Çfarë do t'i sjellë Kinës Zona e Madhe e Gjirit GHM?

2019-02-25 10:30:49 CRI Komenti juaj Printoni

Më 18 shkurt në mbrëmje, autoritetet kineze publikuan Projektplanin e Zhvillimit të Zonës së Madhe të Gjirit Guangdong-Hong Kong-Makao (GHM). Në këtë dokument me 25 mijë hieroglife kineze bëhen planifikimi afatshkurtër deri në vitin 2020 dhe ai afatgjatë deri më 2035. Çfarë rëndësie ka një plan i tillë për Gjirin Guangdong-Hong Kong-Makao dhe për mbarë Kinën?

Instituti Kërkimor i Politikave Publike pranë Universitetit të Teknologjisë të Kinës Jugore filloi studimin dhe propozimin për këtë plan qysh nga viti 2016. Ditët e fundit, gazetari i medies elektronike "Knight Island" intervistoi profesorin Zheng Yongnian, drejtori i këtij instituti. Më poshtë është përmbajtja kryesore e intervistës.

Knight Island: Në vitin 2016, ju dhe kolegët tuaj të Institutit Kërkimor të Politikave Publike, si një institut i studimit të politikave, i dorëzuat qeverisë qendrore një raportpropozim për këtë zonë gjiri. Nga këndvështrimi i qeverisë qendrore, cilat synime të mundshme ka planifikimi i Zonës së Madhe të Gjirit Guangdong-Hong Kong-Makao?

Zheng Yongnian: Sipas meje, kjo zonë e madhe të gjirit do të mësojë jo vetëm nga zonat e tjera të mëdha të gjirit në botë, si ato të Nju-Jorkut, San Franciskos e Tokios, por duhet të marrë edhe përvojën e BE-së, të zonës së dikurshme të tregtisë së lirë të Amerikës Veriore, si dhe të Marrëveshjes së Partneritetit të Trans-Paqësorit (TPP), që po diskutohej.

Pse? Sepse, ashtu si këto zona, edhe zona Guangdong-Hong Kong-Makao ndodhet përpara problemit të integrimit të burimeve.

Qytetet e Guangdong-ut duhet të përfundojnë modelin e zhvillimit ekstensiv, të kapërcejnë "kurthin e nivelit të mesëm të të ardhurave" dhe të bëjnë novacion në fusha të ndryshme. Hong-Kongu e ka transferuar manifakturën në rajonin e Deltës së Lumit të Perlave dhe në këtë rajon ka mbetur vetëm dega e shërbimit financiar, kështu që zhvillimi i tij ndodhet në "ngushticë". Për Makaon problemi ka qenë një industria e vetme. Prandaj, të tre rajonet kanë dilemat e tyre, të cilat e kanë të vështirë t'i zgjidhin vetë.

Nëse bashkohen elementet e të tre rajoneve, do të ketë një situatë krejt të ndryshme. Kjo gjendje i ngjan strukturës së BE-së, d.m.th., secili anëtar nuk është shumë i fuqishëm në mënyrë të vetme, por kur ata bashkohen, lëvizin rrjedhshëm të gjithë elementet, si njerëzit, kapitalet, teknologjia etj.

P.sh., Hong-Kongu ka shumë teknologji të reja, por nuk ka treg. Rajoni i Deltës së Lumit të Perlave ka një treg kolosal, por nuk ka epërsi në teknologji. Hong-Kongu dhe Makaoja kanë përvojë të pasur në degën e shërbimeve, por gjithashtu nuk gjejnë treg të mjaftueshëm. Hong-Kongu me vetëm 8 milionë banorë, ka tetë universitete shumë të mira, ndërsa në qytetin Shenzhen, që kufizohet me Hong-Kongun, 20 milionë banorë nuk zotërojnë një universitet aq të mirë si në Hong-Kong, madje në mbarë provincën Guangdong, me 100 milionë banorë, ka vetëm dy universitete shumë të mira. Pse të mos integrohen të gjitha burimet?

Historikisht, BE-ja ka luajtur një rol shumë të madh në rimëkëmbjen e Evropës nga kaosi i Luftës së Dytë Botërore. Sigurisht, BE-ja ndodhet përpara edhe shumë problemeve, si pasojë e mungesës së ndërmjetësimit të një subjekti real që kapërcen qeveritë sovrane.

Nga ky këndvështrim, Zona e Madhe e Gjirit Guangdong-Hong Kong-Makao mund të shmangë të metën e BE-së, që do të thotë se Guangdong-u, Hong-Kongu dhe Makao janë në "dy sisteme", por i përkasin "një vendi" dhe qeveria qendrore mund të bëjë ndërmjetësim. Mund të themi se Zona e Madhe e Gjirit duhet të bëhet "BE-ja brenda Kinës", që të ndjekë standardet e larta dhe metodat e mira të BE-së dhe njëkohësisht të shmangë mungesën e ndërmjetësimit në BE.

