"Toka endacake", filmi fantastiko-shkencor kinez që po habit botën

2019-02-20 17:02:40 CRI Komenti juaj Printoni

Qysh nga 5 shkurti, dita e parë e Vitit të Ri Kinez, filmi kinez "Toka endacake" (The Wandering Earth) filloi të shfaqej në mbarë globin, përfshirë Kinën, Amerikën e Veriut dhe Australinë.

Në Kinë, "Toka endacake", filmi i parë fantastiko-shkencor kinez, fitoi 2.2 miliardë juanë (afro 330 milionë dollarë amerikanë) të ardhura nga shitja e biletave, vetëm gjatë shtatë ditëve të pushimit me rastin e Festës së Pranverës. Filmi gjithashtu është pëlqyer nga shikuesit amerikanë e australianë. Të marrim si shembull uebsajtin e porositjes së biletave të një kinemaje në Nju-Jork. Ndër 15 shfaqjet e filmit më 11 shkurt, u shitën të gjitha biletat në orët më të ndjekura.

"Toka endacake" quhet nga regjisori i tij Guo Fan "topi i vogël e i dobët". Ndoshta ai nuk e parashikonte se filmi i tij do të vlerësohen me 8, një notë e lartë, nga uebsajti i njohur i kritikës së filmave IMDb (Internet Movie Database).

Filmi mori urime edhe nga James Cameron, regjisori i njohur amerikan i filmave "Avatar", "Titanik" dhe shumë filmave fantastiko-shkencorë. Në llogarinë e tij në rrjetin social kinez "Weibo", Cameron-i, regjisori që shpesh "i drejton amerikanët për shpëtimin e Tokës", i uroi sukses shfaqjes së filmit dhe sektorit të filmit fantastiko-shkencor në Kinë.

Shumë media të huaja kanë folur në veçanti për rëndësinë e madhe të filmit "Toka endacake", duke komentuar se ky është një përparim i Kinës në filmin fantastiko-shkencor dhe se kinezët kanë filluar të kenë vetëbesim se mund të sfidojnë filmat fantastiko-shkencorë të "Hollivudit", me mënyrën e vet të rrëfimit.

"The New York Times" vëren se, në kërkimin hapësinor, Kina ka qenë e vonuar, ndërsa në industrinë kinematografike, Kina është gjithashtu ka qenë e vonuar në fushën e filmit fantashkencor. Por "kjo situatë do të ndryshojë," komentoi "The New York Times".

Në komentin e gazetës britanike "Financial Times" thuhet se me filmin "Toka endacake", Kina kërceu menjëherë në fushën e filmit fantastiko-shekncor, duke shfaqur vetëbesimin e fuqishëm të kineastëve kinezë, të cilët janë në gjendje të sfidojnë "Hollivudin", që e ka monopolizuar këtë fushë.

Uebsajti i njohur amerikan për shkencën e teknologjinë "The Verge" u shpreh se filmi "Toka endacake" pasqyron pamjen e re të filmave kinezë, që do të thotë shikimi drejt së ardhmes, ndryshe nga filmat historike kinezë. "The Verge" analizon se "Toka endacake" është mbresëlënës, sepse krahas pamjeve madhështore, të cilat janë të njohura për shikuesit amerikanë, filmi tregon vëmendje edhe për rëndësinë e familjes dhe vlerën e madhe të sakrificës, thekson veprimet kolektive përballë sfidave globale, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit midis shteteve. "Kina ka hyrë në klubin e prodhimit të filmave fantastiko-shkencorë me kosto të lartë dhe shpreson se kjo do ta çojë zërin e saj në tregun global," komentoi "The Verge".

Historia e "Tokës endacake" ndodh në të ardhmen e largët, kur shkencëtarët zbulojnë se Dielli po vjetrohet dhe fryhet shumë shpejt dhe brenda një kohe të shkurtër do të "gëlltitë" tërë sistemin diellor, përfshirë Tokën. Për ta shpëtuar veten, njeriu paraqet një plan të guximshëm me titull "Toka endacake", që do të thotë që, me përpjekjet e mbarë globit, të krijohen qindra mijë motorë, për ta bërë Tokën të shkëputet nga sistemi diellor dhe për të kërkuar një tjetër vatër të përshtatshme banimi në 2500 vjetët e ardhshëm.

Filmi "Toka endacake" është krijuar në bazë të romanit të shkrimtarit kinez të letërsisë fantastiko-shkencore Liu Cixin, i cili fitoi Çmimin "Hygo" në vitin 2015. Ky çmim konsiderohet si Çmimi "Nobel" për letërsinë fantastiko-shkencore.

Në artikullin e tij të publikuar në uebsajtin e kritikës së filmave "Flicks", kritiku australian i filmave Travis Johnson komentoi se personazhet kryesore në filmin "Toka endacake" janë një grup njerëzish që bashkërendohen dhe bëjnë të gjitha përpjekjet për arritjen e një objektivi. Në situatën shumë të rrezikshme, ata mund të veprojnë si duhet dhe me guxim, duke prishur planin ekzistues. Ata veprojnë kështu vetëm për të realizuar një synim: për t'ia kushtuar tërë jetën një çështjeje të madhe. Në filmin kinez hiqet dorë nga heroizmi individualist i stilit perëndimor, i cili zëvendësohet me konceptin tradicional kinez për familjen, përgjegjësinë shoqërore, modestinë, sakrificën dhe besnikërinë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore