Michael Jordan, "mbreti i ajrit"

2017-06-20 16:40:54 CRI Komenti juaj Printoni

Javën e kaluar u zhvillua ndeshja e pestë dhe e fundit e finaleve të playoff-it në kampionatin amerikan të basketbollit NBA. "Golden State Warriers" të udhëhequr nga Kevin Durant triumfuan ndaj "Cleveland Cavaliers" të LeBron James-it, duke fituar titullin e dytë kampion në tre vjet. Kevin Durant u shpall "Lojtari më i çmuar" i NBA-së, ndërkohë që me më shumë se 35 pikë për ndeshje të shënuara në ndeshjet finale, më shumë se 8 topa të kthyer nga tabela dhe me më shumë se pesë asiste, iu bashkua një legjende të basketbollit amerikan, që e ka vendosur një rekord të tillë në vitin 1993. Ky legjendë është Michael Jordan, që nga shumë vlerësohet si lojtari më i mirë në historinë e NBA-së dhe të basketbollit në përgjithësi.

Michael Jordan ka lindur në vitin 1963 në Bruklin të Nju-Jorkut. Pak pas lindjes së tij familja u zhvendos në Uilmington të Karolinës së Veriut. Michael Jordan nisi që i vogël të ishte i apasionuar pas sporteve, megjithatë jo basketbolli, por bejsbolli do të ishte dashuria e tij e parë, sporti i parapëlqyer i të atit. Më pas, nën ndikimin e një tjetër njeriu të afërm, vëllait të vet të madh, Michael i vogël nisi të luajë basketboll.

Në shkollë të mesme Michael Jordan luante bejsboll, basketboll dhe futboll amerikan. Në vit të dytë ai donte të bëhej pjesë e ekipit të basketbollit të shkollës, por nuk e pranuan, për shkak se nuk kishte gjatësinë e duhur. Por ai nuk e dha veten dhe filloi të luante për skuadrën rezervë. Një vit më vonë, pas një stërvitjeje rigoroze dhe zgjatjes 10 cm, duke arritur në 1.90 m, ai më në fund u pranua në ekipin e parë.

Paraqitja e mirë aty bëri që pas përfundimit të shkollës së mesme, Jordan të kërkohej nga shumë universitete. Ai zgjodhi një bursë për basketboll nga Universiteti i Karolinës së Veriut në vitin 1981, duke u bërë pjesëtar i ekipit të basketbollit të këtij universiteti. Ai u shpall "Studenti i vitit të parë më i mirë" në Konferencën e Bregdetit të Atlantikut dhe e ndihmoi e ekipin e universitetit të vet të fitonte në vitin 1982 Kampionatin e Shoqatës Studentore Sportive Kombëtare (NCAA), duke shënuar dypikëshin e fitores. Në vitin 1983 dhe 1984 ai u shpall "Lojtari universitar i vitit" i NCAA-së.

Gjatë verës së vitit 1984, Jordan bëri paraqitjen e tij të parë në Lojrat Olimpike, pikërisht ato të Los Anxhelesit, si një anëtar i ekipit olimpik të basketbollit të ShBA-së, ekip që fitoi medaljen e artë. Jordan më vonë ishte pjesë e ekipit amerikan që fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike të 1992-shit, në Barcelonë, Spanjë.

Po në vitin 1984 Michael Jordan vendosi ta lërë universitetin për të luajtur në ligën profesionale të basketbollit, NBA. Megjithatë, në vitin 1986, ai do të rikthehej po në Universitetin e Karolinës së Veriut për t'u diplomuar për gjeografi. Në NBA Michael Jordan u bë pjesë e "Chicago Bulls", duke e ndihmuar ekipin të arrijë në plajof, me një mesatare prej 28.2 pikësh të shënuara për ndeshje. Për këtë, Jordan mori çmimin "Lojtari i ri më i mirë i vitit" i NBA-së, si edhe u përzgjodh për të luajtur në Ndeshjen e Të Gjithë Yjeve. Në sezonin 1986-1987, ai u bë basketbollisti i parë që nga koha e Wilt Chamberlin që shënonte më shumë se 3 000 pikë në një sezon të vetëm të NBA-së. Në sezonin e ardhshëm, Jordan mori çmimin e tij të parë "Lojtari më i çmuar i NBA-së, çmim të cilin ai do të fitonte katër herë më shumë në 1991, 1992, 1996 dhe 1998. Ai po ashtu u zgjodh tre here edhe "Lojtari më i çmuar i Të Gjitha Yjeve", duke u bërë lojtari më i vlerësuar në historinë e NBA-së.

Në fund të viteve '80, "Chicago Bulls" shpejt u bë një ekip që frikësonte kundërshtarët dhe Jordan kishte një rol kryesor në suksesin e ekipit. Në vitin 1990 "Bulls" arriti deri në finalet e Konferencës Lindore dhe fitoi titullin e pare kampion të NBA-së vitin e ardhshëm, duke mposhtur "Los Angeles Lakers". Michael Jordan, një superstar në rritje në NBA, u bë i njohur për forcën dhe shpejtësinë në fushën e lojës, si dhe për aftësitë e veta drejtuese.

Në vitin 1992 "Chicago Bulls" fituan titullin e dytë kampion të NBA-së dhe një vit më pas të tretin. Por pastaj Michael Jordan-it i ndodhi një fatkeqësi. Ai humbi të atin në një përpjekje për grabitje nga dy adoleshentë. Duke befasuar shumëkënd, Michael Jordan vendosi ta lërë basketbollin për të luajtur bejsboll, mbase edhe në kujtim të të atit që e pëlqente këtë sport. Ai luajti një vit për "Birmingham Barons", por paraqitja e tij ishte shumë larg nga ajo e basketbollit.

Më 18 mars 1995, Michael Jordan njoftoi me anë të mediave: "U ktheva". Ai e kremtoi këtë kthim duke bërë atë që dinte të bënte më mirë: duke fituar. Duke filluar nga sezoni 1995-96, ai e udhëhoqi "Chicago Bulls" në fitimin e tre titujve kampion rresht, duke i dhënë vetes mundësinë që të vlerësohet si "Lojtari më i mirë në historinë e NBA-së".

Pas sezonit 1997-98, Jordan e la basketbollin, por jo për një kohë të gjatë. Ai u bë bashkëpronar dhe pjesë e stafit drejtues të "Washington Wizards". Në verën e vitit 2001, ai vendosi të kthehet në fushë përsëri. "Ajrësia e tij", siç edhe është një nga nofkat e Michael Jordan-it, luajti për "Wizards" për dy sezone, përpara se të tërhiqej përfundimisht në vitin 2003.

Në vitin 2006, Jordan bleu aksione të "Charlotte Bobcats" dhe u bë pjesë e stafit menaxhues të këtij klubi. Në vitin 2010 ai bleu pjesën kontrolluese të aksioneve, duke u bërë president i "Charlotte Bobcats".

Në vitin 2016, presidenti Barack Obama i dha Michael Jordan "Medaljen e lirisë".

Po cili është sekreti i suksesit të Michael Jordan. Ja se si e shpjegon vetë ai: "Kam humbur më shumë se 9000 gjuajtje në karrierën time. Kam humbur gati 300 ndeshje. 26 herë më është besuar gjuajtja për fitimin e lojës dhe e kam humbur. Kam dështuar shumë herë në jetën time. Ja përse kam arritur sukses."

Mrekulli
Lajmet Kryesore