Video/  Hunan, kulturë, rini dhe novacion

2018-08-15 20:59:11 CRI Komenti juaj Printoni

Hunan-i është provinca e shtatë më e populluar e Kinës dhe e dhjeta për nga hapësira që zë. Kryeqyteti i Hunan-it është Changsha-ja.

Hunan do të thotë "në jug të liqenit Dongting". Liqeni i Dongting-ut shtrihet në verilindje të provincës. E vendosur në pjesën e mesme të pellgut të lumit Jance, Hunan-i është një provincë jugperëndimore e Kinës. Pyjet e hershme të Hunan-it janë banuar për herë të parë nga paraardhësit e kombësive Miao, Tujia, Dong dhe Yao. Provinca hyri në historinë e shkruar kineze në vitin 350 p.e.s.

Provinca Hunan është e njohur për pikat e saj turistike, të cilat janë të përfshira në listën e UNESCO-s. Ndër mrekullitë e Hunan-it janë qytetet historike të Hongjiang-ut dhe Qianjiang-ut, po ashtu shpella e Dragoit të Verdhë, malet Zhangjiajie në zonën Wulingyuan (nga ku është inspiruar regjisori i filmit Avatar) dhe mali Tianmen.

Me një sipërfaqje prej 211,800 kilometra katrorë, Hunan-i ka një popullsi prej mbi 70 milionë banorësh. Lindja, jugu dhe perëndimi i provincës rrethohen nga malet Luoxiao, Nanling, Xuefeng dhe Wuling. 80 për qind të territorit e zënë malet dhe kodrat, dhe 20 për qind uji. Lumenjtë Xiangjiang, Yuanjiang, Zijiang dhe Lishui, të cilët takohen të gjithë në Liqenin Dongting, formojnë një sistem të madh e të integruar ujor. Të gjitha këto e bëjnë Hunanin një vend me burime të pasura natyrore ku rriten orizi, pambuku, portokalli dhe shumë peshq. Hunan-i njihet gjithashtu edhe për burime të pasura mineralesh.

Hunan-i u bë një qendër e rëndësishme e komunikimit për shkak të pozicionit të tij përgjatë lumit Jance. Hunan-i ishte një qendër e rëndësishme akademike dhe e mendimit konfucian, veçanërisht Akademia "Yuelu" në Changsha, e cila njihet si një ndër katër akademitë më prestigjoze gjatë 1000 vjetëve të fundit në Kinë. Akademia "Yuelu" ka qenë një institucion i njohur i arsimit të lartë, si dhe një qendër e aktiviteteve akademike e kulturore që nga themelimi zyrtar i saj gjatë dinastisë Song të veriut.

Zona e Portit të Ri, e njohur si "Chenglingji", ndodhet në qytetin Yueyang të provincës Hunan në jugperëndim të Kinës. "Chenglingji" është një qendër e rëndësishme e zhvillimit të Brezit Ekonomik të Lumit Jance. Është porti i vetëm i Hunan-it që lidh lumin Jance me detin. Ai renditet si një ndër 50 portet më të rënëdsishme në botë, me tonazh 100 milionë tonë. Ky projekt i suksesshëm është një zonë e tregtisë së lirë, një port pilot i dërgesave ku aplikohet politika e rimbursimit të taksave, port për importin e automjeteve, mishit, produkteve të ndryshme ushqimore dhe mbetjeve të ngurta etj.

Sipas autoriteteve, "Yueyang është i vetmi qytet në nivel prefekture në Kinë që ka 6 porte të rëndësishme në nivel shtetëror, duke nënkuptuar një rritje të jashtëzakonshme të ekonomisë së provincës Hunan të orientuar drejt eksporteve".

Në Kinë, qeramika dhe porcelani kanë një histori 8000 vjeçare. Populli kinez nuk e ndërpreu në asnjë periudhë përsosjen e mëtejshme të këtyre objekteve, që janë kombinim i kulturës dhe teknikës shkencore. Dinastia Tang është shumë e njohur për prodhimin e objekteve prej qeramike (618-907). Qeramika e ngjyrosur me tri ngjyra, të verdhë, të bardhë dhe jeshile, tregon karakteristikat e kësaj periudhe.

Duke përvetësuar teknikat dhe metodat e pikturës e skulpturës tradicionale kineze, qeramika në dinastinë Tang është e njohur për ngjyrat e saj natyrale. Por përveç qeramikës, Kina konsiderohet edhe si vatra e porcelanit. Porcelani është një shpikje që erdhi pas qeramikës. Ndryshimi midis tyre është lënda e parë që përdoret. Materiali që shfrytëzohet për prodhimin e porcelanit përbëhet nga kaolina, kuarci, feldspat etj, që piqet në furrë me një temperaturë mesatare prej 1200-1300 gradë celsius.

Furra e "Tongguan"-it e Changsha-së, kryeqendrës së provincës Hunan, ishte furra prodhuese më e famshme gjatë dinastisë Tang, si dhe gjatë periudhës së Pesë Dinastive. Ajo njihej si furra e parë që përpunoi porcelanin me ngjyra, lustrën e shkëlqyeshme të porcelanit, dekorimin e tij me motive artistike etj. Në atë periudhë, prodhimi i enëve të porcelanit u bë më shumë se sa thjesht prodhim veprash arti, pasi dekorimit të tij iu shtuan edhe elementë të prozës e poezisë, mbishkrimeve, karaktereve kineze e të huaja etj. Gjatë dinastisë Tang, furra e "Tongguan"-it arriti kulmin e suksesit duke eksportuar prodhimet e saj në 29 vende të botës, duke shpërhapur kështu anembanë globit kulturën kineze të qeramikës e porcelanit.

Në vitin 1988, Grupi "CITIC" themeloi kompaninë e prodhimit të disqeve prej alumini të makinave në Kinë. "CITIC Dicastal" ndodhej në Qinhuangdao, në verilindje të Kinës, përgjatë bregut të detit Bohai, ku edhe u prodhua për herë të parë disku prej alumini për rrotat e makinave për pjesën kontinentale të Kinës.

Pas shumë vjetësh arritjesh e zhvillimesh, "CITIC Dicastal" është sot një ndër ndërmarrjet me të rëndësishme në botë në fushën e prodhimit të disqeve të makinave dhe pjesëve të këmbimit të tyre. "Dicastal" prodhon sasinë më të madhe të disqeve të makinave në botë, 23% për tregun botëror dhe 45% për tregun e Kinës. Mbi 90% e markave më të njohura të makinave në Europë, si "Mercedes-Benz", "Volkswagen", "BMW", "Audi" etj janë klientë të rregullt të kompanisë. "Dicastal" bën përpjekje maksimale për të përmirësuar menaxhimin e cilësisë dhe zhvillimin e novacionit dhe synon nxitjen e ndikimit të "prodhimit vendas", duke e kthyer "Dicastal" në një simbol të Kinës.

Kompania "China South Publishing & Media Group"(CNS) u themelua në vitin 2008 dhe sot renditet si një ndër kompanitë botuese më të mëdhaja në Kinë dhe ndër kompanitë kryesore mediatike në botë. Për sa i përket fitimeve,"CNS"-ja zë vendin e parë ndër shtëpitë e tjera botuese në Kinë. Që nga viti 2010, "CNS"-ja është rritur me ritme të jashtëzakonshme, jo vetëm në tregun me pakicë të librave, por gjithashtu për rritjen e numrit të librave "më të shitur" (bestseller), për botimin e revistave më të lexuara në vend etj. "CNS"-ja mbizotëron tregun me libra të botuar në fushën e shkencave, menaxhimit e biznesit, shëndetit, artit, muzikës etj si dhe me romane e novela të letërsisë klasike e moderne. Ajo është e njohur për botimin e teksteve shkollore kombëtare, duke nxitur më tej përhapjen e materialeve arsimore në vend si dhe përhapjen e dijes. "CNS"-ja ka në pronësi të saj një numër shtëpish botuese, shtypshkronjash, kompani reklamash, kompani revistash e gazetash si edhe kompani mediatike, uebsajte etj.

Rruga "Duzheng" është ndër zonat më të frekuentuara të Changsha-së. Ajo është një lagje e vjetër e cila është ruajtur me shumë fanatizëm nga banorët e saj. Kjo lagje e lashtë, disa herë vatër zjarresh, u planifikua të prishej e zhvendosej diku tjetër, lëvizje e cila do t'i kushtonte autoriteteve 1 miliardë juanë, por ata që e ndryshuan fatin e kësaj rruge e rrugicave të saj historike, ishin pikërisht banorët autoktonë të lindur e rritur aty, të cilët këmbëngulën për mosprishjen e saj. Prandaj, vendimi përfundimtar i pushtetit vendor ishte restaurimi dhe rindërtimi i rrugës "Duzheng".

Plani i ri u bazua tërësisht mbi atë të vjetrin, duke ruajtur me përpikëri arkitekturën e shumë detaje karakteristike të saj, traditat e zakonet e çdo shtëpie e dyqani. Rruga "Duzheng" është një pikë turistike tejet dinamike dhe e frekuentuar nga vendasit e turistët. Ende sot, banorët jetojnë në këtë lagje historike e cila pasqyron më së miri kulturën e qytetit. Lagja ka gjithashtu teatrin e saj ku interpretojnë trupa të ndryshme artistike, ndërsa një nga zhanret më të njohura të skenës së saj është opera e famshme kineze.

Hunan-i gëzon pasuri të shumta kulturore. Ka disa dialekte, ku veçohen dialektet Xiang, Gan dhe Kejia. Opera e Hunan-it i ka fillesat që nga dinastia Ming dhe është e njohur jo vetëm në Hunan, por edhe në Guandong. Provinca e Hunan-it është cilësuar si "shtëpia e veçantë e talenteve", pasi shumë figura të shquara në historinë e Kinës kanë lindur e jetuar pikërisht në këtë provincë. (Haris)

Mrekulli
Lajmet Kryesore