Një raport optimist mbi ekonominë kineze

2019-01-23 21:55:36 CRI Komenti juaj Printoni

Kina publikoi të hënën raportin për ekonominë kombëtare në vitin 2018. Ndër të dhënat statistikore, shifrat që tërheqin më shumë vëmendje janë si më poshtë. PBB-ja i kaloi për herë të parë 90 trilionë juanët, me një rritje prej 6.6 % në krahasim me vitin 2017, duke realizuar objektivin e 6.5 për qind. Ndërkohë, treguesi i çmimit të konsumit (CPI) u rrit 2.1 %, më pak se parashikimi prej 3%. U shtuan 13.61 milionë të punësuar, duke e realizuar 123.7 % objektivin. Të ardhurat për frymë arritën në 28 228 juanë në vit, me një rritje reale 6.5%, që është më e lartë se rritja e PBB-së për frymë. Vëllimi i import-eksportit të mallrave i kaloi për herë të parë 30 trilionë juanët, duke u rritur me 9.7% dhe duke shënuar rekord. Të gjithë këta tregues tregojnë se Kina realizoi si duhet parashikimin për ekonominë, të përcaktuar në fillim të vitit të kaluar dhe se ajo mbetet motori i fuqishëm i rritjes së ekonomisë botërore.

2018-a nuk ishte një vit i zakonshëm për Kinën. Nga njëra anë, ajo duhej të thellonte më tej Reformën e Hapjen dhe, nga ana tjetër, u detyrua të përballojë rrymën e deglobalizimit dhe rreziqet e acarimit të fërkimeve tregtare, që të ruajë rritjen ekonomike në një nivel të arsyeshëm. Në këtë situatë shumë të ndërlikuar, nuk ishte e lehtë për Kinën të realizonte me sukses objektivat kryesore të zhvillimit.

Duke analizuar vëllimin e përgjithshëm të ekonomisë, shihet një rritje e qëndrueshme. Në vitin 2000, vëllimi i përgjithshëm i ekonomisë kineze i kaloi për herë të parë 10 trilionë juanët, në vitin 2016 70 trilionë juanët, ndërsa vjet 90 trilionë juanë. Kapërcimet e herëpashershme pasqyrojnë bazën e fortë të ekonomisë kineze.

Nga këndvështrimi i shpejtësisë së rritjes ekonomike, 6.6% shënoi rritjen më të ngadalshme gjatë viteve të fundit, megjithatë ndodhet përsëri në një nivel të arsyeshëm dhe përputhet me kërkesën e periudhës kalimtare të zhvillimit të Kinës, nga rritja e shpejtë në rritjen cilësore. Duhet të vihet të dukje se me këtë përqindje të rritjes, Kina radhitet prapëseprapë në vendet e para ndër ekonomitë kryesore të botës. Vitin e kaluar, Kina kontribuoi për më shumë se 30% të rritjes së ekonomisë botërore dhe qëndroi kontribuuesja më e madhe në këtë rritje.

Është një dukuri shumë normale që të shfaqen luhatje të përkohshme gjatë zhvillimit të ekonomisë. Më e rëndësishmja është mbajtja nën kontroll e prirjes afatgjatë. Në raportin vjetor mbi ekonominë e Kinës, të publikuar në korrikun e vjetshëm nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), vihet në dukje se ekonomia kineze dhe perspektiva e saj janë vazhdimisht të forta. Ky raport i porsapublikuar mbi ekonominë e Kinës vërteton këtë pikëpamje të FMN-së.

Në fakt, raporti për ekonominë kineze gjatë vitit 2018 ka shumë shifra të tjera mbresëlënëse, të cilat dëshmojnë shndërrimin e ekonomisë kineze në zhvillimin më cilësor. P. sh., shpenzimet e konsumit kontribuuan për 76.2% të rritjes së PBB-së, vëllimi i përgjithshëm i shitjes me pakicë të produkteve të konsumit u rrit 9 % dhe koeficienti "Engel" u ul 0.9 pikë përqindjeje. Të gjitha këto tregojnë se konsumi i kinezëve është përshkallëzuar dhe është bërë motori kryesor i nxitjes së rritjes ekonomike. Shpejtimi i investimeve në manifakturë, veçanërisht manifakturën e nivelit të lartë, dhe i investimeve private kanë mbështetur shumë rritjen ekonomike. Kina realizoi rritjen e gjithanshme edhe në import-eksportin me partnerët e vet kryesorë tregtarë, veçanërisht me vendet e nismës "Një brez, një rrugë", me një rritje 13.3%. Kjo tregon se është përmirësuar struktura e tregtisë kineze dhe kjo është në favor të zbutjes së rreziqeve nga fërkimet tregtare. Gjatë vitit të kaluar, energjia e pastër zuri një peshë më të madhe specifike në konsumin e energjisë në Kinë, në saje të zbatimit të programit të zhvillimit të gjelbër në Kinë.

Të gjitha këto të dhëna pozitive tregojnë gjithashtu se, në situatën e ndërlikuar ndërkombëtare, ekonomia kineze tregoi elasticitet dhe aftësi të madhe në përballimin e rreziqeve.

Në vitin 2019, Kina do të hasë patjetër më shumë sfida dhe vështirësi. Për këtë, udhëheqja e lartë e Kinës është e ndërgjegjshme. Në mbledhjen e dhjetorit të vjetshëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së, u paraqit kursi për "ruajtjen e qëndrueshmërisë së mëtejshme në punësim, në sektorin financiar, në tregtinë e jashtme, në investimet e huaja, në investime dhe në parashikimin e ekonomisë".

Edhe Zyra Kombëtare e Statistikave pohon se ekonomia kineze po funksionon mes ndryshimesh dhe shqetësimesh dhe gjendet përballë mjedisit të ndërlikuar të jashtëm dhe nën presionin e uljes.

Në mbledhjen për punët ekonomike të Komitetit Qendror të PKK-së në fund të vitit të kaluar, u bë një gjykim i rëndësishëm, që do të thotë zhvillimi i Kinës ndodhet dhe do të ndodhet në periudhën e mundësive strategjike për një kohë të gjatë.

Raporti për ekonominë kineze 2018 i tregon botës se nuk ndryshon gjendja e përgjithshme e zhvillimit të shëndetshëm e të qëndrueshëm të ekonomisë kineze, nuk ndryshojnë elementet e prodhimit për zhvillimin cilësor, nuk ndryshon as prirja e mirë e zhvillimit afatgjatë të Kinës.

Me inkurajimin e këtij raporti, kinezët do të kenë më shumë besim për kryerjen si duhet të punëve të veta, ndërsa bota do të jetë plot besim për të ardhmen e ekonomisë kineze. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore