Video/  Hubei, nyja midis teknikës dhe kulturës

2018-08-13 17:38:03 CRI Komenti juaj Printoni

Hubei gjendet në rrjedhën e mesme të Lumit Jance, në veri të Liqenit Dong Ting Hu, prandaj nga kinezishtja Hu Bei do të thotë "në veri të liqenit". Hubei është një djep i rëndësishëm i qytetërimit kinez me kulturë e tradita shumë të pasura. Hubei zë një hapësirë prej 185 900 kilometra katrorë dhe ka një popullsi prej mbi 58 milionë banorë. Hu Bei ka burime të bollshme ujore, prandaj quhet edhe si provinca e mijëra liqeneve. Kryeqendra e provincës Hubei është Wuhan-i, një qendër kryesore transporti si dhe qendër politike, kulturore dhe ekonomike e Kinës qendrore.

Prodhimet bujqësore të rëndësishme në Hubei përfshijnë pambukun, orizin, grurin dhe çajin. Hubei është i njohur në Kinë e në botë për industrinë e automjeteve, metalurgjinë, prodhimin e makinerive, energjisë, tekstileve dhe mallrave të teknologjisë së lartë.

Kuzhina e Hubei-t është gjithashtu me famë dhe pëlqehet shumë nga turistët. Provinca e Hubei-t quhet shpesh "Toka e Peshkut dhe e Orizit". Diga Sanxia është projekti më i madh i energjisë hidrike në vend dhe në botë.

Diga "Tre Grykat" (Three Gorges) është më e madhja në botë. Për ndërtimin e saj u deshën 17 vjetë dhe një fuqi punëtore prej 40 000 personash. Që ky projekt të bëhej i mundur, nga zona u zhvendosën, me sakrifica të mëdha, miliona persona. Ndërtimi i kësaj dige planifikohej prej kohësh, por fillimi i punimeve të saj erdhi si pasojë e përmbytjes shkatërrimtare të zones të vitit 1998.

Diga është 180 metra e lartë, tërësisht prej betoni dhe mund të prodhojë 1 trilionë kilovat energji elektrike në orë, ose 22 500 megavat. Ajo kapërdin 70 000 metra kub ujë në sekondë, më shpejtë se sa një makinë printimi parash, duke u shndërruar në energji elektrike. Fuqia totale e prodhimit e përcakton këtë digë si burimin më të madh të energjisë së pastër. 」

Përtej numrave e historive të suksesit, që fatmirësisht janë pjesë e jetës sonë, ajo ç'ka më preku me tepër është fryma e bashkimit dhe sakrificës që mbizotëron tek populli kinez, në çdo zone e të cilësdo grupmoshë. Këto janë veçori që i kam vënë re edhe në rrethin e personave me të cilët po punoj përditë në këtë rrugëtim përgjatë Jances. Fjalë pak e punë shumë.

Sot, përballë Digës "Tre Grykat" ne mburremi se ajo është diga më e madhe në botë, me kapacitete të jashtëzakonshme prodhimi energjie, sukses i teknogjisë moderne etj dhe ndoshta, pa qëllim, harrojmë sa djersë e lotë janë derdhur për ndërtimin e saj, ndër vite, ditë e natë, që nga inxhinierët e deri tek punëtorët e thjeshtë. Mirënjohja është virtyti që e lartëson më shumë njeriun e misionin e tij në jetë. Prandaj le të shprehim mirënjohje e të përkujtojmë gjithmonë ata punëtorë të padukshëm. Por numri i heronjve është shumë herë më i madh se kaq, pasi nuk duhen harruar kurrë banorët e thjeshtë, në vështirësi jete apo jo, që braktisën gjithçka për ndërtimin e kësaj dige që më pas ndryshoi shumë fate njerëzish. Përgjatë digës shtrihen sakrificat e jetëve të miliona njerëzve pa fjalë, por me vepra.

Përballë meje shtrihet gjerë e gjatë jo vetëm diga, por edhe ndikimi pozitiv që ajo ka patur e ka në jetët e njerëzve. Ndërsa poshtë këmbëve të mia ndodhet një qytet i tërë i përmbytur, ndaj sot e gjej veten mes dy epokave historike dhe ndiej shumë nderim për këdo që sakrifikoi jetën për një të ardhme të përbashkët më të mirë. Ajo që ne pamë sot është e mundur vetëm nga mendja e dora e njeriut. Një zhvillim i këtyre përmasave nuk sjell veç gëzim, por sjell dhimbje gjithashtu. Të mundohemi për pak çaste të përfytyrojmë nëse secili prej nesh do të sakrifikonte gjithçka për të njëjtën kauzë? Nuk është aspak e lehtë! Por e rëndësishmja është që secili nga ne, së pari, të pranojë dhe besojë se gjithçka e paimagjinueshme mund të bëhet realitet nga dora e njeriut! Siç edhe thuhet, çdo banorë i zhvendosur, në ikje, ka kthyer kokën pas tre herë, duke i kaluar para syve e gjithë jeta.

Digat e hershme janë përdorur për të kontrolluar përmbytjet dhe rrjedhjen e ujit pas shirave të dendur, kurse tani ato janë burimi më i madh i prodhimit të energjisë elektrike. Me kalimin e kohës funksioni dhe ndërtimi i tyre u sofistikua edhe më shumë, e një ndër mrekullitë e dorës së njeriut është pikërisht Diga "Tre Grykat" në lumin Jance këtu në provincën Hubei. Përfundimi i saj konsiderohet si arritje tejet e madhe e inxhinierisë moderne.

Qu Yuan ishte një poet dhe patriot shumë i shquar në periudhën e Shteteve Ndërluftuese (476-221 p.e.s). Në periudhën kur u ndërtua Diga "Tre Grykat', shumë vende historike të lidhura me Qu Yuan-in u zhvendosën në kodrat e larta përreth, ku u krijua edhe një zonë e njohur e turizmit kulturor, përkatësisht vendlindja e Qu Yuan-it.

Tempulli i Qu Yuan-it që ndodhet në Zigui të komunës Yichang të provincës Hubei, mbulon një sipërfaqe prej 82 hektarësh dhe ndodhet rreth 660 metra nga Diga Sanxia.

Qu Yuan ishte gjithashtu një politikan i madh dhe i dashur, ideolog, diplomat dhe një reformator në Kinën e lashtë. Shumë nga idetë e tij vendosnin në pozita jo të mira fisnikë të tjerë, të cilët i kërkuan mbretit të asaj kohe që të urdhëronte pushkatimin e tij. Sidoqoftë, duke mos dashur të shohë vendin e tij të pushtuar nga një vend tjetër, Qu Yuang mbyti veten. Në nder të tij u ndërtua edhe ky tempull i rëndësishëm dhe i bukur. Për të përkujtuar Qu Yuan-in përgjithmonë, njerëzit vendosën që dita kur ai vdiq të festohej, për çdo vit, si Festa e Varkës së Dragoit.

Korporata muzikore "Parsons" është e njohur në mbarë botën si një ndër kompanitë më prestigjioze të prodhimit të pianove për markat më të famshme si: "Yamaha", "Kawai", "Yangtze River", "Wilh Steinberg", "Prelude", "Ludwig" etj. Sot ndodhemi në një ndër fabrikat më të mëdha të prodhimit të pianove, në komunën Yichang të provincës Hubei, ku u njohëm jo vetëm me të gjitha fazat e prodhimit të kësaj vegle muzikore, nga qindra ekspertë dhe punëtorë të përkushtuar të fushës, por shijuam gjithashtu edhe tingujt magjikë të pianos, interpretuar nga i ftuari i veçantë i kësaj ngjarjeje, pianisti hungarez.

Mjedisi është shumë i rëndësishëm për banorët e Yichang-ut të provincës Hubei, pasi jeta e tyre në komunitet është shumë e gjallë dhe e mbushur me aktivitete. Shërbimet publike për banorët e lagjieve të Yichang-ut përfshijnë salla koncertesh, parqe lojërash për fëmijët, sheshe kërcimi për të moshuarit por jo vetëm, ambiente të mbyllura e të hapura për joga e sporte të tjera etj. Ata kujdesen veçanërisht për ambientet e përbashkëta ku shërbimet publike dhe koha e shpenzuar në to janë tejet cilësore.

Mrekulli
Lajmet Kryesore