Knight Island: Nga të dhënat statistikore, Zona e Madhe e Gjirit Guangdong-Hong kong –Makao është një nga rajonet më të zhvilluara në botë. PBB-ja e këtij rajoni është afro 10 trilionë juanë, sa i Zonës së Gjirit të Nju-Jorkut dhe dyfishi i asaj të Zonës së Gjirit të San Franciskos. Ndërkohë, vëllimi i import-eksportit këtu është tre herë më i madh se ai i Zonës së Gjirit të Tokios dhe vëllimi i ngarkim-shkarkimit të konteinerëve 5 herë më shumë se vëllimi i përgjithshëm i këtyre tre zonave të tjera. Megjithatë, keni theksuar më se një herë se duhet të mos e vështrojmë këtë zonë vetëm nga këndvështrimi i ekonomisë. Përse?

Zheng Yongnian: Zona e Madhe e Gjirit Guangdong-Hong Kong-Makao me siguri do ta nxitë zhvillimin e ekonomisë, por duhet të kapërcejmë mendësinë e thjeshtë ekonomike. Kjo zonë duhet të bëhet modeli i ardhsëm i modernizimit të Kinës.

Ç'është forca konkurruese e një vendi? Duke folur për forcën konkurruese të ShBA-së, na shkon ndër mend "Silicon Valley", që është platformë. Zhvillimi i një vendi ka nevojë për shumë platforma të operueshme. Konkurrenca e ardhshme në botë është konkurrenca për kapitale cilësore. Me cilat epërsi mund të thithë Kina kapitale cilësore nga bota? Me një platformë të madhe.

Kryetari Xi Jinping tha se Kina duhet të thellojë më tej reformën dhe të hapet më tej, që të kapërcejë proteksionizmin dhe nacionalizmin ekonomik. Zona e Madhe e Gjirit Guangdong-Hong Kong-Makao është pikërisht një projekt i tillë. Nëse kjo zonë do të ketë sistem të përsorur, lëvizje të lirë të elementeve të ndryshme, teknologji, treg, kapitale dhe legjislacion, ajo do të ketë forcë tepër të madhe tërheqëse për kapitalet cilësore kineze dhe të huaja. Besoj se "Wall Street"-u nuk do të heqë dorë nga kjo platformë dhe Evropa e Japonia nuk do ta shpërfillin.

Knight Island: Keni treguar vëmendje edhe për rolin e kësaj zone për thellimin e parimit "Një vend, dy sisteme"?

Zheng Yongnian: Po. Themi se nuk do të ndryshojë sistemi në Hong-Kong dhe në Makao, por njëkohësisht do të përshtatemi me njëri-tjetrin. Nuk do të kopjojmë sistemin e ShBA-së dhe të BE-së, por do të kemi sistemin tonë të ri në bazë të mësimit dhe të praktikës. Nuk mund të themi që të ruhet sistemi ekzistues në Hong-Kong e Makao deri në fund të vitit të 49-të, dhe të ndryshojë automatikisht në vitin e 51-të. Kjo do të ishte një lëkundje e madhe. Prandaj, nuk mund ta kuptojmë këtë parim mekanikisht.

Tani krahinat e brendshme e Kinës, Hong-Kongu dhe Makaoja po përshtaten me njëra-tjetrën dhe janë në ndryshim e sipër. Kultura dhe gjuha në këto tre pjesë janë të njëjta dhe nuk ka asnjë pengesë. Palët mund të bashkëveprojnë në fushat ekonomike e shoqërore, drejt një të ardhmeje më të mirë.

Knight Island: Në 11 qytetet e kësaj zone ka sisteme të ndryshme politike e shoqërore, prandaj ka shumë vështirësi në integrimin e tyre. Cila është vështirësia kryesore?

Zheng Yongnian: Pengesa administrative. Në fazën e zhvillimit fillestar me zgjerim të thjeshtë, secili qytet kishte mjaft hapësirë zhvillimi dhe veproi me proteksionizëm lokal. Kjo është e domosdoshme gjatë procesit të zhvillimit ekonomik. Kështu ndodhi edhe në ShBA. Por tani për zgjerimin e thjeshtë nuk ka më hapësirë dhe të gjithë ndodhen përpara dilemave, prandaj duhet të kapërcejnë proteksionizmin lokal. Pse në Guangdong, Hong-Kong dhe Makao nuk ka luajtur rol vendimtar tregu? Ky është shkaku kryesor.

Duhen ende shumë kërkime në detaje. P.sh., si zbatohet viza "Shengen"? Si integrohen 26 zonat doganore në BE? Si bashkëveprojnë sistemet e ndryshme ligjore në BE? Shumë metoda të përparuara të BE-së kanë vlerë për t'u mësuar nga ne.

Detajet do të çlirojnë forcat prodhuese. Guangdong-u, Hong-Kongu dhe Makao janë në të njëjtin vend, por tani kemi nevojë t'i zgjidhim problemet nga ana teknike. Aktualisht, sistemet e ndryshme përbëjnë pengesa, të cilat kanë mundësi të shndërrohen edhe në raste dhe epërsi. Këtu nuk është problemi i thjeshtë i aneksimit të një pale nga pala tjetër, por kërkimi i një alternative më të mirë në bazë të shkrirjes së sistemeve të ndryshme.

Më e rëndësishmja është se tregu duhet të luajë rol vendimtar.

Mrekulli
Lajmet Kryesore