Paul Pogba, "vepra e papërfunduar e artit"

2017-05-26 16:42:14 CRI Komenti juaj Printoni

Paul Pogba ka lindur më 15 mars 1993 në Lagny-sur-Marne, në periferi të kryeqytetit francez Paris, nga prindër me origjinë nga Guinea. Ai është një futbollist profesionist, që luan në rolin e mesfushorit për kombëtaren franceze dhe "Manchester United". Ai është djali i tretë në familjen e tij. Dy vëllezërit e tij më të mëdhenj janë gjithashtu futbollistë: Florentin Pogba luan për Saint-Etienne dhe Mathias Pogba për "Spartën" e Roterdamit. Kur Paul Pogba ishte në moshën dy vjeç e gjysmë, prindërit e tij u divorcuan dhe nëna e tij duhej t'i rriste e vetme fëmijët.

Kur ishte i vogël, Paul ngurronte për të bërë zgjedhjen mes tenisit dhe futbollit, sepse koha e stërvitjes për këto dy sporte ishte të shtunën. Por, më në fund, me propozimin e anëtarëve të familjes së tij, ai zgjodhi futbollin. Në vitin 1999, Paul Pogba dhe dy vëllezërit e tij të mëdhenj u futën në një klub amator futbolli. Ai do të qëndronte shtatë vjet në këtë klub, derisa në vitin 2006, tashmë 13 vjeç, do të fillonte të luante për "Torcy" e pas një sezoni, për "Le Havre". Ai do të bëhej kapiteni i skuadrës nën 16 vjeç të këtij klubi.

Në vitin 2009, Pogba mori pjesë në akademinë e të rinjve të "Manchester United", ku do të luante fillimisht për skuadrën nën 18-vjeç, për t'u bërë më pas, në vitin 2010, pjesë e skuadrës rezervë. Në vitin 2011, Sir Alex Ferguson njoftoi se Paul Pogba do të luante për ekipin e parë. Një gjë e tillë do të ndodhte në janar 2012, kur 19-vjeçari i atëhershëm do të luante për "djajtë e kuq" kundër "Stoke City"-t.

Në gusht 2012, Paul Pogba iu bashkua klubit italian të futbollit "Juventus". Golin e parë për juventinët ai do ta shënonte në 20 tetor, kundër "Napolit". Pas 11 ditësh Pogba do të shënonte edhe golin e fitores 2-1 ndaj "Bolonjës", ndërsa kishte dhënë ndihmesë edhe në golin e parë. Shpejt Pogba u bë pjesë e pazëvendësueshme e "zonjës së vjetër" dhe nisi të ketë vlerësime pozitive në media.

Në vitin 2013 ai mori "Golden Boy", çmim që jepet nga gazetarët sportivë për futbollistët e rinj që luajnë në Europë, ndërsa në vitin 2015 do të ishte pjesë e "Ekipit të vitit" të UEFA-s.

Pas katër sezonesh në Gadishullin Apenin, më 9 gusht 2016, Pogba u rikthye te "Manchester United" me një kontratë 5-vjeçare, për shifrën rekord 89 milionë paundë.

Për sa i përket ekipit kombëtar, Paul Pogba do të fillonte të luante për kombëtaren franceze në vitin 2013. Një vit më pas, Paul Pogba fitoi çmimin "Lojtari i ri më i mirë i Kupës së Botës të FIFA-s". Në vitin 2016, Pogba i ndihmoi "gjelat" të zinin vendin e dytë në Kampionatin Europian, duke luajtur në shtatë ndeshje dhe duke shënuar një gol.

Më 10 tetor 2016, Franca u përball me ekipin e Hollandës në Amsterdam, në një ndeshje për grupin A të eliminatoreve për Kupën e Botës. Në minutën e 31-të të ndeshjes, Pogba shënoi një gol nga 30 metra larg, duke u dhënë fitoren bluve. Një muaj më pas, më 11 nëntor, francezët fituan në 2 me 1 në "Stade de France" ndaj Suedisë. Në minutën e 57-të të ndeshjes, Pogba shënoi golin e barazimit.

Sot Paul Pogba është një nga lojtarët më të mirë në mesfushë. Ish-trajneri i "Juventusit" Antonio Conte kishte parashikuar: "Pogba është tamam si një vepër arti e papërfunduar. Po të përpunohet më tej, ai do të jetë një vepër arti e çmuar."

Kurse uellsiani i "Manchester United" Ryan Giggs ka theksuar: "Pogba është pa dyshim një futbollist shumë i talentuar, me një kapacitetet shumë të madh. Jam i sigurt se tani, njerëzit ende nuk e kuptojnë saktësisht se në çfarë lartësish do të arrijë ai. Edhe për sa i përket gjendjes fizike, Pogba është gjithashtu shumë i fuqishëm dhe shumë i shpejtë. Sipas mendimit tim, Pogba ka gjithcka për t'u bërë lojtari më i mirë në botë." (Du)

Mrekulli
Lajmet Kryesore