Yang Yang, legjenda kineze e badmintonit

2017-06-26 11:24:00 CRI Komenti juaj Printoni

Kina vlerësohet tani si mbretëresha e sportit të badmintonit. Megjithëse badmintoni modern mendohet se ka lindur në Britani, ai është tashmë një sport "i pushtuar" nga Kina. Badmintonistët dhe badmintonistet kineze zënë vendet e para të renditjes së Federatës Botërore të Badmintonit. Por nuk ka qenë gjithnjë kështu. Para viteve '80 të shekullit të 20-të, badmintoni kinez nuk kishte arritur ndonjë sukses të spikatur. Por gjendja ndryshoi edhe falë përpjekjeve të një njeriu, që punoi dhe u përpoq me pasion për zhvillimin e badmintonit në vendin e vet. Ai është badmintonisti i famshëm kinez Yang Yang.

Yang Yang-u ka lindur më 9 dhjetor 1963 në Nankin të provincës Jiangsu. Ai filloi të stërvitej në badminton kur ishte në moshën 12-vjeçare, ndërsa kur ishte 20 vjeç u përfshi në ekipin kombëtar të Kinës. Dhe një vit më pas, ai do të fillonte të fitonte medaljet e para. Kështu në vitin 1984 Yang Yang fitoi titullin e parë kampion kombëtar. Në vitin 1985 ai mundi Morten Frost të Danimarkës, i njohur atëherë si "Mr. Badminton", duke fituar turneun "Hong Kong Open", teksa po atë vit do të triumfonte edhe në turneun tjetër të njohur "Japan Open". Një vit më pas, në 1986, ai fitoi edhe një herë në këto dy turne, si edhe ndihmoi Kinën në fitoren e Kupës "Thomas", duke triumfuar në ndeshje të rëndësishme. Në 1987 Yang Yang fitoi titullin e vet të parë kampion botëror, duke triumfuar përsëri mbi Morten Frost.

Në vitin 1988 Yang fitoi medaljen e artë në ndeshjet individuale për meshkuj në Olimpiadën e Seulit, ku badmintoni ishte një sport demonstrativ. Për fatin e tij të keq, badmintoni do të bëhej një sport zyrtar olimpik vetëm në Olimpiadën e ardhshme, atë të vitit 1992 në Barcelonë, kur Yang Yang kishte një vit tashmë që e kishte lënë karrierën e lojtarit të badmindonit. Po atë vit ai kishte qenë pjesë e ekipit kinez që kishte fituar Kupën "Thomas", sukses që do të përsëritej edhe në vitin 1990 për të tretën herë rresht. Në vitin 1989 Yang Yang-u u bë i pari dhe një nga tre badmintonistët e vetëm deri më sot që ka fituar dy tituj kampionë botërorë rresht. Dy të tjerët janë bashkatdhetarët e tij Lin Dan dhe Chen Long. Ende pa mbushur 26 vjeç, Yang kishte fituar tashmë të gjithë titujt kryesorë në badminton, duke triumfuar në 23 turnetë më të rëndësishëm.

Yang Yang është pjesëtar i atij që quhet brezi i artë i badmintonit kinez, duke qenë një ndër përfaqësuesit më të dalluar të këtij brezi të viteve '80 të shekullit të kaluar, bashkë me lojtarë të tjerë të tillë si Xiong Guobao dhe Zhao Jianhua. Ata e bënë Kinën një superfuqi në badminton dhe hodhën themelet për suksesin e brezave të mëtejshëm të badmintonistëve kinezë.

Forca, shpejtësia, zhdërvjelltësia, qetësia për të përballuar edhe çastet më të vështira në fushën e lojës janë disa nga cilësitë më të spikatura të Yang Yang-ut, që e bënë atë një kampion botëror dhe një nga lojtarët më të mirë në historinë e badmintonit. Shtypi ka shkruar se lëvizjet e tij në fushën e lojës ishin aq të lirshme e të shkathëta, saqë e bënin atë të ngjante si njeriu më i lehtë në planet.

Në vitin 1991 Yang Yang e la karrierën e lojtarit të badmintonit dhe nisi atë të trajnerit, duke nisur drejtimin e skuadrës së Malajzisë. Edhe si trajner, Yang do të ishte i suksesshëm. Ai ua përcolli aftësitë dhe përvojën e vet edhe lojtarëve të kombëtares malajziane, e cila në vitin 1992 fitoi Kupën "Thomas". Ishte hera e parë që prej vitit 1967 që kjo Kupë, në të cilën marrin pjesë ekipet kombëtare të vendeve anëtare të Federatës Botërore të Badmintonit, nuk fitohej nga Kina ose nga Indonezia, dhe ishte hera e parë në këta 25 vjet që Malajzia e fitonte atë.

Më pas Yang Yang-u qëndroi në Malajzi, duke hapur biznesin e vet të pajisjeve të badmintonit dhe duke krijuar markën me emrin e vet. Misioni i kompanisë së Yang Yang-ut është të nxitë ndërgjegjësimin dhe interesimin mbarëbotëror për badmintonin, për një jetesë të shëndetshme për fëmijët dhe të rriturit, si edhe të shtojë forcën konkurruese dhe të rritë standardet për lojtarët e badmintonit.

Në vitin 2000 Yang Yang u kthye në Kinë, duke hapur një klub badminton në vendlindjen e vet Nankin.

Ndonëse Yang Yang-u nuk është tani aktiv si lojtar ose trajner badmintoni, kontributi i tij për këtë sport mbetet i paharrueshëm.

Mrekulli
Lajmet Kryesore