Rëndësia e zbritjes së sondës "Chang'e 4" në anën e pasme të Hënës

2019-01-07 14:24:56 CRI Komenti juaj Printoni

Kjo ishte një ditë e shënueshme. Më 3 janar 2019, në orën 10 e 26 minuta, nga Hëna, mbi 300 mijë km larg Tokës, u transmetua një lajm i mirë: sonda kineze "Chang'e 4" zbriti me sukses në zonën e caktuar të anës së pasme të Hënës dhe transmetoi të parën fotografi nga afër të anës së pasme të Hënës, nëpërmjet satelitit transmetues "Queqiao". Kjo është hera e parë që një sondë zbret në anën e pasme të Hënës dhe komunikimi i parë midis anës së pasme të Hënës dhe Tokës.

Me sondën "Chang'e 4", do të zbulojmë gradualisht vellon e mistershme të anës së pasme të Hënës. Ky përparim i madh frymëzon jo vetëm kinezët, por vlerësohet nga shumë personalitete të qarqeve ndërkombëtare të fluturimeve kozmike dhe media ndërkombëtare. Në njoftimin e CNN-it thuhet se kjo është e para herë në histori dhe shënon një gur kilometrik të kërkimeve të njerëzimit në kozmos.

Drejtori i Administratës Kombëtare të Aeronautikës dhe të Hapësirës (NASA) të ShBA-së Jim Bridenstine shkroi në "Twitter": "Urime për ekipin kinez të 'Chang'e 4' që realizoi zbritjen e suksesshme në anën e pasme të Hënës. Kjo është hera e parë për njeriun dhe gjithashtu një arritje mbresëlënëse."

Kryeekzekutivi i kompanisë amerikane për teknologjinë e eksplorimit të kozmosit "SpaceX", Elon Musk, e transmetoi këtë lajm në platformën shoqërore dhe shprehu urime.

"Ndoshta ndonjëri mund të pyesë: 'Ç'rëndësi ka ky veprim?' Gazeta amerikane 'The New York Times' citon fjalët e profesorit në pension të Institutit Kërkimor mbi Politikën Hapësinore pranë Universitetit Xhorxh Uashington, John Logsdon: 'Do të kemi më shumë njohje për Hënën, sepse në anën e pasme nuk kishte qenë asnjë mjet hulumtimi, prandaj ky është një eksplorim i vërtetë'."

Sonda "Chang'e 4" do të bëjë një sërë eksplorimesh e kërkimesh në anën e pasme të Hënës. Shkencëtarët janë të mendimit se ana e pasme është më e lashtë se ana e përparme, ndërkohë, në kraterin "Von Karman", ku zbriti sonda "Chang'e 4", përbërja e materialeve dhe koha gjeologjike janë përfaqësuese dhe kanë rëndësi për studimin e historisë së hershme të Hënës dhe të sistemit diellor. Në njoftimin e gazetës "The New York Times" thuhet se sonda kineze zbriti në kraterin e meteorit më të lashtë dhe më të thellë në Hënë, prandaj zbulimet e mëvonshme nga sonda do të ofrojnë të dhëna për origjinën dhe evolucionin e Hënës. Një pjesë shkencëtarësh hamendësojnë se ultësira përreth kraterit mund të ketë pasuri mineralesh. Nëse shfrytëzimi i burimeve të Hënës do të jetë hapi tjetër i eksplorimit kozmik, Kina do të ketë një pozitë të favorshme nëpërmjet kësaj zbritjeje të suksesshme.

Në njoftimin e BBC-së thuhet se ana e pasme, ku nuk ka interferencë nga valët e radios të Tokës, është një terren shumë ideal për vëzhgime astronomike. Meriton të përmendet se sonda "Chang'e 4" përmban edhe një laborator me peshë tre kilogramë me "ekosferë në miniaturë", që përmban vezë të krimbit të mëndafshit dhe farëra patatesh dhe arabidopsisi. Ky mikrolaborator është projektuar bashkërisht nga 28 universitete kineze.

"Gjatë procesit të mëvonshëm të këtij eksplorimi, do të ketë edhe shumë përparime, për të cilat ia vlen të tregojmë vëmendje," i tha gazetës kineze "The Global Times" specialisti i fluturimeve kozmike Pang Zhihao. Sipas tij, në punët në vijim, sonda kineze do të hasë edhe shumë sfida të tjera dhe do ta ketë më të vështirë lëvizjen. Në anën e pasme të Hënës, relievi është shumë i ndërlikuar. Mali më i madh aty është më i lartë se Everesti, ndërkohë në kraterin e madh gjenden edhe kratere të vogla. Tjetër sfidë është nata e gjatë e Hënës, kur temperatura minus 180 gradë do të jetë një provë e madhe për sondën. "Sonda e mëparshme 'Chang'e 3' nuk mund të punonte natën, kurse kësaj here, 'Chang'e 4' do të punojë edhe gjatë natës, për matjen e temperaturës së sipërfaqes së Hënës. Ky do të jetë gjithashtu një përparim i madh," tha shkencëtari kinez.

"Chang'e 4" është gjithashtu një hap i rëndësishëm i Kinës në veprën e hulumtimit të Hënës. Në njoftimin e gazetës "The Wall Street Journal" thuhet se Kina synon sheshimin e rrugës për zbritjen më në fund të kozmonautëve në Hënë. Sivjet Kina planifikon të lëshojë sondën "Chang'e 5" , e cila do të marrë mostra nga Hëna dhe do të kthehet në Tokë. CNN-i njoftoi se Kina është vendi i tretë, pas ShBA-së dhe Rusisë, që realizon zbritjen e sondës në Hënë. Profesorja e Kolegjit Amerikan të Luftës Detare, Joan Johansson Fries, tha: "Me suksesin e sondës 'Chang'e' dhe të fluturimeve kozmike me kozmonaut, këto dy programe të Kinës ka mundësi të bashkohen në fund dhe të bëhen programi i zbritjes së kozmonautëve në Hënë". Ajo parashikon: "Zëri tjetër që do të transmetohet nga Hëna ka mundësi të madhe të jetë në gjuhën kineze." (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore