Martina Navratilova, "mbretëresha" e tenisit

2017-07-10 17:22:42 CRI Komenti juaj Printoni

Këto ditë po zhvillohet turneu i njohur i tenisit i "Wimbledon"-it. Ajo që e ka fituar më shumë se çdo tenist a teniste tjetër këtë turne është legjenda çeke e tenisit Martina Navratilova.

Martina Navratilova është mbajtësja e numrit më të madh të titujve, si për ndeshjet individuale, ashtu edhe dyshe dhe të përziera në "Wimbledon". Navratilova e ka fituar 20 herë "Wimbledon"-in. Në ndeshjet indiduale të këtij turneu ajo ka arritur në 12 finale, duke fituar nëntë prej tyre. Martina Navratilova mban edhe rekordin për numrin e finaleve të njëpasnjëshme në ndeshjet individuale të "Wimbledon"-it, nëntë të tilla, si edhe për numrin e fitoreve rresht, gjashtë, nga 1982 deri në 1987. Fitorja e parë e "Wimbledon"-it, në vitin 1978, ishte turneu i parë i "Grand Slam"-it i i fituar prej saj, që do t'i siguronte edhe vendin e parë në renditjen botërore të tenisteve femra. Martina Navratilova mund të quhet mbretëresha e tenisit për femra në fund të viteve '70 e në vitet '80 të shekullit XX e një nga tenistet më të mira në histori.

Martina Navratilova, me emrin e lindjes Martina Shubertova, ka lindur më 18 tetor 1956 në Pragë të ish-Çekosllovakisë (sot Republika Çeke). Prindërit e saj ishin instruktorë skish, por e ëma ishte edhe teniste e gjimnaste.

Kur ishte tre vjeçe, prindërit e Martinës u divorcuan dhe ajo shkoi të jetojë bashkë me të ëmën në një qytezë pranë Pragës. Pas tre vjetësh mamaja e Martinës u martua përsëri, me një burrë të quajtur Mirek Navratil. Me kalimin e kohës Martina mori mbiemrin e njerkut të vet, duke i shtuar prapashtesën -ova të gjinisë femërore. Martina dhe ai që mund të quhet babai i saj i ri, u lidhën ngushtë dhe Mireku u bë trajneri i saj i parë i tenisit.

Mund të thuhet se Martina Navratilova e kishte tenisin në gjak. Jo vetëm e ëma, por edhe gjyshja e saj ishte teniste, duke u renditur madje e dyta ndër tenistet çeke para Luftës së Dytë Botërore. Martina nisi të luajë tenis që kur ishte katër vjeçe, por jo në një fushë, por duke goditur topin në një mur pranë shtëpisë së saj. Pa mbushur ende 7 vjeçe, Martina filloi të luajë rregullisht, duke u stërvitur disa orë në ditë me Mirekun trajner.

Në moshën 9-vjeçare, Martina filloi të merrte mësime nga kampioni çek i tenisit George Parma, i cili solli përmirësimin e lojës së tenistes së re. Në moshën 15 vjeçare, Navratilova fitoi kampionatin kombëtar të tenisit në Çekosllovaki. Një vit më pas, në 1973, ajo filloi të luante në turneun profesionist të Shoqatës së Tenisit të Shteteve të Bashkuara. Titullin e parë si teniste profesioniste do ta fitonte në 1974 në Orlando të ShBA-së. Një vit më vonë, Martina Navratilova doli finaliste në dy turne kryesore, "Australian Open" dhe "French Open".

Po në vitin 1975, pas pjesëmarrjes në turneun e tenisit "U.S. Open", Navratilova vendosi të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara e të mos kthehej në vendin e saj. Një vendim i tillë në atë kohë do të thoshte ndërprerje e lidhjeve me familjen, por në të njëjtën kohë, do të bënte që karriera e saj, që mund të quhet e saponisur, të ngjitej në një nivel të paparë suksesi. Po atë vit, Navratilova, bashkë me numrin një të tenisit të femrave në atë kohë, amerikanen Chris Evert, fituan titullin kampion si dyshe për femra në "French Open". Në 1976 Evert dhe Navratilova do të fitonin përsëri si dyshe, këtë herë "Wimbledon"-in. Në vitin 1978 Navratilova fitoi turneun e vet të parë të "Grand Slam"-it si individ, pikërisht në "Wimbledon", pasi mundi në finale Chris Evert-in, që vazhdonte të ishte numri një.

Navratilova mbrojti titullin e saj të "Wimbledon"-it edhe një vit më pas, duke triumfuar sërish mbi Evertin në finale. Në fund të atij viti Martina Navratilova u rendit si tenistja numër një në botë. Në vitin 1981 Navratilova fitoi një turne të tretë të "Grand Slam"-it, "Australian Open", ndërsa edhe arriti në finalen e "U.S Open". Një vit më pas 26-vjeçarja e atëhershme fitoi si "Wimbledon"-in, ashtu edhe "French Open". Në vitin 1983, pas humbjes në turneun e parë të rëndësishëm të vitit, "French Open", çekja do të fitonte tre turnetë e tjera. Një vit më pas ajo do ta fillonte pikërisht duke fituar "French Open", për të vazhduar me "Wimbledon"-in dhe "U.S. Open". Kjo do të thoshte se ajo u bë tenistja e parë që fitonte në të tre llojet kryesore të fushave të tenisit.

Martina Navratilova pati një mundësi për të fituar edhe një "Grand Slam" të plotë, pra të katër turnetë kryesore, por bashkatdhetarja e saj Helena Sukova i dha fund vargut të 74 fitoreve rresht të Navratilovës, duke fituar 2-1 ndaj saj në "Australian Open".

Por po atë vit, pra 1984, Martina Navratilova do ta arrinte fitoren e "Grand Slam"-it të plotë në ndeshjet dyshe, bashkë me Pam Shriver-in, e njohur kryesisht si një teniste e suksesshme pikërisht në ndeshjet dyshe. Nga viti 1982 deri 1984 Navratilova do të humbte vetëm gjashtë ndeshje.

Nga viti 1985 deri në vitin 1987, Navratilova arriti në finalet e ndeshjeve individuale për femra në të 11 turnetë kryesore të zhvilluara gjatë këtyre tre vjetëve, duke fituar gjashtë prej tyre. Në vitin 1987 ajo arriti në të katër finalet e turneve të "Grand Slam"-it, dhe fitoi dy prej tyre. Nga viti 1982 deri në vitin 1990, Martina arriti nëntë herë radhas në finalen e "Wimbledon"-it, duke fituar gjashtë herë rresht, nga 1982 deri në 1987. Ajo po ashtu arriti pesë herë radhas në finalen e "U. S. Open" nga viti 1983 deri në 1987, duke fituar katër herë. Po ashtu, ajo doli pesë herë në finalen e "French Open" në gjashtë vjet nga viti 1982 deri në vitin 1987, duke fituar dy herë.

Në vitin 1988, ylli atëherë në ngritje, Steffi Graf, fitoi të katër turnetë kryesore, duke fituar 2-1 me Navratilovën në finalen e "Wimbledon"-it. Tenisi i femrave mund të thuhet se kishte tani një mbretëreshë të re, megjithëse Navratilova fitoi pesë nga nëntë përballjet me Graf-in në turnetë kryesore, ndonëse ishte 13 vjet më e madhe se gjermania.

Fitorja e fundit e Navratilovës në ndeshjet individuale në një turne kryesor do të ishte në vitin 1990, kur 33-vjeçarja e atëhershme fitoi "Wimbledon"-in, duke vendosur rekordin e fitores së nëntë titujve në ndeshjet individuale të këtij turneu.

Navratilova u tërhoq nga konkurrimi në ndeshjet inviduale në vitin 1994, por vazhdoi të luajë në ndeshjet dyshe. Në 2003 ajo fitoi titullin në dyshen e përzier në "Wimbledon" e tre vjet më vonë do ta përsëriste suksesin në "U.S. Open".

Gjithsej, Navratilova ka fituar 18 tituj të "Grand Slam"-it si individ, 31 tituj të "Grand Slam"-it në ndeshjet dyshe për femra, që përbën rekord, dhe 10 tituj të "Grand Slam"-it në dyshen e përzier.

Ylli çek i tenisit vazhdon ende të luajë, megjithëse kundër rivaleve që nuk kishin lindur ende kur ajo u bë teniste profesioniste. "Topi i tenisit nuk e njeh moshën time," thotë Navratilova me të qeshur. "Kur unë nisa të luaja, luaja kundër lojtareve të vjetra, kurse tani rolet janë ndërruar. Rëndësi ka që ta duash atë që bën dhe të punosh shumë për të."

"Mendoj se çelësi i suksesit për gratë është që ato të mos vendosin asnjë kufi," thotë Martina Navratilova.

Mrekulli
Lajmet Kryesore