vjeçe e 345 ditë.

Fotografia e kërcimit në ujë të Fu Mingxia-së, me qytetin e Barcelonës në sfond, vlerësohet si një nga më të bukurat në botën e sportit.

Në vitin 1994, Fu Mingxia do të fitonte përsëri medalje të artë në kërcimin nga plaftorma 10 metra në kampionatin botëror të sporteve të ujit, që atë vit u zhvillua në Romë.

Përveç kërcimit nga platforma 10 metra, Fu kishte nisur edhe konkurrimin në kërcimin 3 metra nga trampolina, duke u përpjekur të mbetej konkurruese, me gjithë sfidat e vështirësitë.

"Mendoj se një sportiste femër në kërcimin në ujë mund ta arrijë lehtë kulmin e karrierës së saj para moshes 15-vjeçare," thotë Fu Mingxia. "Por pas kësaj moshe, duhet të përballosh shumë nga ato të ashtuquajturat 'dhimbje të rritjes'. Për shembull, për të ruajtur elegancën në sport, duhet të kesh një trup të hollë. Por trupi zhvillohet, prandaj duhet të hash që trupin yt të ketë lëndët e mjaftueshme ushqimore. Ndihesha vërtet shumë keq, kisha uri menjëherë pasi haja. Nuk munda të shpjegoj pse isha e uritur aq shpejt, por ja që kështu ndodhte".

Përveç problemit të ruajtjes së peshës, Fu Mingxia përballej edhe me problemin e lëndimeve. Vitet e stërvitjes së vështirë i kishin sjellë jo vetëm fame, por edhe dëmtime të panumërta, dhe trysnia ndonjëherë ishte pothuajse e padurueshme. Fu Mingxia thotë se qante shpeshherë gjatë përgatitjes për Olimpiadën e Atlantës të vitit 1996, por gjente ngushëllim te muzika.

Dhe falë sakrificave dhe mundit, Fu Mingxia arriti përsëri sukses në Atlanta. Ajo jo vetëm që rikonfirmoi mbizotërimin e saj në platformën 10 metra, por tregoi edhe talentin në kërcimin nga trampolina tre metra, duke fituar medalje të arta në të dyja këto disiplina e duke shkruar një kapitull tjetër në historinë e olimpiadave.

Por e lodhur fizikisht dhe psikologjisht, pas Olimpiadës së Atlantës Fu Mingxia vendosi t'u japë lamtumirën si platformës, ashtu edhe trampolinës, duke shpallur lënien e sportit. Tashmë 18 vjeçe, ajo vendosi të studionte në Universitetin Tsinghua të Pekinit, një nga universitetet më të mira në Kinë.

Tani që problemi i peshës nuk e shqetësonte më, Fu Mingxia më në fund mund të hante sa të donte e të hiqte dorë nga disiplina spartane. Por teksa po shijonte jetën e qetë universitare, e reja ndiente se përbrenda diçka i mungonte. Ishte ndjesia e zhytjes në ujë.

Si për t'i shuar Fu-së mallin për sportin, në kampusin e universitetit ndërtua një pishinë dhe u krijua ekipi i hedhjes në ujë i universitetit. Fu Mingxia vendosi t'i rikthehej sportit.

"Në atë kohë nuk ëndërroja të konkurroja përsëri në Olimpiadë. Mendoja vetëm që ende dëshiroja të zhytesha, dhe meqë Universiada Kombëtare ishte në prag, vendosa të kthehesha", thotë Fu Mingxia." "Por më vonë, kur rifitova forcën dhe shkathtësinë, unë pata ëndrrën e madhe për të konkurruar në Olimpiadën time të tretë. Punova shumë dhe e kalova me sukses provën për ekipin kombëtar. Dola e dyta, duke siguruar kështu një vend në skuadrën olimpike kombëtare."

Në Olimpiadën e Sidneit, Fu Mingxia pati një dështim, megjithëse për shumicën e sportisteve të tjera të kërcimit në ujë, do të quhej një arritje e jashtëzakonshme. Ajo dhe partnerja e vet Guo Jingjing zunë vendin e dytë vetëm në hedhjen e sinkronizuar nga trampolina tre metra. Por kjo nuk ishte habi, sepse dyshja ishte stërvitur së bashku për më pak se gjashtë muaj, ndërsa rivalet e tyre ruse, kampione bote në fuqi në atë kohë, kishin punuar së bashku për disa vjet. Në intervistën që dha pas garës, Fu Mingxia buzëqeshi dhe tha se ishte e lumtur me medaljen e saj të parë të argjendtë olimpike.

Disa ditë më vonë, ajo u kthye përsëri në trampolinë, këtë herë për hedhjen individuale 3 metra. Besimi i saj dhe aftësitë e jashtëzakonshme i bindën si gjyqtarët, ashtu dhe spektatorët e konkurrentet e saj se Fu Mingxia ishte më e mira. Ajo fitoi medaljen e katërt të artë olimpike. Fu Mingxia përsëri bëri histori në Olimpiada, pasi katër medalje të arta dhe një e argjendtë ishte rekord deri atëherë.

"Kërcimi në ujë është një art njësekondësh," thotë Fu Mingxia. "Duhet vetëm 1.7 sekonda të shkosh nga platforma 10-metra në sipërfaqen e ujit poshtë, kështu që unë e quaj këtë art njësekondësh, pasi ju duhet të shfaqni plotësisht bukurinë e sportit në vetëm një sekondë. Është shumë e mundimshme, por unë e dua sfidën".

Mrekulli
Lajmet Kryesore