Zhang Jike

2017-03-17 11:49:25 CRI Komenti juaj Printoni

29-vjeçari Zhang Jike është një pingpongist i njohur kinez. Ai është pingpongisti i shtatë që ka fituar një Grand Slam. Në 445 ditë, ai bëri të vetët të gjithë titujt më të rëndësishëm botërorë, duke shënuar rekord. Ai është pingpongisti i tretë kinez që ka fituar një Grand Slam, pas Liu Guoliang-ut dhe Kong Linghui.

Babai i Zhang Jike-së, Zhang Zhuangming, ka qenë trajner i pingpongut për fëmijë në Qindao të provincës Shandong. Ai është njëkohësisht edhe trajneri i parë i Zhang Jike-së në karrierën profesioniste të këtij të fundit. Që kur i biri ishte në moshën 5-vjeçare, Zhang Zhuangming vendosi ta drejtojë atë në rrugën e sportit. Por çuditërisht jo të pingpongut.

Zhang Zhuangming ishte adhurues i futbollit, veçanërisht i yllit brazilian Ziko. E pikërisht për këtë arsye ia vuri emrin të birit Jike.

Për fat, ndodhi një "aksident". Në ndeshjet eliminatore për Kupën e Botës 1994, ekipi kinez i futbollit për meshkuj u mposht nga ekipi i Jemenit. Dhe kështu babai i Zhang Jike-së në njëfarë mënyre i humbi shpresat te futbolli dhe filloi ta lejonte të birin të luante pingpong.

Ishte viti 2008 kur Zhang Jike filloi të tregojë talentin e tij në pingpong. Gjatë ndeshjeve të Superligës Kineze të Pingpongut, pas Lojërave Olimpike të Pekinit, Zhang Jike bëri një paraqitje që ra në sy. Ai ishte pika kryesore e ekipit të pingpongut "Luneng" të Shandong-ut dhe për një kohë të gjatë zuri tre vendet e para në këtë veprimtari.

Më pas do t'u vinte radha sukseseve ndërkombëtare. Gjatë finales individuale për meshkuj në Kampionatin Botëror të Pingpongut në Roterdam të Holandës në maj 2011, Zhang Jike triumfoi 4 - 2 ndaj bashkatdhetarit të vet kinez Wang Hao, duke fituar titullin e vet të parë kampion botëror.

Gjashtë muaj më vonë, në Kupën e Botës në Paris, Zhang Jike do të arrinte përsëri në finale, përsëri do të ishte përballë Wang Hao-s dhe përsëri do të dilte triumfues.

Më 2 gusht 2012, gjatë ndeshjeve individuale të pingpongut për meshkuj në Olimpiadën e Londrës, Zhang Jike mposhti në finale përsëri Wang Hao-n 4-1, duke fituar titullin kampion. Pastaj, në ndeshjet ekipore për meshkuj, ai dhe Wang Hao e Ma Long mposhtën 3:0 ekipin e Koresë së Jugut, duke fituar medaljen e artë. Kështu, në një kohë rekord, Zhang Jike u bë fituesi më i ri i Grand Slamit, duke marrë tre tituj kampionë si individ në Kampionatin Botëror, Kupën e Botës dhe Lojërat Olimpike.

Për shkak të moshës së re, shumë menduan se Zhang Jike ishte pingpongisti më i ri që kishte fituar një Grand Slam. Por me modesti ai e mohoi një gjë të tillë: "Nuk jam fituesi më i ri i Grand Slamit," tha ai në një konferencë shtypi pas marrjes së titullit. "Trajner Liu (Guoliang) e ka fituar më i ri se unë". Megjithatë, Zhang Jike e pranoi se ishte fituesi më i shpejtë i Grand Slamit. Trajnerit të tij Liu Guoliang iu deshën plot tre vjet për ta marrë këtë titull, ndërsa fituesit të parë të Grand Slamit, suedezit Jan Ove Waldner, iu deshën edhe më shumë se tre vjet. Kurse Zhang Jike-së iu deshën vetëm një vit e 80 ditë, duke u bërë një legjendë e gjallë që në moshën 24 vjeç.

Gjatë Kampionatit Botëror për meshkuj që u zhvillua në tetor 2014 në Gjermani, Zhang Jike mposhti 4-3 Ma Longun, që aktualisht është numri një në pingpongun për meshkuj. Kjo ishte përballja e parë mes tyre në një veprimtari të rëndësishme dhe ishte gjithashtu hera e pestë që Zhang Jike fitonte në një veprimtari të tillë. Zhang Jike bëri të vetën medaljen e artë në Olimpiadën e Rios në Brazil vitin e kaluar.

Në vitin 2106, Zhang Jike zuri vendin e dytë në ndeshjet individuale për meshkuj në Kampionatin Botëror, ndërsa fitoi titullin kampion në ndeshjet ekipore, kur bashkë me Ma Longun dhe Xu Xin mposhtën ekipin e pingpongut të Japonisë.

Trajneri i tij Liu Guoliang është shprehur kështu për Zhang Jike: "Zhang Jike është një sportist me shumë karakter e guxim. Zhang Jike ka një zemër të fortë dhe është shumë i aftë. Sa më shumë ndodhet në presion, aq më shumë e tregon veten. Atij i mungon kujdesi dhe modestia e Ma Long-ut, por është më i fortë dhe më gjaknxehtë se Ma Long-u."

Zhang Jike mund të jetë i ashpër e gjaknxehtë, por gjatë ndeshjeve përgjithësisht tregohet i ftohtë, nuk thërret dhe as nuk ka ndonjë shprehje në fytyrë. Por kur është drejt fitores, atij i dalin klithma të fuqishme nga gjoksi, ndaj edhe është pagëzuar "Mastifi tibetian". Në këtë kohë, ai fillon sulmin e ashpër ndaj kundërshtarëve.

Revista e njohur gjermane "Der Spiegel" ka bërë një koment të tillë për Zhang Jike-në: "Zhang Jike është pingpongisti më i njohur sot në botë. Ai është i aftë në shprehjen e vetvetes dhe përfaqëson shpirtin e brezit të ri të yjeve të sportit kinez. Zhang Jike ka arritje të padiskutueshme si pingpongist. Zhang Jike, 29-vjeçar, nga qyteti bregdetar Qindao, është pingpongisti më i shquar sot në botë, madje disa thonë se është pingpongisti më i madh në historinë e pingpongut. Duke kthyer pas vështrimin nga arritjet në karrierën e tij, mund të thuhet se e meriton një vlerësim të tillë." (Du)

Mrekulli
Lajmet Kryesore