Lamtumira e përlotur e Terry-t: "Chelsea" është bota ime

2017-04-25 11:30:53 CRI Komenti juaj Printoni

Klubi anglez i futbollit "Chelsea" ka njoftuar në uebsajtin e vet zyrtar se kapiteni i ekipit John Terry do të largohet nga ky klub pas mbarimit të sezonit, duke i dhënë fund kështu karrierës së tij 22-vjecare me blutë. Në njoftim thuhet: "John Terry dhe klubi i futbollit i 'Chelsea'-t shpallin bashkërisht se kapiteni ynë do të largohet nga klubi në fund të këtij sezoni. Çdokush në 'Stamford Bridge' do të donte t'i shprehte mirënjohjen e vet të madhe John-it dhe t'i uronte atij fat në të ardhmen."

Kontrata midis Terry-t dhe "Chelsea"-t përfundon këtë verë. Në të vërtetë, që shkurtin e vitit të kaluar, John Terry kishte njoftuar se "Chelsea" nuk do të vazhdonte kontratën me të dhe se ai do të largohej nga ky ekip në verën e vjetshme. Por, më në fund, John Terry e vazhdoi kontratën me "Chelsea"-n edhe për një vit. Por kësaj here, duket se Terry do të largohet me të vërtetë nga ky klub, pjesë e të cilit ka qenë për 22 vjet.

Në mesazhin e vet të lamtumirës për klubin dhe tifozët e tij, Terry shkruan: "Pas 22 vjetësh, unë kam shumë fjalë për të thënë dhe shumë njerëz për të falënderuar në këtë klub të madh futbolli. Që nga trajnerët, shokët e skuadrës e stafi deri tifozët, që më kanë dhënë kaq shumë përkrahje, i falënderoj nga zemra. Gjatë disa javëve të ardhshme, do të kem rast për të folur më shumë për këtë."

Terry nuk e ka zbuluar ndalesën e vet të ardhshme: "Do të vendos për të ardhmen time kur të vijë koha, por tani do të bëj të gjitha përpjekjet për ta ndihmuar ekipin të arrijë sukses në këtë sezon".

Ndërsa "Chelsea" e shprehu kështu nderimin për kapitenin legjendar të klubit:"Ai është kapiteni ynë, udhëheqësi ynë dhe legjenda jonë. Ne i urojmë atij fat në kapitullin e ri të karriesës së tij të mrekullueshme. "

John Terry u bë pjesë e klubit të futbollit "Chelsea" që në moshën 14-vjeçare. Më 28 nëntor 1998, ai zhvilloi ndeshjen e parë për "Chelsea", duke filluar kështu karrierën e tij legjendare për blutë. Me "Chelsea"-n ai ka marrë pjesë në 713 ndeshje, duke shënuar 66 gola. Gjatë karrierës, ai si kapiten ka fituar shumë tituj me ekipin: katër tituj kampionë të "Premier League", pesë Kupa FA, tre Kupa të Ligës, një Ligë Kampionesh etj.

Duke kujtuar karrierën e tij me "Chelsea"-n, John Terry tha me emocion: "Unë kam pasur gjithmonë një marrëdhënie fantastike me klubin, dhe kjo marrëdhënie do të vazhdojë edhe pasi të mos luaj më aty. Ne kemi pasur bisedime shumë pozitive, por tani kam vendosur që të largohem nga ky klub. Gjithmonë kam qenë i kujdesshëm që të gjej momentin e duhur dhe mënyrën e duhur për t'u larguar, dhe mendoj se fundi i këtij sezoni është koha e duhur për mua dhe për klubin... Unë kam shumë dëshirë të vazhdoj të luaj dhe do të kërkoj të vazhdoj me një sfidë të re. Sigurisht do të jem gjithmonë një 'blu'..."

Në fund të mesazhit të tij kapiteni legjendar shpreh me ndjenja të thella lamtumirën e tij: "Fjalët nuk mund ta përshkruajnë dashurinë që kam për klubin tonë të futbollit dhe për tifozat tanë të mrekullueshëm të 'Chelsea'-t. Dua të falenderoj secilin nga ju për përkrahjen e jashtëzakonshme që më keni dhënë përgjatë viteve. Ju jeni tërë bota ime dhe çdo trofe që kemi fituar gjatë kohës sime në klub e kemi fituar së bashku. Unë nuk do ta harroj kurrë këtë udhëtim të paharrueshëm që kemi bërë. Ju faleminderit për gjithçka."

Mrekulli
Lajmet Kryesore