Tërheqja nga Siria, Trump-i habit botën përsëri

2018-12-24 16:33:37 CRI Komenti juaj Printoni

Më 20 dhjetor, titujt kryesorë të lajmeve në mediat e ndryshme botërore i zuri përsëri presidenti amerikan Donald Trump, duke habitur edhe një herë mbarë botën.

Një ditë më parë, Trump-i kishte deklaruar në "Twitter" se ShBA-ja mbaroi detyrën e goditjes së organizatës ekstreme IS në Siri dhe do të tërheqë të gjitha trupat dhe personelin qeveritar në Siri.

Tërheqja e trupave

Thuhet se i gjithë stafi i lartë i Pentagonit, duke përfshirë ish-sekretarin e Mbrojtjes James Mattis, e ka kundërshtuar tërheqjen e trupave amerikane nga Siria. Këshilltari për Çështjet e Sigurisë Kombëtare i ShBA-së John Bolton kishte thënë pak kohë më parë se, nëse Garda Revolucionare Iraniane nuk do të largohej, edhe trupat amerikane nuk mund të tërhiqen nga Siria. Pasi mori vesh lajmin, senatori veteran republikan Lindsey Graham tha hapur në "Twitter" se "ky është një gabim", sepse "pa çrrënjosjen e forcave të IS-it, pas largimit të trupave amerikane, ato do të kthehen përsëri."

Ky vendim i Trumpit ka shqetësuar edhe aleatët evropianë. Qeveria britanike menjëherë shprehu qëndrimin e saj se "IS-i përbën ende kërcënim". Edhe qeveritë e vendeve të tjera evropiane kanë shprehur shqetësimin e tyre për rikthimin e forcave të IS-it.

A do të rikthehet IS-i?

Ky është një pohim i rremë.

Kur Rusia nuk kishte hyrë ende në Siri, trupat qeveritare siriane kishin luftuar për mbi katër vjet, me mbështetjen e aleatëve të tyre shiitë. Në fakt, fuqizimi i IS-it erdhi pikërisht si rrjedhim i përkrahjes së vendeve perëndimore ndaj fraksioneve antiqeveritare siriane, të cilat gati arritën ta përmbysnin pushtetin e Bashar al-Asadit. Si pasojë, qeveria e Asadit u detyrua ta dobësonte frontin e luftës kundër IS-it, për t'i përqendruar forcat kryesore në përballimin e rebelëve.

Sot rebelët e mbetur janë bllokuar në përgjithësi në "zonën e zbutjes së konflikteve" në provincën Idlib, ndërsa qeveria siriane dhe trupat ruse në Siri kanë mjaft forca ta mposhtin IS-in, edhe sikur ai të ishte në kulmin e fuqisë së vet.

Problemet

Cilat probleme do të mbeten pas tërheqjes së trupave amerikane? Kjo është një çështje disi e ndërlikuar.

Së pari, Rusia është shumë e kënaqur me këtë. Trupat tokësore amerikane në Siri i kanë kufizuar shumë veprimet e Rusisë. P.sh., pak kohë më parë, kur "kontraktuesi ushtarak" i Rusisë kishte fërkime me forcat kurde, pësoi sulme ajrore nga forcat amerikane. Megjithëse edhe Rusia nuk e ka të qartë qëllimin e vërtetë të tërheqjes së trupave prej Trump-it, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë tha haptazi se "kjo krijon një perspektivë të mirë për zgjidhjen politike të problemit sirian".

Sigurisht, është i kënaqur edhe Irani. Pas një lufte aq të gjatë, ai ka ruajtur më në fund aleatin e vet dhe kështu është formuar në përgjithësi "gjysmëhëna shiite". Teherani do të ketë më shumë hapësirë në të ardhmen përballë trysnisë së Uashingtonit.

Por aleatët evropianë të ShBA-së janë të pakënaqur. Trupat perëndimore në Siri tani, krahas mbi 2 mijë ushtarakëve amerikanë, përfshijnë edhe qindra francezë. Pas tërheqjes së trupave amerikane, Franca ka dy alternativa: ose të marrë përsipër të gjithë barrën, ose t'i tërheqë edhe ajo trupat e veta, gjë që do të nënkuptojë se të gjitha përpjekjet e Parisit gjatë disa vjetëve të kaluar kanë shkuar kot.

Duke folur për qëllimet e vendeve perëndimore për dislokimin e trupave në Siri, ShBA-ja dhe vendet evropiane kanë mendime të ndryshme. ShBA-ja, qysh nga administrata e Obamës, nuk ka qenë e pasur financarisht dhe nuk ka guxuar të harxhojë shumë në Siri, por ka synuar vetëm ta kufizojë Rusinë nga ana gjeopolitike, duke bërë disa veprime antiterroriste. Nga ana e saj, BE-ja i përkrahu që nga fillimi fraksionet antiqeveritare në luftën civile të Sirisë, me qëllim që të tregojë pavarësinë e politikës së vet në Lindjen e Mesme, si edhe forcën e vet ndikuese ndërkombëtare, që të bëjë ujdi në të ardhmen me ShBA-në për "tarifën e mbrojtjes".

Nëse edhe trupat franceze do të tërhiqen, plani i BE-së për sigurinë do të kthehet në hi. Në të ardhmen, BE-ja ose do të dyfishojë buxhetin ushtarak, sipas dëshirës së Trump-it, ose do të formojë një "ushtri evropiane", e cila nuk do të jetë unike as në gjuhë. Ndoshta ky është pikërisht një nga qëllimet e Trump-it me tërheqjen e trupave nga Siria.

Edhe dy aleatë të fortë të ShBA-së në Lindjen e Mesme, Arabia Saudite e Izraeli, nuk janë të kënaqur me vendimin për tërheqjen e trupave amerikane. Në fund të fundit, zvogëlimi i forcës amerikane dhe stabilizimi i qeverisë së Asadit nuk janë ajo që dëshirojnë këto dy vende. Por ato s'kanë nevojë të shqetësohen shumë, sepse ShBA-ja ka ende shumë trupa në Lindjen e Mesme. Në Irak gjenden të dislokuar mijëra ushtarë amerikanë dhe flota e 5-të amerikane qëndron ende në Katar.

Qëllimi

Duke folur për ndikimet e tërheqjes së trupave amerikane nga Siria, nuk mund të mos flitet për presidentin e Turqisë, Rexhep Erdogan.

Disa ditë më parë, Erdogani paralajmëroi se do të dërgojë trupa për çrrënjosjen e "forcave të armatosura të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit" (Forcat Demokratike Siriane të mbështetura nga ShBA-ja). Dy vjet më parë, Erdogani urdhëroi kryerjen e disa veprimeve ushtarake kundër forcave të armatosura kurde, të cilat nuk patën sukses, për shkak se u penguan nga trupat amerikane në Siri. Tërheqja e trupave amerikane do t'i krijojë Erdoganit lehtësi për goditjen e kurdëve, por tani ai ndoshta nuk do të jetë në gjendje të realizojë objektivin e tij, qoftë nga ana financiare e ushtarake, edhe nga gjendja e sigurisë. Detyra kryesore e Turqisë është të përmirësojë më tej marrëdhëniet me Rusinë, për të përfituar sa më shumë në Siri.

Pas tërheqjes së trupave amerikane, vendet e tjera tregohen "të qeta" në përgjithësi. Gjithçka duket e bukur tani?

Të mos harrojmë një "tjetër" objektiv, që konsiderohet si kërcënim kryesor në doktrinën e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Pak kohë para shpalljes së tërheqjes nga Siria, ShBA-ja tërhoqi pothuajse të gjithë Komandën e vet në Afrikë. Me këto shpenzime të kursyera, si dhe pagesat e mëtejshme të Evropës për NATO-n, mos ShBA-ja do ta përqendrojë forcën e vet në gjënë më kryesore për të?

Qian Liyan  Gazetar i medies "Knight Island"

Mrekulli
Lajmet Kryesore