Gara gjeopolitike që qëndron pas rënies së çmimit të naftës

2018-12-03 16:58:18 CRI Komenti juaj Printoni

Lëkundjet e mëdha kohët e fundit në çmimin e naftës kanë ngjallur vëmendjen e opinionit. Qysh nga nëntori, në bursën e Nju-Jorkut, çmimi i naftës bruto me kontratë me zbatim të ardhshëm pati një ulje prej 35 % dhe arriti në rreth 52 dollarë për fuçi, duke balancuar ngritjen qysh nga viti 2017. Gjatë periudhës nga shkurti 2016 deri në tetor 2018, çmimi i naftës u ngrit nga 26 dollarë në 76.9 dollarë, me një rritje prej afro 200 %. Ndryshimet aq të mprehta ndikohen jo vetëm nga marrëdhëniet kërkesë-ofertë, por edhe nga gara gjeopolitike.

Në strukturën e energjive parësore, nafta zë 34.2 %, ndërsa tregtia e naftës bruto ka zënë vendin e parë për vëllimin e tregtisë së lëndëve të para, prandaj lëkundjet e çmimit të naftës me siguri do të ushtrojnë ndikime të ndryshme mbi ekonomitë e vendeve të ndryshme. Për një numër vendesh prodhuese të naftës, eksportimi i naftës zë vendin kryesor në ekonominë kombëtare dhe ulja e çmimit të naftës do të pasohet me uljen e të ardhurave, që do të shkaktojë edhe goditje të mëdha ndaj ekonomisë së këtyre vendeve. Ndërkohë, për importuesit e naftës, ngritja e çmimit të naftës shoqërohet zakonisht me presionin e inflacionit të importuar.

Burimet e naftës nuk gjenden në mënyrë të ekuilibruar në mbarë globin. Afro gjysma e rezervave të zbuluara gjendet në Lindjen e Mesme, një rajon gjeopolitikisht i paqëndrueshëm. Ndër faktorët që ndikojnë në çmimin e naftës, krahas faktorit bazë të kërkesë-ofertës, edhe faktori i garës gjeopolitike nuk është i papërfillshëm. Prapa këtij raundi të rënies së çmimit të naftës, fshihet konkurrenca mes palëve të ndryshme. Aktualisht, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) ka një forcë të rëndësishme ndikuese në tregun ndërkombëtar të naftës. Vendet e ndryshme e vendosin çmimin e naftës nëpërmjet përcaktimit të vëllimit të prodhimit të naftës.

Në ngritjen në përmasa të mëdha të çmimit të naftës para tetorit të vitit 2018, luajti rol të madh kufizimi i vëllimit të prodhimit bashkërisht nga OPEC-u dhe Rusia, përveç faktorëve si rimëkëmbja e ekonomisë amerikane dhe shtimi i kërkesës së Kinës dhe të vendeve të tjera në zhvillim. Por në fillim të tetorit të këtij viti, pas vrasjes së gazetarit të "The Washington Post" Jamal Khashoggi, në konsullatën e Arabisë Saudite në Turqi, në tregun e naftës u duk një ndryshim dramatik. Nga njëra anë, qeveria amerikane nuk ka treguar qëndrim të qartë për rolin e qeverisë saudite në këtë ngjarje, madje presidenti amerikan Donald Trump e ka justifikuar disa herë Arabinë Saudite në mënyrë të hapur, me qëllim që të shmangë luhatjet e mundshme në marrëdhëniet midis ShBA-së dhe Arabisë Saudite, si dhe ndikimin në importin e naftës. Nga ana tjetër, si vend kryesor i OPEC-ut, në kohën kur u bën thirrje vendeve të tjera anëtare të pakësojnë vëllimin e prodhimit, Arabia Saudite e ka shtuar vetë vëllimin e prodhimit. Në nëntor, vëllimi ditor i prodhimit të naftës saudite arriti në 11 milionë fuçi, duke shënuar rekord në histori.

Objektivisht, rënia e çmimit të naftës do të luajë rol të rëndësishëm për zgjatjen e këtij raundi të rritjes ekonomike në ShBA. Mund të themi se qeveria amerikane ka dhënë kontribut të madh për këtë raund të rënies së çmimit të naftës, por ajo konsiderohet gjithashtu si një faktor ndërhyrjeje në tregun e naftës.

Së pari, rënia e çmimit të naftës mund të frenojë inflacionin, duke i dhënë më shumë hapësirë politikës monetare të ShBA-së. Trump-i ka shprehur më së njëherë pakënaqësi për rritjen e interesit nga Sistemi i Rezervës Federale (Fed), por politika monetare e Fed-it është realitivisht e pavarur dhe Shtëpia e Bardhë nuk mund ta kontrollojë. Nëse ulja e çmimit të naftës do të zbutë presionin e inflacionit, do të ngadalësohen hapat e rritjes së interesit nga Fed-i.

Së dyti, çmimi i ulët është gjithashtu një mënyrë e rëndësishme e goditjes së rivalëve strategjikë nga ShBA-ja. Ekonomia globale nuk gjendet në një situatë aq të kënaqshme dhe, në këto rrethana, Irani dhe Rusia mbështeten seriozisht tek eksporti i naftës nga ana ekonomike. ShBA-ja është e mendimit se zgjerimi i pandërprerë i influencës së Rusisë në Krime dhe rinisja e pasurimit të uraniumit nga Irani janë të pandara nga të ardhurat kolosale të eksportit të naftës prej tyre.

Mendohet se ai që mund ta mbajë të ulët çmimin e naftës, do të fitojë në fund. Në Arabinë Saudite, kostoja e nxjerrjes së naftës mund të jetë më e ulët se 20 dollarë amerikanë për fuçi, prandaj ajo ka më shumë epërsi. Por në vendet e ndryshme, të ardhurat e naftës nuk luajnë të njëjtin rol në financat, prandaj kostoja e nxjerrjes së naftës nuk është faktori vendimtar. Me uljen e çmimit të naftës, do të ndodhin patjetër më shumë goditje gjeopolitike.

A është një ngjarje e rastit konflikti i kohëve të fundit midis Rusisë dhe Ukrainës në ngushticën e Kerçit? Si do të përfundojë ngjarja e Khashoggi-t? Si do të reagojë Irani pas sanksioneve ndaj eksportit të naftës? Në të gjitha këto ekzistojnë shumë pasiguri, por pavarësisht nga rezultati, ato do të ketë pasoja në tregun e naftës bruto.

Lin Boqiang  Drejtori i Institutit Kërkimor të Politikës së Energjisë pranë Universitetit të Xiamen-it

Mrekulli
Lajmet Kryesore