Këndvështrimi i një gjermani për paraburgimin e Meng Wanzhou-t

2018-12-19 16:20:44 CRI Komenti juaj Printoni

Si një evropian, shpresoj të them opinionin tim për paraburgimin nga autoritetet kanadeze të zonjës Meng Wanzhou, kryezyrtare financiare e kompanisë "Huawei". Megjithëse këto janë mendimet e mia, ato janë përfaqësuese në njëfarë mënyre. Sigurisht, nuk mund të përfaqësoj të gjithë gjermanët, por një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë mendime të përafërta me mua.

E kam mësuar që shumë vjet më parë se mund të mblidhen informacione politike dhe ekonomike nëpërmjet pajisjeve të telekomunikacionit. Nuk jam ekspert në këtë drejtim, por mendoj se një përfundim i tillë nuk është i gabuar: prej kohësh vendet e ndryshme e kanë vëzhguar njëri-tjetrin pa asnjë përjashtim dhe ata do të vazhdojnë të veprojnë kështu edhe në të ardhmen. Në botën e sotme pajisjet e telekomunikacionit dhe të internetit janë mjetet më ideale për vëzhgim dhe përgjim.

Zyrtarisht, Gjermania është aleate e ShBA-së, por është vëzhguar dhe përgjuar në mënyrë masive nga ShBA-ja dhe Britania. Kjo është vërtetuar nga njoftimet mbi Snowden-in, dezertori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të ShBA-së. Madje, edhe kancelarja jonë Merkel u përgjua. Merkeli e dënoi një gjë të tillë, duke thënë: "Vëzhgimi midis miqve është i patolerueshëm." Fjalët e saj nënkuptojnë se, mes atyre që nuk janë miq, vëzhgimi është më se normal. Por më vonë u zbulua nga media se edhe gjermanët kanë vëzhguar Francën, e cila konsiderohet si mikja më e ngushtë e Gjermanisë!

Për një kohë të gjatë prodhuesit e pajisjeve më të përparuara të telekomuniacionit kanë qenë nga vendet perëndimore, si "Nokia", "Ericsson", "Nortel", "Siemens", "Cisco", "Alcatel", "Lucent" etj. Më vonë kjo listë u thjeshtua shumë me falimentimin ("Nortel") dhe blerjen ("Nokia" bleu "Siemens"-in e "Alcatel"-i bleu "Lucent"-in) dhe, si pasojë, qindra mijë punonjës humbën punën. Një situatë e tillë u shkaktua, në njëfarë mënyre, nga përparimet kolosale teknologjike të dy kompanive kineze të telekomunikacionit, "Huawei" dhe ZTE (veçanërisht "Huawei") , të cilat kanë epërsi të madhe edhe në çmim.

Unë hyra në kompaninë "Siemens" në vitin 2001, kur ajo ishte një nga prodhueset kryesore të pajisjeve të telekomunikacionit (kabllor dhe jokabllor) dhe të celularëve. Por më vonë kjo kompani u mposht në procesin e konkurrencës, kryesisht nga "Huawei".

Edhe kompani të tjera perëndimore të telekomunikacionit, sigurisht përfshirë edhe kompanitë amerikane, kanë pasur trysni nga homologet kineze. Megjithëse nuk i kam të qarta hollësirat teknike, mund të kuptoj se në teknologjinë e brezit të ardhshëm të telekomunikacionit, 5G, kompanitë kineze kanë epërsi jo vetëm në periudhën e shkurtër e koston e ulët të ndërtimit, por edhe në përparimin teknologjik. Kompanitë perëndimore gjenden në kohën që duhet të nisin mekanizmin e vetëmbrojtjes.

Sipas meje, ngjarja me Meng Wanzhou-n pasqyron pikërisht strategjinë proteksioniste. Mund të gjejmë shumë raste të tilla të tjera. P. sh., ShBA-ja u kërkoi Australisë (pranoi) dhe Gjermanisë (nuk pranoi) të mos blejnë pajisjet e telekomunikacionit 5G të kompanisë "Huawei", Trump-i dhe Kongresi i ShBA-së i ndalojnë institucionet qeveritare amerikane të përdorin çdo pajisje telekomunikacioni nga Kina, qeveria amerikane ka mundësi të madhe t'i detarojë shitësit me pakicë të ndalojnë shitjen e celularëve "Huawei". Në njoftimin e revistës amerikane "Businessweek" thuhet se "mikroçipat kinezë të përgjimit ndërhyjnë në serverët e shumë kompanive amerikane". Por deri më sot nuk ka asnjë dëshmi që të tregojë se kompanitë kineze kanë vendosur "derë të pasme" në produktet e veta.

Tjetër problem që ka të bëjë me ndalimin e zonjës Meng Wanzhou është e ashtuquajtura "shkelje nga 'Huawei' e urdhrit ekzekutiv të ShBA-së për embargon ndaj Iranit". Lidhur me këtë problem, edhe kompanitë gjermane e franceze përballen me të njëjtën dilemë.

Në vitin 2015, ShBA-ja, Britania, Franca, Gjermania, Kina dhe Rusia nënshkruan me Iranin marrëveshjen mbi çështjen bërthamore. Por në maj të këtij viti, ShBA-ja e prishi këtë marrëveshje në mënyrë të njëanshme, pa zbatuar detyrimet e saj të përcaktuara në marrëveshje, që do të thotë lejimi i Iranit për përdorimin e uraniumit në fushat civile dhe anulimin e të gjitha sanksioneve të mëparshme. Ky veprim i ShBA-së habiti jo vetëm Iranin, por edhe pesë vendet e tjera palë të marrëveshjes, të cilat shpresojnë se, edhe pa pjesëmarrjen e ShBA-së, marrëveshja bërthamore e Iranit do të vazhdojë të zbatohet. Por amerikanët orvaten t'ua imponojnë vullnetin e tyre vendeve të tjera që ta prishin bashkërisht këtë marrëveshje.

Në një njoftim të gazetës britanike "The Financial Times" thuhet: "Çdo kompani që ka biznes me Iranin (p. sh. që blen naftë nga Irani), do të ndëshkohet gjatë tregtisë me ShBA-në". Në përgjithësi, tregu amerikan është shumë më i madh se ai iranian, prandaj shumë kompani mposhten nën trysninë e ShBA-së. Nga këndvështrimi politik, kjo është zhvatje e vërtetë.

Zyrtarët amerikanë pretendojnë: "Qëndrimi ynë është se nuk do të kesh mundësi të bësh biznes me ShBA-në, nëse vendos të bësh biznesin me armikun e saj. Do të humbësh mbështetjen e sistemit financiar amerikan, si dhe të drejtën e përdorimit të dollarit."

Unë jam i mendimit se çdo vend ka të drejtë të zgjedhë partnerët e vet tregtarë. ShBA-ja ka të drejtë të mos pranojë të bëjë biznes me një kompani kineze ose evropiane që ka biznes me Iranin. Por kush ua jep autoriteteve amerikane të drejtën e arrestimit të një punonjësi të kësaj kompanie? Pse ligjet amerikane kanë fuqi mbi veprimet e një shtetasi joamerikan jashtë territorit të ShBA-së?

Ndoshta amerikanët kanë një logjikë të tillë: Për sa kohë të bësh biznes në ShBA, duhet të respektosh ligjet amerikane në çdo kohë.

Nuk jam avokat, por dyshoj në logjikën e ShBA-së nga ana morale: kur ShBA-ja nuk tregon përgjegjësinë e duhur në shumë aspekte, pse ky vend mendon se konceptet e tij duhet të pranohen nga mbarë bota?

ShBA-ja, që ndjek interesat e vet, u tërhoq nga Marrëveshja e Ndryshimit Klimatik e Parisit, që ka të bëjë me interesat e gjithë njerëzimit, dhe mohoi ligjshmërinë e Gjykatës së Posaçme të Hagës për çështjen e krimeve të luftës, sepse ajo është shumë e qartë se shumë nga veprimet e saj e tejkalojnë përkufizimin e krimit të luftës. Ajo prishi në mënyrë të njanshme marrëveshjen bërthamore të Iranit dhe rifilloi sanksionet ndaj Iranit, por orvatet të ndëshkojë zonjën Meng Wanzhou të kompanisë "Huawei", gjë që e shndërron ShBA-në në një objekt talljeje në mbarë botën.

Të gjitha veprimet e qeverisë së Trumpit pasqyrojnë kërkimin e pandershëm prej ShBA-së vetëm të interesave të veta.

Në fund dua të vë në dukje se Trumpi dhe qeveria e tij përfaqësojnë vetëm 35-45% të amerikanëve dhe pjesa e madhe e amerikanëve nuk janë të kënaqur me gjendjen aktuale në ShBA. Shpresoj personalisht se bota jonë do të ketë sa më pak humbje para ndryshimit të qeverisë amerikane. Por nuk jam optimist për këtë.

Gunter Schoech  Themelues i kompanisë së konsulencës për administrimin strategjik "Debrouillage"

Mrekulli
Lajmet Kryesore