Sondazhi, 70% e të pyeturve e pranojnë "ngritjen e Kinës"

2018-12-13 16:04:03 CRI Komenti juaj Printoni

Gazeta kineze "The Global Times" publikoi ditët e fundit raportin e sondazhit lidhur me opinionin publik global me titull "Ndryshimet në botë dhe rruga e vendeve të mëdha", i cili u krye nga Qendra e Hetimit të Opininit Publik Global pranë kësaj gazete. Sondazhi përfshiu 17 vende: Kinën, Japoninë, Korenë e Jugut, Indinë, Kazakistanin, Indonezinë, Rusinë, Britaninë, Gjermaninë, Francën, Spanjën, Ukrainën, Afrikën e Jugut, Egjiptin, Kenian, ShBA-në e Australinë.

Në këtë sondazh me afro 17 mijë përgjigje të vlefshme, mbi 80 % e të pyeturve e ndiejnë qartazi ndryshimin e situatës botërore. Pjesëmarrësit në sondazh nga vendet në zhvillim preferojnë globalizimin dhe bashkëpunimin miqësor, ndërsa ata nga vendet e zhvilluara mendojnë se situata botërore po shkon drejt deglobalizimit dhe shtimit të fërkimeve midis vendeve. Afro gjysma e të pyeturve (përveç atyre nga Kina dhe ShBA-ja) bien dakord se fërkimet tregtare midis Kinës dhe ShBA-së do të ushtrojnë ndikime negative në botë dhe shumica mendojnë se pala amerikane duhet të mbajë përgjegjësinë kryesore. Duke folur për rezultatet e këtij sondazhi, ekspertë kinezë dhe të huaj janë të mendimit se sondazhi tregon prirjet kryesore të opinionit publik botëror.

Sipas sondazhit global 2018 me titull "Ndryshimet në botë dhe rruga e vendeve të mëdha", 81.1% e të pyeturve janë të mendimit se situata botërore po ndryshon dhe 12.3 % mendojnë se ajo ka pësuar "ndryshime përmbysëse". Lidhur me këtë, profesori i politikës ndërkombëtare i Universitetit të Lirë të Berlinit Mateas Holserger i tha gazetës "The Global Times" se ndryshimet e mëdha në situatën botërore shkaktohen nga arsye shumë të ndërlikuara. Veçanërisht politika e presidentit amerikan Donald Trump "Amerika e para" dhe tërheqja nga marrëveshje të ndryshme ndërkombëtare, kanë shpejtuar ndryshimet negative, duke përfshirë luftën tregtare, dhe e kanë bërë botën tonë më të paqëndrueshme dhe populizmin më të përhapur. Njëkohësisht, profesori gjerman shprehu mendimin se sivjet janë shfaqur edhe ndryshime pozitive, si shumëpolarizimi i botës, vazhdimi i ngritjes së Kinës, prirja e stabilizimit të gjendjes në Gadishullin Korean, si edhe çrrënjosja pothuajse e Shtetit Islamik.

Sondazhi përmbante edhe pyetjen "Cilin nga përshkrimet e mëposhtme për ndryshimin e gjendjes së tanishme, pranoni?". Ndër variantet, ai më i pranueshmi ishte "Ngritja e pandërprerë e Kinës", për të cilin ranë dakord 69.8 % e të pyeturve. Ky variant u pasua sipas radhës me "Shtimi i kërcënimit të terrorizmit global", "Acarimi i konflikteve fetare në mbarë globin", "Shpejtimi i ndarjes së Evropës", "Përshkallëzimi i kundërvënies midis Rusisë dhe Perëndimit" dhe "Ulja e forcës ndikuese e ShBA-së".

Gjatë intervistës për gazetën "The Global Times", edhe ekspertë të ndryshëm dhanë përgjigjet e veta. Profesori gjerman Mateas Holserger vuri në vendin e parë "Uljen e forcës ndikuese të ShBA-së" dhe pastaj "Ngritja e pandërprerë të Kinës", "Shpejtimi i ndarjes së Evropës" dhe "Acarimi i kundërvënies midis Rusisë dhe Perëndimit". Ndërkohë, dijetari kinez Liu Yang zgjodhi të parën "Ngritja e pandërprerë e Kinës".

"Ç'do të thotë 'Ngritja e Kinës'? Kjo nënkupton se do të përmbysen rregullat perëndimore dhe do të krijohen të reja. Qytetërimi perëndimor ndoshta po përballon sfidën nga një tjetër qytetërim, jo vetëm nga një tjetër vend i madh i fuqishëm. Ky është një problem shumë i rëndësishëm", tha Liu Yang. Ai është i mendimit se, për perëndimorët, ngritja e Kinës është "një ndryshim i paparë gjatë 500 vjetëve", që përmban shumë pasiguri jo vetëm për perëndimorët, por edhe për kinezët. Kjo gjendje do të ruhet për një kohë të konsiderueshme.

Nga sondazhi del se mbi 70 % e të pyeturve ndodhen përballë faktit të "ngritjes së Kinës", qoftë në Rusi, Kenia, Egjipt, Afrikën e Jugut, Kazakistan e Spanjë, vende që kanë marrëdhënie të qëndrueshme me Kinën, apo në Indi e Australi, që kanë zigzage në këto marrëdhëniet me Kinën. Lidhur me këtë, Liu Yang është i mendimit se "ai që fiton zemrën e popullit, do të fitojë botën". Ai mori si shembull vendet afrikane, pjesa më e madhe të cilave kanë qenë koloni evropiane dhe ende ruajnë në kujtesë trajtimin nga bota perëndimore. Prandaj, në krahasim me vendet perëndimore, afrikanët mirëpresin natyrisht më shumë Kinën.

Edhe profesori gjerman Helserger u shpreh se Kina dhe vende të ndryshme kanë shkëmbime gjithnjë e më të ngushta dhe Kina ka shumë investime në vende të tjera. Ata që kanë biznes me Kinën ose që punojnë në kompani kineze, mund të ndiejnë nga afër ndryshimet e Kinës. Ai u propozoi qeverive të vendeve perëndimore të marrin parasysh vullnetin popullor dhe t'i zhvillojnë marrëdhëniet me Kinën me qëndrim pragmatik, duke pranuar faktin e ngritjes së Kinës.

Sidoqoftë, variantin e "ngritjes së pandërprerë të Kinës", e pranuan 97.1 % e të pyeturve në Kenia, por vetëm 31.3 % në Japoni. Lidhur me këtë, profesori i Universitetit të Pekinit Zhang Yiwu i tha gazetës "The Global Times": "Ndërmarrjet kineze e kanë ndihmuar Kenian në ndërtimin e infrastrukturës dhe Kenia shërben si gur themeltar i nismës kineze 'Një brez, një rrugë' në Afrikë. Edhe përqindja e ulët në Japoni është e kuptueshme, sepse në çështjet ndërkombëtare, Japonia ka pasur në fokus ShBA-në."

Në përputhje me përqindjet e sipërpërmendura, duke përjashtuar të dhënat për vetë vendin e të pyeturve, 30 % e tyre preferojnë ShBA-në si drejtuese të qeverisjes globale, dhe vetëm 11.5 % Kinën. Kjo përqindje është më e ulët në Japoni, vetëm 1.5 %. Profesori Zhang Yiwu tha: "Vendet perëndimore sigurisht nuk preferojnë Kinën si drejtuese të qeverisjes globale, sepse ato nuk janë të gatshme ende dhe nuk mund të mendojnë lehtësisht se Kina e tanishme është në gjendje ta mbajë këtë detyrë. Një gjendje e tillë do të vazhdojë për një kohë të gjatë dhe Kina duhet të përpiqet të bëjë si duhet punën e vet, veçanërisht për të mirën e popullit."

Mrekulli
Lajmet Kryesore