2017-06-12 18:34:13 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Zhang Yining-u ka lindur më 5 tetor të vitit 1981 në Pekin. Ajo preku për herë të parë një raketë pingpongu kur ishte që 5 vjeç, e nxitur nga xhaxhai i saj. Në moshën 9-vjeçare Zhang Yining-u u pranua në shkollën e famshme sportive "Shichahai" të Pekinit, që njihet edhe si "djepi i kampionëve botërorë". Shkolla ndodhej në distriktin Dongcheng të Pekinit, pranë qendrës së qytetit, ndërsa familja e Zhang Yining-ut banonte në jug. Përditë asaj dhe prindërve që e përcillnin për në shkollë u duhej të përshkonin kilometra të tëra, shpeshherë në një trafik të rënduar.
Zhang Yining-u e fitoi titullin e vet të parë kampion në vitin 1990, në moshën 9-vjeçare, në kampionatin e qytetit të Pekinit, ku ajo ishte përfaqësuese e distriktit Dongcheng. Ka një histori interesante pas këtij titulli. Në ndeshjen finale, kur rezultati ishte 1-1 dhe në setin e fundit ajo ishte në disavantazh 13-15, Zhang Yining-u nisi të përlotej. Vogëlushja kurrë nuk kishte humbur deri atëherë. Duke e parë ashtu me lot të sy, kundërshtarja e saj u impresionua dhe Zhang Yining-u fitoi me lehtësi.
Një vit më pas, Zhang Yining-u u përfshi në ekipin e Pekinit, ndërsa në në moshën 14-vjeçare, në ekipin kombëtar.
Po Zhang Yining-u do të bëhej një emër e fytyrë e njohur në mbarë Kinën në vitin 1997, në Lojërat e Teta Kombëtare në Kinë, kur mposhti kampione botërore e kombëtare. Triumfin e parë ndërkombëtar e pati në vitin 1998, në turneun "Malaysia Open". Ndërkohë, paraqitjen e parë në një veprimtari të madhe ndërkombëtare Zhang Yining-u e pati në vitin 2000, në Kampionatin e 45-të Botëror të Pingpongut po në Malajzi, ku doli nënkampione. Megjithatë, po atë vit ajo nuk mori pjesë në ndeshjet kualifikuese për Olimpiadën e Sidneit. Më vonë këtë ajo do ta quante pengun më të madh të karrierës së vet.
Në vitin 2001, Zhang Yining-u fitoi titull kampion si individ për femra në Kupën e Botës në Osakë të Japonisë dhe në Lojërat e 10-ta Kombëtare. Një vit më pas ajo do të shpallej përsëri kampione në ndeshjet individuale për femra në Lojërat Aziatike të Busanit, duke mundur në finale pingpongisten më të mirë në Kinë në atë kohë, Wang Nan.
Në vitin 2004 Zhang Yining-u do të merrte pjesë më në fund në një olimpiadë, pikërisht në atë të Athinës. Dhe nuk do të zhgënjente. Në gjysmëfinale ajo ishte e vetmja pingpongiste kineze, pasi dy shoqet e saj të ekipit, Niu Jianfeng dhe Wang Nan, ishin eliminuar. Nën trysninë për të ruajtur famën dhe mbizotërimin e vendit të vet në sportin e pingpongut, Zhang triumfoi si në gjysmëfinale, ashtu edhe në finale, duke fituar medaljen e artë. Një ditë më parë, ajo dhe Wang Nan kishin fituar medaljen e artë si çift për femra. Kështu Zhang-u iu bashkua dy pingpongisteve të tjera që kishin arritur një fitore të dyfishtë në Olimpiadë, shoqet e saj të ekipit Deng Yaping dhe Wang Nan.
Një vit më pas 24-vjeçarja e atëhershme do të realizonte Grand Slam-in e karrierës së vet, duke fituar tituj në ndeshjet si individ dhe si çift në turnetë e mëdha botërore të pingpongut, pikërisht në Kupën e Botës, në Kampionatin Botëror dhe në Olimpiadë.
Dhe më në fund do të vinte vinte 2008, kur Olimpiada do të organizohej në vendlindjen e Zhang Yining-ut. Ajo u nderua duke qenë sportistja që bëri betimin olimpik në emër të të gjithë sportistëve e sportisteve pjesëmarrës në Olimpiadë.
Dhe këtë nder ajo e shpërbleu duke përsëritur suksesin e Athinës, duke fituar pra medalje të arta qoftë si individ, ashtu edhe si çift, dhe duke u bërë pingpongistja me më shumë medalje të arta olimpike. Përveç saj, në ndeshjet individuale, edhe fitueset e dy medaljeve të tjera, të argjendit dhe të bronzit, ishin pingpongiste kineze, duke treguar edhe një herë mbizotërimin e padiskutueshëm të Kinës në këtë sport.
"Si pekinase, doja shumë të fitoja medaljen e artë në Olimpiadën e Pekinit," u shpreh Zhang Yining-u pas fitores së medaljes së katërt të artë olimpike. Prindërit erdhën për të më shikuar për herë të parë duke luajtur dhe m'u duk sikur po luaja në shtëpi."
Një vit më pas, Zhang Yining-u u martua dhe mund të thuhet se fillimi i jetës familjare dhe lindja e fëmijës shënoi fillimin e tërheqjes së saj nga sporti, të cilin ajo e shpalli zyrtarisht në vitin 2011. "E mora këtë vendim pas një shqyrtimi të kujdesshëm, pasi dua t'u jap lojtareve të reja më shumë mundësi," u shpreh ajo.
Vendimi i Zhang Yining-ut dëshpëroi shumë nga adhuruesit e saj. Duke filluar nga viti 2002 e deri në atë 2009, pothuajse pa ndërprerje ajo ishte e para në renditjen e Federatës Botërore të Tenisit. Zhang është cilësuar "lojtarja më e suksesshme, qoftë për meshkuj, ashtu edhe për femra, në historinë e ndeshjeve individuale në Turnetë Botërore të Federatës Botërore të Tenisit". Zhang Yining-u jo vetëm ka qenë një kampione absolute për femra, por ka arritur të mposhtë edhe disa nga pingpongistët më të mirë meshkuj, si Lucjan Blaszczyk dhe Lei Zhenhua, si edhe kampionin e ShBA-së Ilija Lupulesku.
Zhang Yining-u është një sportiste që do të mbahet mend për etikën e saj. Ajo gjithmonë ishte e qetë në fushën e lojës dhe kishte rregullën e "tre kurrë-ve": kurrë mos mbaj flokë të gjatë, kurrë mos vish fund dhe kurrë mos bëj makijazh.
Pas lënies së sportit, Zhang Yining-u shkoi në ShBA për të studiuar për menaxhim sporti, ndërsa tani është zv.rektorja e Akademisë Kineze të Pingpongut, duke shpresuar se do t'u përcjellë përvojën e saj pingpongistëve të rinj kinezë.