Lindshmëria e ulët, problem përpara mbarë botës

2019-04-06 11:45:13 CRI Komenti juaj Printoni

Sipas një vendimi të qeverisë së Shqipërisë, nga 1 janari i këtij viti, për fëmijën e parë të një çifti do të ketë një shpërblim 40 mijë lekë, për të dytin 80 mijë lekë dhe për të tretin 120 mijë lekë. Kjo politikë e re për inkurajimin e lindjeve synon frenimin e prirjes së uljes së lindshmërisë në vend.

Përpara një prirjeje së tillë ndodhet jo vetëm Shqipëria, por edhe Kina. Vlerësohet se në Kinë mbi 200 milionë veta janë beqarë dhe mosha e martetës dhe ajo e lindjes janë shtyrë gjithnjë e më shumë.

Sipas të dhënave statistikore, gjatë periudhës së viteve 1990 deri më 2017, mosha mesatare e martesës së parë të grave në moshë lindjeje u shty me katër vjet, d.m.th. nga mosha 21.4 vjeçe në 25.7 vjeçe. Mosha e martesës së parë ka mundësi të shtyhet më tej. Me shtyrjen e moshës së martesës, shtyhet edhe mosha e lindjes. Pikërisht gjatë këtyre 27 vjetëve, mosha mesatare e lindjes së parë të grave kineze në moshë lindjeje u ngrit nga 23.4 vjeçe në 26.8 vjeçe.

Një prirje e tillë i ka shqetësuar shumë prindërit kinezë, që i konsiderojnë fëmijët si lumturia e jetës, nga këndvështrimi tradicional. Por në fakt, gjithnjë e më shumë të rinj në botë parapëlqejnë beqarinë.

Nga të dhënat statistikore të Qendrës Kombëtare të Parandalimit dhe Kontrollit të Sëmundjeve të ShBA-së del se, nga viti 1980 deri më 2017-n, mosha e martesës së parë të meshkujve amerikanë u ngrit nga 24.7 në 29.5, ndërsa ajo e femrave nga 22 në 27.4, ndërkohë edhe mosha e lindjes së parë u shty nga 22.7 në 26.8. Përqindja e meshkujve dhe femrave të pamartuara u ngrit përkatësisht nga 29.6% dhe 22.5% në 34.9% dhe 29.3%.

Një prirje e tillë nuk është dukur vetëm në vendet e zhvilluara. Sipas një sondazhi në 35 vendet anëtare të Organizatës së Zhvillimit dhe Bashkëpunimit Ekonomik e katër vende joanëtare: Maltë, Kroaci, Bullgari dhe Rumani, në periudhën e viteve 1990-2016 mosha e martesës së parë pati prirje ngritjeje, si në vendet e zhvilluara, si ShBA, Britani, Francë, Gjermani, ashtu edhe në ekonomitë e reja, si Kili, Meksikë, Turqi etj.

Shumë shkaqe e vonojnë moshën e martesës së të rinjve.

Së pari, zgjatja e afatit të arsimimit e ka shtyrë moshën e martesës nga ana objektive. Së dyti, përballë presionit të punësimit dhe të ekonomisë, të rinjtë e tanishëm duhet të harxhojnë më shumë kohë për të siguruar një jetesë të qëndrueshme, në krahasim me brezin e kaluar. Së treti, në krahasim me të rinjtë që banojnë në qytete të vogla, të rinjtë në metropole nuk kanë marrëdhënie të ngushta me njëri-tjetrin dhe kjo u shton vështirësinë për krijimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe për lidhjen në martesë. Së katërti, në krahasim me prindërit e tyre, të rinjtë, veçanërisht ata që kanë lindur pas viteve '90, krijojnë më ngadalë marrëdhënie të qëndrueshme, sepse harxhojnë më shumë kohë dhe energji në takim, por jo në premtim. Nga të dhënat del se gjatë viteve nga 2005 deri më 2012, një e treta e çifteve të reja amerikane e njohën njëri-tjetrin nëpërmjet uebsajteve të takimeve, kurse gjatë dy vjetëve të kaluar, paratë që të rinjtë harxhuan për aplikacione të takimeve u trefishuan. Krahas kësaj, gratë në karrierë tregohen më të matura për martesën dhe lindjen e fëmijëve, për të ekuilibruar marrëdhëniet midis familjes dhe punës.

Me vonesën e moshës së martesës, edhe mosha e lindjes është vonuar, që nënkupton uljen e lindshmërisë. Zakonisht, vonimi i moshës së lindjes së parë me një muaj sjell një ulje afro 8% të lindshmërisë. Sipas të dhënave nga OKB-ja, aktualisht në Amerikën e Veriut, mesatarisht katër veta mbështetin një pensionist, në vendet evropiane shifra ulet në tre, ndërsa në Japoni pak më shumë se dy. Deri në vitin 2050, një e katërta e popullsisë së mbarë botës do të jetë mbi 60 vjeç dhe disa vende aziatike e latinoamerikane do të përballen me problemin që do të ketë më pak se dy të punësuar për një pensionist. Kjo nënkupton se shumë vende do të përballojnë presion kolosal financiar dhe ngadalësim të ekonomisë.

Sigurisht, beqaria apo martesa është alternativa e lirë e individëve. Pakësimi i numrit të martesave është dukuri e domosdoshme e zhvillimit ekonomik e shoqëror dhe shoqëria duhet të respektojë zgjedhjet e shumëllojshme dhe personale të të rinjve. Por nga ana tjetër, nuk mund të mohohet se ulja e martesave ndikon në lindshmërinë dhe numrin e lindjeve dhe shkakton plakjen e shoqërisë e pakësimin e gjallërisë shoqërore, duke penguar në përfundim zhvillimin ekonomik.

Mrekulli
Lajmet Kryesore