Tarifat e ShBA-së, Kina e përgatitur për përballim të gjithanshëm

2019-05-13 14:30:57 CRI Komenti juaj Printoni

Pas vendosjes së tarifave shtesë nga ShBA-ja nga 10% në 25% mbi mallrat kineze të importuara në ShBA me vlerë 200 miliardë dollarë, pala amerikane kërcënoi se do të nisë procesin përkatës për shtimin e tarifave të mbetura ndaj mallrave kineze të importuara në ShBA në vlerën e 325 miliardë dollarëve amerikanë dhe do të publikojë së shpejti listën.

Ndërkohë, konsultimi i 11-të i nivelit të lartë ekonomiko-tregtar kino-amerikan përfundoi në Uashington dhe palët shprehën vullnetin për vijimin e këtyre konsultimeve.

Pala amerikane përpiqet të arrijë sa më shumë përfitime nëpërmjet tarifave dhe vijimit të bisedimeve. Për këtë, anëtari i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, zv.kryeministri dhe drejtuesi i palës kineze në Dialogun e Gjithanshëm Ekonomik Kinë-ShBA Liu He tha se tre shqetësimet kryesore të Kinës duhet të zgjidhen.

Së pari, duhet të anulohen të gjitha tarifat shtesë, pasi tarifat janë pikënisja e fërkimeve tregtare mes dy palëve. Nëse arrihet një marrëveshje, tarifat duhet të anulohen. Së dyti, numri i blerjeve tregtare duhet të jetë në përputhje me gjendjen aktuale dhe së treti, duhet të përmirësohet teksti i marrëveshjes sepse çdo vend ka dinjitetin e vet dhe marrëveshja duhet të jetë e ekuilibruar. Për këto, pala kineze, tha z. Liu He, nuk do të bëjë asnjë kompromis.

Duke rishikuar procesin e bisedimeve ekonomiko-tregtare Kinë-ShBA më shumë se një vit, dy palët kanë arritur përparime të rëndësishme. Pala kineze e rithekson se ka nxitur gjithnjë konsultime mbi parimin e sinqeritetit, pasi ajo e di se nuk ka fitues nga lufta tregtare. Shtimi i tarifave nuk është në favor të interesave dypalëshe e as të botës dhe se bashkëpunimi është zgjidhja e vetme e duhur. Por bashkëpunimi zhvillohet me parime dhe 3 shqetësimet kryesore të palës kineze duhet të gjejnë zgjidhje.

Nëse pala amerikane ngul këmbë për shtimin e tarifave, Kina do të përgjigjet me vendosmëri me kundërvepruese. Pala kineze e di qartë se shtimi i tarifave të palës amerikane, është një strategji "vetëvrasëse". Sipas një raporti të publikuar nga Kompania "Partneriteti Botëror Tregtar" në shkurt, thuhet se nëse qeveria amerikane shton 25% tarifa për mallrat e importuara nga Kina me vlerë 250 miliardë dollarë, kjo do të shkaktojë humbjen e 934 mijë vendeve të punës, shpenzimet vjetore të çdo familjeje me 4 anëtarë do të shtohen me 767 dollarë. Ndërsa, shtimi i tarifave të mbetura 25% për produktet kineze prej 325 miliardë dollarësh, do të shkaktojë humbjen e më shumë se 2.1 milionë vendeve të punës dhe shpenzimet vjetore të çdo familjeje amerikane me 4 pjesëtarë do të shtohen me 2 mijë dollarë.

Si palë e detyruar të marrë masa kundërvepruese, sigurisht që ekonomia kineze do të preket nga presioni i shtimit të tarifave, por ky presion nuk është jashtë kontrollit.

Sipas strukturës ekonomike kineze, përqindja e kontributit të konsumit për rritjen e PBB-së është 76.2%, ndërsa përqindja e mbështetjes së eksportit u ul në 17.9%. Pra, kërkesa e brendshme është mbështetje e fortë për Kinën në përballimin e pasigurive të mjedisit të jashtëm.

Lidhur me gjendjen e tregtisë, në 4 muajt e parë të këtij viti, vëllimi tregtar kino-amerikan u ul 11.2%, ndër to, vlera e eksportit të Kinës në ShBA-në u ul 4.8%, dhe ajo e importit të produkteve amerikane në Kinë u ul 11.2%. Këto shifra tregojnë se produktet e eksportuara nga ShBA-ja në Kinë janë të zëvendësueshme. Ndërkohë, suficiti tregtar kino-amerikan u zgjerua 10.5%, që do të thotë se shtimi i tarifave nuk mund të zgjidhë çekuilibrin tregtar dypalësh, por vetëm do të shkaktojë dëme monetare për konsumatorin amerikan.

Prandaj, nuk ka asgjë për t'u frikësuar nga presioni ekstrem i ushtruar nga Shtetet e Bashkuara. Përkundrazi, sa më i lartë presioni, aq më i fortë besimi i qeverisë kineze për ta përballuar. (Fang Xiaoyu)

Mrekulli
Lajmet Kryesore