CMG-ja: Çmimi i paparë i naftës, kambanë alarmi për emergjencën e kontrollit të pandemisë

2020-04-22 14:02:08 CRI Komenti juaj Printoni

Të hënën, një ndër tre çmimet bazë referencë të tregut global të naftës, WTI, shënoi një rekord të paparë në histori: -37.63 dollarë amerikanë për fuçi në kontratat me zbatim në majin e sivjetshëm, teksa më parë po atë ditë madje arriti edhe në -40.31.

Kjo është hera e parë pas nisjes në vitin 1983 të kontratave me zbatim të ardhshëm për tregtimin e naftës në Bursën e Nju-Jorkut. Sipas çmimit të mbylljes të hënën, nëse investitorët kërkojnë dërgesë fizike, shitësit e naftës duhet t'u japin blerësve 37.63 dollarë amerikanë.

Lidhur me këtë, Grupi Mediatik i Kinës (CMG) bëri një koment, ku thuhet se arsyeja kryesore e kësaj dukurie është se pezullimi ekonomik në përmasë botërore, i shkaktuar nga pandemia COVID-19, ka sjellë një rënie dramatike të kërkesës për naftë dhe kontratat me zbatim në të ardhmen e afërt nuk kanë gjetur blerës.

Sipas komentit, shqetësimet më të thella në treg vijnë nga pasiguria e situatës së përhapjes së pandemisë. Prandaj, siç vihet në dukje në raportin e FMN-së të botuar ditët e fundit, puna parësore është vënia nën kontroll e ndikimeve të epidemisë së COVID-19, sidomos shtimi i shpenzimeve në fushën e mjekimit dhe masat e mëtejshme për të pakësuar përhapjen e virusit. Vetëm kështu mund të vendosen themelet për rifillimin e zhvillimit ekonomik.

Pikërisht për këtë arsye, në ShBA, ku ka më shumë se 800 mijë të infektuar dhe mbi 40 mijë të vdekur, deklarata e qeverisë për "rihapjen" e vendit nga 1 maji me hapa të ndryshëm, ka hasur dyshime të shumta. Në një intervistë të dhënë për ABC-në, epidemiologu i njohur Anthony Fauci theksoi se vetëm në rast se virusi vihet nën kontroll, ekonomia mund të mëkëmbet, përndryshe, përpjekjet e mëparshme kundër pandemisë do të dështojnë.

Një gjë që duhet të vihet re është se, nga epidemia, disa ekonomi të reja po hasin vështirësi të mëdha. Ministri argjentinas i Ekonomisë Martin Guzman u shpreh ditët e fundit se vendi i tij ndodhet në "gjendjen faktike të mosshlyerjes së borxheve". Analistët janë të shqetësuar se po të vazhdojë pezullimi i ekonomisë, Argjentina mund të jetë vendi i parë që do të falimentojë nga epidemia. Ndërkohë, disa vende, si India, shqetësohen se masat e kontrollit mund të vështirësojnë më tej jetesën e njerëzve me të ardhura të ulëta. Të rrezikosh jetën për punën apo të shmangësh infektimin duke rrezikuar jetesën, kjo është një zgjedhje mizore para së cilës gjenden njerëzit në shumë vende në zhvillim.

Virusi nuk ka kufi. Forca masive shkatërruese e tij e ka vërtetuar këtë. Sekretari i Përgjithshëm i OBSh-së Tendros Adhanom Gheybreyesus deklaroi të hënën se "kohë më të këqija do të vijnë". Për këtë arsye, CMG-ja bën përsëri thirrje në komentin e vet për më shumë bashkëpunim global, qoftë në luftën kundër virusit, ashtu edhe për rimëkëmbjen e ekonomisë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore