Si i kanë parë amerikanët Kinën dhe botën gjatë 100 vjetëve?

2019-01-02 17:26:17 CRI Komenti juaj Printoni

Gjatë mbi 100 vjetëve të kaluar, si e kanë parë amerikanët botën?

Të dhënat tregojnë një të vërtetë befasuese.

Studiuesi Russel Golderberg analizoi hollësisht titujt kryesorë të gazetës amerikane "The New York Times" qysh nga viti 1900 dhe zbuloi se si ka qenë bota në sytë e amerikanëve që atëherë. Numri i mostrave të studimit arriti në 741 576.

Golderberg-u e përgjithësoi rezultatin e studimit të tij në pasqyrën e mëposhtme. Kur e shohin atë, edhe kinezët janë të habitur.

Le të shohim Kinën në këtë pasqyrë.

1. Gjatë 12 muajve të vitit 1900, amerikanët treguan më shumë vëmendje për Britaninë në tetë muaj, për Gjermaninë në një muaj dhe për Kinën në tre muaj. Gjatë këtyre tre muajve, që ishin ndër periudhat më poshtëruese në historinë kineze, trupat e koalicionit të tetë vendeve sulmuan Kinën. Kjo ishte bota e 1900-s dhe Kina u shfaq përpara botës me një pamje të tillë.

2. Kur amerikanët e vunë Kinën përsëri në kryetitujt e gazetave, ishte në mars dhe prill 1927, kur shpërtheu lufta civile midis Partisë Guomindanase dhe Partisë Komuniste dhe bregdeti i Shangait u kthye në një lumë gjaku.

3. Amerikanët e përfshinë Kinën në titujt kryesorë për të tretën herë dhjetë vjet më vonë, d.m.th. në gusht e shtator 1937, kur shpërtheu në mënyrë të gjithanshme lufta e popullit kinez kundër agresorëve japonezë. Kjo luftë e ashpër ngjalli vëmendjen e amerikanëve.

4. Një gjë interesante është që shpallja e Republikës Popullore të Kinës nuk u përfshi në titujt kryesorë të gazetës "The New York Times". Por një vit më vonë Kina u bë për herë të katërt objektivi që tërhoqi më shumë vëmendjen e amerikanëve, për shkak të Luftës Koreane. Kina dhe ShBA-ja u takuan në fushëbetejë.

5. Në vitin 1995, Kina u bë kryetitull në gazetën amerikane për tre muaj me radhë, me vizitën në ShBA të liderit të atëhershëm të autoriteteve tajvaneze Li Denghui, ngjarje kjo që u pasua me krizën e ngushticës së Tajvanit. Që prej atëherë, Kina, u përfshi gjithnjë e më shumë herë në titujt kryesorë të gazetës amerikane.

6. 2008 është një vit kyç. Qysh nga ai vit, Kina u bë vendi për të cilin ShBA-ja tregon më shumë vëmendje. Atë vit, Kina zuri titujt kryesorë për katër muaj me radhë, për shkak të Olimpiadës së Pekinit, tërmetit të madh në Wenchuan, si edhe peripecive gjatë udhëtimit të pishtarit olimpik.

7. Viti 2018 ishte kulmi i vëmendjes së amerikanëve për Kinën. Gjatë këtyre 12 muajve, Kina u shfaq në titujt kryesorë për nëntë muaj, për luftën e paparë tregtare midis dy fuqive. Edhe amerikanët janë të shqetësuar për këtë luftë. Kjo vëmendje e lartë besohet se do të jetë gjendja e zakonshme e amerikanëve për Kinën.

Titujt kryesorë të një gazete janë zakonisht lajme të rëndësishme. Nga kjo pasqyrë mund të shohim "hijen" e disa ngjarjeve të mëdha, si vizita në Kinë e presidentit të atëhershëm amerikan Richard Nixon në shkurt të vitit 1972, vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe ShBA-së në janar 1979, si dhe vizita e liderit kinez Ten Hsiao Pin në ShBA në shkurt të atij viti.

Nga kjo pasqyrë zbulohet gjithashtu se në këtë periudhë mbi 100-vjeçare, për amerikanët vendet që janë përfshirë shpeshherë në titujt kryesorë, kanë qenë armiq ose rivalë të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara.

Në fillim të shekullit të 20-të ishte Britania. Gjatë Luftës së Parë Botërore ishte Gjermania. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ishin Britania, Gjermania, Franca dhe Bashkimi Sovjetik, gjatë Luftës së Ftohtë Bashkimi Sovjetik, ndërsa gjatë Luftës së Vietnamit Vietnami. Gjatë viteve '90 ishte Japonia, kurse në fillim të këtij shekulli Iraku. Tani është radha e Kinës.

Të dhënat tregojnë drejtpërdrejt se ShBA-ja e konsideron Kinën rivale kryesore dhe ka treguar gjithnjë e më shumë vëmendje për Kinën vit pas viti. Kjo është e domosdoshme dhe e pashmangshme pas ngritjes së Kinës.

Nga viti 1900, kur trupat e koalicionit të tetë vendeve bënë agresion në Kinë, deri në vitin 2018, kur Kina u bë titull kryesor i gazetës së njohur amerikane gjatë nëntë prej 12 muajve, ndryshimet kolosale të Kinës të lënë një përshtypje të pamasë.

Kanë kaluar mbi 100 vjet sa hap e mbyll sytë. Historia ka arritur në një pikë kyçe. Në vitin 2019, si do të jetë bota jonë?

Mrekulli
Lajmet Kryesore