CMG-ja: ShBA, ndalo shpifjet!

2020-04-03 15:01:26 CRI Komenti juaj Printoni

Ditët e fundit, në një intervistë për CNN-in, zv.presidenti amerikan Mike Pence, duke iu përgjigjur pyetjes se përse reagimi i ShBA-së ndaj epidemisë ishte aq i ngadaltë, u shpreh që "nëse Kina do të na ofronte të dhëna më të plota, situata jonë do të ishte më e mirë". Ndërsa kryediplomati amerikan Mike Pompeo ritheksoi qëndrimin e "përhapjes së informacioneve të rreme nga Kina" mbi epideminë.

Këto komente, zëdhënësja e diplomacisë kineze Hua Chunying i kundërshtoi me fakte dhe kritika për mbi dhjetë minuta në një konferencë shtypi të organizuar të enjten në Pekin.

Zakonisht, për shkak të kufizimit të kohës, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme nuk harxhon shumë kohë për një pyetje. Por, ky reagim i rrallë dhe i fortë pasqyron në mënyrë të dukshme zemërimin e palës kineze.

Në një koment të publikuar të enjten nga Grupi Mediatik i Kinës thuhet: "Me një sërë faktesh dhe fjalë të ashpra, zëdhënësja i kritikoi veprimet e pacipa dhe të pamoralshme të disa politikanëve amerikanë, që shpërfillin jetën dhe sigurinë e qytetarëve, duke i vënë qëllimet politike në krye të agjendës së tyre. Shpifjet e tyre kanë shkelur vijën fundore morale dhe kanë shkaktuar zemërimin e jashtëzakonshëm të Kinës."

Mbi kritikat e palës amerikane kundër Kinës, OBSh-ja ka reaguar disa herë. Në një konferencë shtypi të organizuar para tre ditësh, drejtori ekzekutiv i Programit të Emergjencave Shëndetësore të OBSh-së Michael Ryan i hodhi poshtë akuzat për "jotransparencën" e të dhënave të Kinës. Ai paralajmëroi se vendet e ndryshme nuk duhet t'ia vënë fajin për situatën e epidemisë mosbashkëpunimit e mostransparencës.

Muajin e kaluar, përfaqësuesi i OBSh-së në Kinë, Gauden Galea, paraqiti programin kohor të raportimit të Kinës në një periudhë të hershme. Më 31 dhjetor, Zyra e OBSh-së në Kinë mori njoftim jozyrtar nga Kina. Më 3 janar, Kina raportoi në mënyrë zyrtare dhe në të njëjtën kohë u krijua grupi i reagimit emergjent i OBSh-së. Nga 20 deri më 21 janar, ekspertët e OBSh-së bënë vizitën e parë në terren në Wuhan.

"Por, para paralajmërimit dhe njoftimit të hershëm të Kinës, çfarë bëri qeveria amerikane?", pyet në komentin e vet CMG-ja.

Si personi i ngarkuar për të drejtuar punën për parandalimin e epidemisë në ShBA, a mund të japë një shpjegim Pence se përse studiuesja e sëmundjeve ngjitëse në Universitetin e Uashingtonit, Helen Y. Chu, që dha paralajmërim në janarin për epideminë dhe bëri thirrje për bërjen e më shumë testimeve në shkurt u kërkua të rrinte gojëmbyllur? A mund të përgjigjet kryediplomati amerikan Mike Pompeo se, pas shpërthimit të epidemisë, cilat janë kontributet e tij për bashkëpunimin ndërkombëtar kundër epidemisë dhe për të siguruar shëndetin publik të amerikanëve? Përse që nga 2 marsi Qendra e Kontrollit të Sëmundjeve e ShBA-së ndaloi publikimin e të dhënave për numrin e të testuarve dhe të të vdekurve?

Njëkohësisht, kjo konfirmon edhe informacionin e publikuar në ubsajtin e lajmeve politike të ShBA-së "The Daily Beast" se, sipas një mesazhi sekret, Shtëpia e Bardhë po planifikon të organizojë disa institucione federale për të sulmuar bashkërisht Kinën që ka fshehur gjendjen epidemike dhe ka prodhuar pandeminë globale, duke u kërkuar atyre që të theksojnë se të gjitha kanë lidhje me Kinën. Në këtë raport thuhet gjithashtu se ShBA-ja orvatet të heqë nga vetja kritikat për pamjaftueshmërinë e punës së parandalimit të epidemisë nëpërmjet theksimit të të ashtuquajturave "gabime të Kinës".

Mund të shikojmë se aktualisht disa politikanë amerikanë po nxitin me të gjitha forcat këtë plan, duke u orvatur ta bëjnë Kinën një "kokë turku".

Ditët e fundit, gazeta "Uashington Post" bëri një koment, ku thuhet se, nga ushtrimi i presionit ekstrem ndaj Iranit deri në fajësimin e Kinës, duke kërkuar të shtohet emërtimi 'virusi i Wuhan-it' në deklaratën e përbashkët të samitit të ministrave të jashtëm të G7-s, këto veprime e bëjnë Pompeon një nga sekretarët e shtetit më të këqinj në historinë e ShBA-së.

Parandalimi i epidemisë është një emergjencë e madhe. Disa politikanë të pafytyrë amerikanë duhet të ndalojnë menjëherë shpifjet e tyre që paguhen me jetën e masave popullore dhe të mësojnë të vënë në vendin e parë jetën dhe sigurinë e njerëzve, përfundon komenti i CMG-së.(Vera)

Mrekulli
Lajmet Kryesore