"Gallup": Kina e kalon ShBA-në për forcën ndikuese globale

2019-03-18 14:30:15 CRI Komenti juaj Printoni

Sipas një sondazhi të fundit nga "Gallup"-i, agjencia e njohur amerikane e sondazheve, 34 % e publikut të mbarë botës e përkrahin udhëheqjen globale të Kinës, dhe vetëm 31% atë të ShBA-së. Kjo është e dyta herë që Kina e kaloi ShBA-në në aftësinë drejtuese globale, pas krizës financiare ndërkombëtare të vitit 2008.

Ky sondazh për udhëheqjen globale të Kinës, ShBA-së, Rusisë dhe Gjermanisë, u zhvillua në 134 vende e rajone të botës. Sipas raportit të sondazhit, në Evropë, Azi dhe Afrikë, më shumë banorë e pranojnë Kinën sesa ShBA-në si udhëheqëse të botës, ndërsa kjo përqindje është më e lartë në Afrikë, duke arritur 53%.

Dihet nga të gjithë se, si pasojë e krizës së kredive hipotekore të kategorisë së dytë në ShBA, në vitin 2008 e gjithë bota hyri në krizën më të rëndë financiare në histori. Atë vit Kina, e mbështetur te lufta këmbëngulëse 30-vjeçare e Reformës e Hapjes, u bë forca kryesore shpëtimtare për ekonominë botërore dhe motivi i fuqishëm për nxitjen e rritjes ekonomike botërore. Po atë vit, sondazhi i "Gallup"-it tregoi për herë të parë se forca ndikuese e Kinës e kapërceu atë të ShBA-së.

Sot, dhjetë vjet pas krizës financiare të vitit 2008, me kontributin e Kinës, ekonomia botërore ka dalë gradualisht nga kriza dhe ka pasur prirjen e rritjes së ngadalshme, por të qëndrueshme. Por prej kohësh, një pjesë e vendeve perëndimore nuk kanë vlerësuar si duhet shpërndarjen jo të arsyeshme të pasurive brenda vendit, gjë që shkakton thellimin e hendekut të pasurisë midis të pasurve dhe të varfërve, shtimin e borxheve dhe ngritjen e populizmit.

Në ShBA, administrata në fuqi ka si objektiv vetëm "Amerika e para" dhe u tërhoq nga shumë marrëveshje e organizata ndërkombëtare. Në Evropë, largimi i Britanisë nga BE-ja, që nuk ka gjetur ende rrugëzgjidhje, ka sjellë ndarjen e shoqërisë, dhe lëvizja e "Jelekëve të verdhë" dogji Francën dhe u përhap edhe në disa vende të tjera evropiane. Në Afrikën e Veriut dhe në Lindjen e Mesme, varfëria, "revolucionet e ngjyrës" të fabrikuara nga ShBA-ja dhe Evropa, trazirat e brendshme, si dhe luftërat civile i kanë detyruar njerëzit që, duke rrezikuar jetën, t'ua lënë fatin e vet në dorë shkretëtirave të nxehta dhe varkave të vogla nëpër dallgët e egra të Mesdheut.

Në këtë situatë në ndryshim, të paparë gjatë njëqind vjetëve në botë, vendet e ndryshme kanë nevojë jo vetëm për zhvillim paqësor, por edhe për model zhvillimi në përshtatje me kushtet e veta konkrete, për raste zhvillimi, si dhe për forcë të fuqishme udhëheqëse. Me këtë rast, njerëzit e kthyen vështrimin përsëri nga Kina.

Vitet e fundit, Kina ka këmbëngulur në konceptin e ri të zhvillimit novator, të bashkërenduar, të gjelbër, të hapur dhe me përfitime të përbashkëta. Si rezultat, dhjetëra milionë të varfër janë shkëputur nga varfëria nëpërmjet "ndihmës së përpiktë". Ndërkohë, Kina ka krijuar edhe një platformë bashkëpunimi me leverdi e përfitime të përbashkëta për mbarë globin dhe 123 vende e 29 organizata ndërkombëtare nënshkruan me radhë me Kinën dokumentin e bashkëpunimit në kornizën e nismës "Një brez, një rrugë", e cila është bërë produkti publik më i mirëpritur në qeverisjen globale. Ashtu siç tha ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi, në saje të projekteve të nismës "Një brez, një rrugë", Afrika Lindore ka tani autostradën e parë, në Maldive u krijua ura e parë ndërdetare, në Bjellorusi nisi prodhimi i automjeteve, ndërsa Kazakistani ka për herë të parë dalje në det. Në Kenia, vënia në punë e hekurudhës Mombasa-Najrobi, që quhet "vepra e shekullit", ka krijuar afro 50 mijë vende pune dhe ka nxitur 1.5 % të rritjes ekonomike të vendit.

Në një raport të publikuar vitin e kaluar nga instituti i famshëm i studimit të politikave "Brookings" shprehet mendimi se projektet me investime kineze mund të sheshojnë rrugën për rritjen globale gjithëpërfshirëse. Duke iu referuar hulumtimeve të studiuesve për 4300 projekte kineze në 138 vende, në raport zbulohet se pothuajse të gjitha projektet kineze u kanë sjellë vendeve përkatëse përfitimet e rritjes. Nga pamja e llambave natën, e kapur nga satelitët, del se projektet kineze jo vetëm kanë nxitur lulëzimin e vendit ku ndodhen, por kanë ndikuar pozitivisht edhe në rajonet përreth.

Këto fakte vërtetojnë se konceptet kineze për qeverisjen globale, si "marrëdhëniet e reja ndërkombëtare" me "bashkëpunimi me përfitime të përbashkëta" si thelb, dhe krijimi i "bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit", janë mirëpritur gjerësisht në bashkësinë ndërkombëtare dhe janë bërë vlera thelbësore e aftësisë udhëheqëse globale të Kinës. Ky fakt ndoshta do t'i zgjojë ata që veprojnë sipas ligjit të xhunglës.

Ashtu si tha në parathënien e raportit të këtij sondazhi Jon Clifton, partneri menaxhues i agjencisë "Gallup", "Nëse 'fuqia e fortë e një vendi pasqyrohet në forcën ekonomike e ushtarake, atëherë fuqia e tij e butë mishërohet në forcat jolëndore, një forcë pas së cilës njerëzit shkojnë me dëshirë, jo me detyrim." (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore