Pse Kim Jong-Uni e vizitoi përsëri Kinën me një delegacion të madh

2019-01-14 09:46:54 CRI Komenti juaj Printoni

Lideri i Republikës Popullore Demokratike të Koresë (Koresë së Veriut) Kim Jong-Un vizitoi Kinën nga 7 deri më 10 janar.

Sivjet është 70-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Koresë së Veriut. Kjo vizitë e Kim-it në fillim të vitit ishte vizita e tij të katërt në Kinë gjatë 10 muajve. Meriton të përmendet se gjatë kësaj vizite në Pekin, Kim-i kremtoi 35-vjetorin e lindjes.

Pse Kim-i e vizitoi Kinën tani? Çfarë rëndësie kishin bisedimet me liderin kinez? Si do të zhvillohet situata në Gadishullin Korean? Si parashikohet takimi midis Kim-it dhe Trump-it? Lidhur me këto, media elektronike "Knight Island" intervistoi profesorin Zheng Jiyong, drejtorin e Qendrës së Studimeve mbi Çështjet Koreane pranë Universitetit Fudan të Kinës.

Knight Island: Pse Kim Jong-Uni e vizitoi Kinën në këtë moment? Cila është rëndësia e kësaj vizite?

Zheng Jiyong: Kim Jong-Uni e zgjodhi këtë moment për vizitën në Kinë, duke marrë parasysh tre pikat e mëposhtme.

Së pari, Kina dhe Koreja e Veriut kanë një miqësi të thellë tradicionale. Gjatë 10 muajve të fundit, Kim Jong-Uni e ka vizituar Kinën katër herë. Vizitat aq të shpeshta nga lideri i një vendi në një vend fqinj është diçka shumë e rrallë në historinë politike të botës.

Kjo vizitë përkoi edhe me ditëlindjen e Kim-it. Duke folur për festimin e ditëlindjes së një lideri në një vend tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës tha se "kjo është një gjë e zakonshme". Kjo tregon se miqësia kino-koreanoveriore është forcuar më tej në brezin e ri të liderëve. Edhe kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping tha se është hapur një faqe e re në marrëdhëniet kino-koreanoveriore në vitin 2018. Të gjitha këto tregojnë se Kim Jong-Uni e konsideron Kinën si fqinje të besueshme.

Së dyti, kjo vizitë ka të bëjë edhe me takimin e ardhshëm midis Kim-it dhe Trump-it. Siç është shprehur ditët e fundit Trump-i, ShBA-ja po konsultohet me Korenë e Veriut për vendin e një tjetër samiti, prandaj kjo vizitë e Kim-it është përgatitje për bisedimet e ardhshme midis ShBA-së dhe Koresë së Veriut.

Nga 12 qershori 2018 deri më sot, ka kaluar mbi gjysmë viti nga samiti i parë midis Koresë së Veriut dhe ShBA-së. Gjatë kësaj periudhe, kanë ekzistuar shumë probleme në marrëdhëniet amerikano-koreanoveriore. Si rrjedhim i karakterit personal të presidentit Trump, midis dy vendeve janë shfaqur gjithnjë e më shumë faktorë të pasigurt. Trump-i tha pak ditë më parë se po zhvillon "dialog të mirë" me Korenë e Veriut, megjithatë do të vazhdojë sanksionet ndaj këtij vendi.

Përballë takimit të ardhëm me Trump-in, Kim Jong-Uni ka nevojë të bashkërendohet me disa palë kryesore të çështjes së Gadishullit Korean, veçanërisht me Kinën, për arritjen e qëndrimit të përbashkët në procesin e denuklearizimit të Gadishullit dhe për bisedimet me ShBA-në.

Së treti, kjo vizitë ka gjithashtu për qëllim nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe zgjidhjen e problemit te jetesës së popullit koreanoverior. Pavarësisht nga lëshimet pozitive nga Koreja e Veriut dhe "Pranvera e Gadishullit" në vitin 2018, bashkësia ndërkombëtare nuk ka pakësuar sanksionet ndaj këtij vendi dhe nuk është konkretizuar as zhvillimi ekonomik, për të cilin Koreja e Veriut shpreson të arrihet nëpërmjet përmirësimit të marrëdhënieve me ShBA-në. Ekonomia e jetesa në Korenë e Veriut janë ende në vështirësi të madhe.

Në prill të vitit 2018, Koreja e Veriut shpalli që do t'i përqendrojë të gjitha forcat për ndërtimin e ekonomisë socialiste dhe për përmirësimin e jetesës së popullit, prandaj Kim Jong-Uni e vë në plan të parë zhvillimin ekonomik dhe është i etur të përmirësojë jetesën e banorëve, që t'i bindë se rruga e tij të denuklearizimit është e drejtë.

Si vend fqinj i Koresë së Veriut, Kina ka përvojën e pasur të reformës e hapjes, prandaj thithja e përvojës kineze për zgjidhjen e problemeve të Koresë së Veriut, është pa dyshim tjetër theks i vizitës së Kim-it. Prej kohësh, Koreja e Veriut nuk mban shumë shpresë te vendet e tjera, por ajo është e ndërgjegjshme se Kina është i vetmi vend që mund ta ndihmojë me të vërtetë.

Vlen të përmendet se delegacioni që ka shoqëruar vizitën e Kim-it në Kinë është një staf "luksoz". Ai ka përfshirë të gjithë personalitetet e nivelit të lartë të Partisë, qeverisë dhe të ushtrisë, që do të jenë vendimtare për "dizenjimin e nivelit të lartë". Ata vizituan Kinën për të shikuar nga afër zhvillimin e Kinës, gjë që tregon edhe ambicien e Koresë së Veriut.

Knight Island: Takimi midis Kim-it dhe Trump-it, denuklearizimi i Gadishullit Korean dhe zhvillimi ekonomik janë pjesët më kryesore të bisedimeve midis liderëve të Kinës dhe të Koresë së Veriut. Si e vlerësoni këtë vizitë?

Zheng Jiyong: Thelbi është pa dyshim problemi i denuklearizimit të Gadishullit Korean. Tani liderët e Koresë së Veriut dhe të ShBA-së kërkojnë të zhvillojnë bisedimet sa më herët, që në shkurt. Gjendja e tanishme është krejtësisht e ndryshme nga bisedimet e mëparshme në Singapor, sepse Koreja e Veriut ka hyrë në "ujëra të thella". Kësaj here, Koreja e Veriut ka mundësi të paraqitë një listë të procesit të denuklearizimit, ndoshta duke përfshirë lejimin e inspektimit nga ShBA-ja etj. Në përshtatje me këtë, ajo do t'i kërkojë ShBA-së të bëjë kompromis, që të pakësojë sanksionet dhe t'i ofrojë garancinë e sigurisë. Gjatë kësaj vizite në Kinë, Kim Jong-Uni ritheksoi qëndrimin e denuklearizimit.

Në këto rrethana, zbutja e sanksioneve ekonomike nëpërmjet Kinës dhe ndihma për zhvillimin ekonomik dhe për fuqizimin e potencialit janë jo vetëm detyrat imediate të Koresë së Veriut, por edhe theksi afatgjatë i diplomacisë me Kinën.

Knight Island: Nëse nuk do të arrijë sukses takimi midis Kim-it dhe Trump-it, a ka mundësi që Koreja e Veriut të ndjekë rrugë të tjera, ashtu siç tha Kim Jong-Uni në mesazhin e tij të Vitit të Ri? Kush do t'i japë Koresë së Veriut garancitë e sigurisë?

Zheng Jiyong: Paralajmërimi është vetëm taktika e bisedimeve. Koreja e Veriut s'ka mundësi të kthehet në gjendjen e mëparshme, sepse ajo do të duhej të paguante rëndë për atë. Pakënaqësia e Kim-it tregon se ai nuk është i kënaqur prej kohësh me ushtrimin e njëanshëm të presionit nga Trump-i.

Garancitë e sigurisë i janë dhënë Koresë së Veriut nga ShBA-ja në të kaluarën, por me pakësimin e shpresave te ShBA-ja, edhe Kim Jong-Uni ka pikëpyetje për garantimin e sigurisë së vendit të vet.

Tani Kim-i mendon për "tjetër rrugë", që do të thotë të krijojë një koncept më të gjerë të sigurisë, në bazë të zhvillimit ekonomik e shoqëror dhe të shkëmbimeve e bashkëpunimit me vendet e tjera.

Mrekulli
Lajmet Kryesore