CMG-ja: Solidariteti dhe bashkëpunimi janë armët më të forta kundër epidemisë

2020-04-28 17:41:49 CRI Komenti juaj Printoni

 "Gjatë kësaj krize, Kina ka zhvilluar aktivisht bashkëpunimin ndërkombëtar dhe ka ndarë përvojën e përballimit të epidemisë me vendet e tjera, duke marrë përsipër përgjegjësinë e një vendi të madh... Dua t'i shpreh respekt popullit kinez për trimërinë dhe seriozitetin e tij," tha ish-kryeministri i Francës Jean-Pierre Raffarin, kur vlerësoi luftën e Kinës kundër epidemisë së COVID-19.

Në një koment të saj CMG-ja vëren se, gjatë kësaj epidemie të befasishme, 1.4 miliardë kinezë janë bashkuar dhe po luftojnë me të gjitha përpjekjet, duke ndërtuar vijën e parë mbrojtëse për mbarë botën. Për këtë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres vlerësoi se sakrificat e popullit kinez për frenimin e përhapjes së virusit janë një kontribut i madh për të gjithë njerëzimin.

Në fushën e betejës kundër pandemisë, roli i Kinës është i pazëvendësueshëm.

Pas shpërthimit të COVID-19, presidenti i Kinës Xi Jinping bëri telefonata me mbi 20 liderë të vendeve të tjera dhe të organizatave ndërkombëtare, duke theksuar gjithmonë "bashkësinë e fateve të përbashkëta të njerëzimit" dhe se "solidariteti e bashkëpunimi janë armët më të forta kundër epidemisë."

Njëkohësisht, Kina ka ngulur këmbë në parimin e hapjes, transparencës dhe përgjegjësisë. Ajo ia raportoi menjëherë Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) gjendjen epidemike, ndau menjëherë me mbarë botën renditjen gjenetike të koronavirusit të ri dhe zhvilloi menjëherë bashkëpunimin ndërkombëtar mes ekspertëve për kontrollin e epidemisë.

Përfaqësuesi i OBSh-së në Kinë Gauden Galea pohoi se OBSh-ja e mori njoftimin jozyrtar nga pala kineze më 31 dhjetor të vitit të kaluar. Qysh nga 3 janari, pala kineze ua njoftoi në kohë dhe me nismën e vet informacionet për gjendjen epidemike OBSh-së dhe vendeve e organizatave përkatëse.

Kryetari i legjislaturës së 74-t të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së Tijjani Muhammad-Bande vlerësoi se Kina meriton të shërbejë si shembull për forcën udhëheqëse dhe transparencën.

Qysh nga marsi, epidemia është acaruar në mbarë globin, duke përfshirë 200 vende e rajone. Siguria globale e shëndetit publik ndodhet përpara sfidave të papara. Me këtë rast, Kina ka ofruar ndihma me sa ka mundësi. Deri më 19 prill, Kina u ka ofruar 127 vendeve, duke përfshirë Shqipërinë, dhe 4 organizatave ndërkombëtare materiale ndihme, si maska mjekësore, veshje mbrojtëse, kuti testimi të acidit nukleik, ventilatorë etj. Gjithashtu, Kina ka dërguar edhe 17 grupe mjekësore në 15 vende dhe i ka dhuruar OBSh-së 50 milionë dollarë fonde. Kina ka ndarë pa u kursyer përvojën e kontrollit të gjendjes epidemike dhe protokollet e mjekimit me komunitetin ndërkombëtar, ka krijuar në internet qendrën e posaçme të njohurive mbi epideminë e COVID-19, ka organizuar mbi 40 videokonferenca me mbi 100 vende e rajone dhe ka bashkëpunuar me bashkësinë ndërkombëtare në kërkim-zhvillimin të vaksinave e ilaçeve.

Duke mësuar prej përvojës së Kinës, në Teheran, Nju-Jork, Londër e vende të tjera u krijuan spitale të përkohshme, në shumë vende evropiane u zbatuan masat urgjente për kufizimin e lëvizjes së njerëzve, në ShBA u provua mjekimi me plazmë, në Irak të infektuarit me COVID-19 përdorin barna tradicionale kineze etj.

Clifford Lane, epidemiolog amerikan, komentoi se përvoja dhe masat e Kinës në kontrollin e gjendjes epidemike janë krijuese e ndriçuese, dhe mund të ndihmojnë vendet e tjera në shmangien e teprimeve. Bota ka më shumë nevojë se kurdoherë për përvojën e suksesshme të Kinës në këtë drejtim.

Në komentin e CMG-së thuhet se e meriton të përmendet që "fabrika e botës" po punon ditë e natë për prodhimin e materialeve për përballimin e epidemisë, që të garantojë zinxhirin global të furnizimit. Kryetari i Fondacionit "Gates", Bill Gates, është i mendimit se Kina po ndihmon vendet e tjera dhe po furnizon një pjesë të materialeve kyçe, dhe të gjitha këto do të sjellin ndryshime në luftën kundër pandemisë.

"Për të mposhtur pandeminë, duhet bashkimi, bashkimi, bashkimi!" bëri thirrje kreu i OBSh-së Tedros Adhanom Ghebreyesus.

"Kjo pandemi shërben si dëshmi e mirë për solidaritetin e botës," komentoi "The Lancet", revista me autoritet në qarqet mjekësore.

Sigurisht, virusi nuk njeh kufij shtetërorë dhe epidemia nuk bën dallim mes racave. Vetëm solidariteti, bashkëpunimi dhe ndihma e ndërsjellë do të jenë shpresa e njerëzimit për kapërcimin e krizës dhe përparimin e mëtejshëm, përfundon komenti i CMG-së. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore