Vendet e Azi-Paqësorit përpiqen të arrijnë marrëveshjen më të madhe të tregtisë së lirë

2018-11-20 09:38:37 CRI Komenti juaj Printoni
Një vit më parë, liderët e dhjetë vendeve të ASEAN-it dhe të Kinës, Koresë së Jugut, Japonisë, Australisë, Zelandës së Re dhe Indisë zhvilluan në Manilë mbledhjen e parë për Partneritetin e Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP) dhe bënë një deklaratë të përbashkët. Ditët e fundit, 16 vendet e RCEP-it zhvilluan mbledhjen e dytë në Singapor, duke shprehur mendimin se bisedimet e RCEP-it kanë arritur përparimin thelbësor dhe kanë hyrë në fazën e fundit. Palët po përpiqen t'i përfundojnë këto bisedime brenda vitit 2019. Kjo do të thotë se marrëveshja më e madhe e tregtisë së lirë në botë pritet të arrihet nga vendet e Azi-Paqësorit vitin e ardhshëm.

Kryeministri i Kinës Li Keqaing tha se gjatë vitit të kaluar, nën drejtimin e ASEAN-it dhe me nxitjen e vendit kryetar të radhës së kësaj organizate, Singaporit, është kryer afro 80 % e detyrave mbi bisedimet për RCEP-in. Një përparim i tillë nuk është arritur lehtë. Në nëntor të vitit 2012, në samitin e 21-të të ASEAN-it, pjesëmarrësit nënshkruan marrëveshjen kornizë të RCEP-it, duke shpallur nisjen e bisedimeve. Gjatë gjashtë vjetëve të kaluar, palët e RCEP-it e kanë shtyrë më se një herë afatin e përfundimit të bisedimeve dhe gjatë këtij procesi, edhe hendeku midis vendeve të ndryshme është zvogëluar gjithnjë e më shumë dhe, si rrjedhim, është shtuar besimi për hapjen e tregut dhe uljen e taksave doganore.

Gjatë disa vjetëve të kaluar India kishte dyshime për hapjen e tregut të vet dhe kjo ishte një nga pengesat e bisedimeve. Sipas njoftimit të gazetës indiane "Times of India", tani India e ka ndryshuar qëndrimin, nga shqetësimi për importin në besimin te përfitimet nga tregtia e lirë. Edhe Japonia dhe vende të tjera shpresojnë ta kthejnë RCEP-in në një zonë ekonomike me standard të lartë.

Objektivisht, anëtarët e RCEP-it nuk janë në të njëtin nivel për sa u përket zhvillimit ekonomik dhe hapjes. Në këtë marrëveshje përfshihen ekonomitë e zhvilluara, si Japonia e Australia, por edhe vendet në zhvillim, që janë relativisht të prapambetura, prandaj duhet kohë për arritjen e unanimitetit. Edhe liderët e vendeve të ndryshme shprehën në Singapor kërkesa të arsyeshme për RCEP-in, duke thënë se duhet të tregohen elastikë dhe gjithëpërfshirës ndaj njëri-tjetrit dhe të sigurojnë që RCEP-i të jetë i gjithanshëm, i ekuilibruar dhe me cilësi e nivel të lartë, në mënyrë që të gjitha vendet e RCEP-it të favorizohen dhe të realizojnë përfitime të përbashkëta.

Liderët e vendeve të ndryshme vendosën t'i përfundojnë bisedimet e RCEP-it në vitin 2019, duke marrë parasysh shumë faktorë konkretë. Vitin e ardhshëm në Indi, Tajlandë, Indonezi dhe Australi do të zhvillohen zgjedhjet. Shmangia e përfshirjes së RCEP-it si temë e këtyre zgjedhjeve mishëron mençurinë e liderëve të vendeve të ndryshme dhe pasqyron vullnetin e tyre të përbashkët.

Në kohën kur janë rritur unilateralizmi, antiglobalizimi dhe proteksionizmi, bisedimet përfundimtare për RCEP-in kanë rëndësi të madhe.

Së pari, nga RCEP-i do të përfitojnë 3.5 miliardë veta në këtë rajon, afro gjysma e popullsisë së përgjithshme të botës. Pas arritjes së marrëveshjes, RCEP-i do të jetë zona më e madhe e tregtisë së lirë, me një PBB 22.5 trilionë dollarë amerikanë. Për këtë arsye, liderët e palëve janë të mendimit se përparimi drejt bisedimeve përfundimtare për RCEP-in do të shtojë besimin e qarqeve të ndryshme dhe parashikimet pozitive, do të lëshojë sinjalin e qartë për përkrahjen ndaj multilateralizmit e tregtisë së lirë dhe do të nxitë rritjen e ekonomisë rajonale dhe globalizimin ekonomik.

Së dyti, RCEP-i shpreh në mënyrë të vendosur vullnetin e vendeve në zhvillim. Në një artikull të Institutit "Brookings" vihet në dukje se RCEP-i është marrëveshja e tregtisë më ambicioze e drejtuar kryesisht nga vendet në zhvilim. Ajo do të jetë edhe marrëveshja e parë e tregtisë së lirë midis Kinës, Indisë, Japonisë dhe Koresë së Jugut, në bazë rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë. Ajo do të bëhet dëshmi për rolin drejtues të Azisë në tregtinë botërore.

Së treti, RCEP-i do të demonstrojë kontributin e një Azie të solidarizuar për ekonominë botërore. Në RCEP përfshihen Kina dhe Japonia, përkatësisht ekonomia e dytë dhe ajo e tretë më e madhe në botë dhe gjithashtu zona me gjallëri më të madhe në glob. Bashkimi i vendeve aziatike do të jetë një forcë e madhe nxitëse për ekonominë botërore. Lidhur me këtë, gjatë takimit me ministrat e Tregtisë të vendeve të RCEP-it në korrik të këtij viti, kryeministri i Japonisë Shinzo Abe tha se të gjithë aziatikët duhet të bashkohen përballë rritjes së proteksionizmit dhe se e ardhmja e Azisë varet nga vijimi i tregtisë së liri dhe të drejtë.

Duke parashkuar bisedimet e vitit të ardhshëm, ka arsye për të pasur besim të plotë te RCEP-i. Për Japoninë, nëse ajo mund të mbarojë bisedimet për RCEP-in, do të shtohet fuqia e saj negociuese në bisedimet me ShBA-në për tregtinë dypalëshe. Për Kinën, përkrahja ndaj RCEP-it mishëron përgjegjësinë e saj ndërkombëtare. Për Indinë, pjesëmarrja në marrëveshjen më të madhe të tregtisë së lirë do të sjellë shumë përfitime konkrete.

Si pasojë e shqetësimeve për proteksionizmin tregtar nga ShBA-ja, ekonomitë aziatike kanë arsye dhe gjithashtu entuziazëm jo vetëm për përfundimin sa më parë të bisedimeve të RCEP-it, por edhe nënshkrimin e marrëveshjes. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore