Fërkimet tregtare dhe ndryshimi i strukturës së ekonomisë botërore

2019-02-02 09:43:08 CRI Komenti juaj Printoni

"Fërkimi tregtar" ka qenë pa dyshim një togfjalësh në fokus të vëmendjes së gjithë globit gjatë vitit që sapo u mbyll.

Me acarimin e prirjes së proteksionizmit tregtar dhe të deglobalizimit, në mbarë botën janë shtuar fërkimet tregtare, si edhe format e ndryshme të proteksionizmit tregtar. Faktorët mjedisorë, pengesat jotarifore dhe rregullat tregtare janë bërë "armët" e reja të proteksionizmit. Ndërkohë, fërkime ka jo vetëm në fushën tregtare, por edhe në fushën e përgjithshme ekonomike e shoqërore, duke përfshirë kursin valutor, politikat industriale, garantimin e punëtorëve, të drejtat e njeriut etj.

Në fillim të vitit të ri, ka nevojë të mendojmë thellësisht për fërkimet tregtare, të cilat shkaktohen nga ndryshimet e gjithanshme të prirjes e strukturës së ekonomisë botërore.

Rregullimi i politikave të ekonomive të zhvilluara

Gjatë disa vjetëve të kaluar, ekonomitë e zhvilluara kryesore nuk arritën ta kthejnë rrënjësisht prirjen e uljes së prodhimtarisë. Plakja e popullsisë, shoqëruar me uljen e përqindjes së pjesëmarrjes në punë, shkakton patjetër prirjen e rënies së ritmeve të rritjes ekonomike. Për ekonomitë e zhvilluara kryesore, detyra më e rëndësishme në një periudhë të gjatë do të jetë nxitja e rritjes ekonomike, e cila kërkon prej tyre ta vënë në qendër të politikave afatmesme dhe afatgjata rregullimin e strukturës. Kjo do të thotë, nga njëra anë, që ato nevojitet të rregullojnë brenda vendit strukturën e industrisë dhe të ndryshojnë bazën e rritjes ekonomike dhe, nga ana tjetër, të ristrukturojnë në botë ndarjen ndërkombëtare të punës e zinxhirin global të vlerës dhe të ripërcaktojnë rregullat e tregtisë shumëpalëshe e të investimeve.

Acarimi i konkurrencës së industrisë së manifakturës midis vendeve të mëdha

Teknologjia dhe novacioni janë motorët më kryesorë të rritjes së ekonomisë së një vendi dhe gjithashtu burimet më të rëndësishme për ngritjen e aftësisë konkurruese e të ndikimit ndërkombëtar. Risitë e përparimet teknologjike nuk vijnë nga asgjëja, por mbështeten te veprimtaria krijuese në industri të veçanta. Nga përvoja historike del se risitë dhe përparimet teknologjike që kanë rëndësi epokale vijnë nga manifaktura, njëkohësisht, aplikimi dhe përhapja e teknologjive të reja mbështeten te veglat dhe pajisjet e ofruara nga manifaktura. Vendet e mëdha, për të ngritur potencialin e rritjes ekonomike dhe për të ruajtur pozicionin dhe ndikimin e tyre në strukturën ekonomike ndërkombëtare, do të tregojnë gjithnjë e më shumë vëmendje për konkurrencën e teknologjive më të përparuara, më konkretisht, për konkurrencën e industrisë së manifakturës më të përparuar.

Edhe objektivi i punësimit do të acarojë më tej konkurrencën midis vendeve të mëdha në industrinë e manifakturës. Përballë kontradiktës midis uljes së vazhdueshme të papunësisë dhe zvogëlimit të shtresës së mesme e rritjes të hendekut të të ardhurave, vendet e mëdha kryesore do ta kthejnë objektivin e politikave nga përqindja e punësimit në cilësinë e tij. Cilësia e vendeve të punës përfshin dy tregues kryesorë: qëndrueshmërinë dhe nivelin e pagës. Nga të dhënat e vendeve të zhvilluara, në krahasim me industrinë e shërbimeve, punët në industrinë e manifakturës janë më të qëndrueshme dhe me pagesa relativisht më të larta. Nga ky këndvështrim mund të kuptohet pse vendet e zhvilluara tani tregojnë më shumë vëmendje në "krijimin e më shumë vendeve të punes me cilësi të lartë" sesa "krijimin e më shumë vendeve të punës", në mënyrë që të zgjidhen kontradiktat shoqërore e politike të shkaktuara nga paqëndrueshëmëria e punësimit dhe zgjerimi i hendekut të të ardhurave.

Për këto arsye, rimëkëmbja e industrisë së manifakturës ka një rëndësi e ndikim më të rëndësishëm, që do të thotë se ajo u shërben jo vetëm interesave strategjike afatgjata, por edhe kërkesave ekonomike, shoqërore e politike afatshkurtra. Fërkimet e konfliktet tregtare janë vetëm efekte anësore të konkurrencës së fuqive në industrinë e manifakturës.

Nga ana tjetër, sistemi ekzistues ndërkombëtar i ndarjes së punës dhe zinxhiri i tanishëm global i vlerës janë pasoja të procesit të deindustrializimit të ekonomive të zhvilluara kryesore. Kësisoj, rimëkëmbja e industrisë së manifakturës në ekonomitë e zhvilluara kryesore sigurisht do të shkaktojë rregullimin e madh të strukturës ndërkombëtare të ndarjes së punës dhe të zinxhirit global të vlerës.

Ulja e forcës kufizuese të sistemit shumëpalësh

Pakësimi i të mirave nga globalizimi ekonomik ka acaruar kontradiktat e shpërndarjes së përfitimeve. Konkurrenca midis fuqive në teknologji dhe në industri janë ashpëruar gjithnjë e më shumë, veçanërisht në industrinë e manifakturës së përparuar. Këto elemente kanë shkaktuar shumë rreziqe, si shtimi i fërkimeve tregtare, ngritja e proteksionizimit dhe e populizmit, pezullimi, e madje prapavajtja, e procesit të globalizimit etj. Ndërkohë, midis vendeve të ndryshme mungon ende bashkërendimi politik kundrejt këtyre rreziqeve.

Kësisoj, reforma e sistemit të qeverisjes ndërkombëtare është një detyrë shumë e rëndësishme dhe urgjente. Lidhur me këtë reformë, synimet e vendeve kanë ndryshime të dukshme. BE-ja këmbëngul në sistemin ekzistues të tregtisë së lirë, ShBA-ja kërkon sistemin e tregtisë "së barabartë", Kina mbron një sistem tregtar të hapur dhe gjithëpërfshirës. Palët e kanë të vështirë të bashkërendohen me njëra-tjetrën brenda një kohe të shkurtër. Edhe në kornizën e Organizatës Botërore të Tregtisë, rregullat ekzistuese nuk mund të përfshijnë shumë mosmarrëveshje të reja të tregitsë ndërkombëtare, ndërsa hartimi dhe përtëritja e rregullave ndërkombëtare janë penguar. Në këto rrethana, unilateralizmi dhe proteksionizmi nuk mund të kufizohen efektivisht nga sistemi shumëpalësh.

Roli dhe pozicioni i Kinë në ekonominë botërore kanë ndryshuar dhe, ndërkohë, edhe ekonomia botërore, që ndodhet në rregullim të thellë, me siguri mban shpresa të reja ndaj Kinës. Kina ka nevojë t'u përgjigjet këtyre shpresave dhe t'i ofrojë ekonomisë botërore mençurinë e saj përballë sfidave e rreziqeve të tanishme, në kornizën shumëpalëshe.

Yu Chunhai  Profesor i Institutit të Studimeve për Zhvillimin e Strategjisë Kombëtare pranë Universitetit Renmin të Kinës

Mrekulli
Lajmet Kryesore