A ka ende mundësi investimi në Kinë?

2018-11-14 21:10:18 CRI Komenti juaj Printoni

Kohët e fundit, kompanitë japoneze janë në dilemë për të marrë vendimin se ku duhet të investojnë, në Kinë apo në vendet e Azisë Juglindore.

Sipas uebsajtit të gazetës japoneze "Nikkei", si rrjedhim i ngritjes së kostos së krahëve të punës dhe i konkurrencës së ashpër me kompanitë kineze, shumë kompani japoneze e kanë zvogëluar përmasën e degëve të tyre në Kinë. Ato parapëlqejnë Azinë Juglindore, por megjithatë, në krahasim me Kinën, tregu i atjeshëm është shumë më i vogël dhe ka rreziqe të ndryshme të fshehura. Këta faktorë i kanë bërë të kenë ngurrim jo vetëm kompanitë japoneze, por edhe kompani të tjera të huaja në Kinë.

Nga njëra anë, kostoja operacionale është rritur dita-ditës dhe, nga ana tjetër, tregu i brendshëm i Kinës është me potencial shumë të madh dhe mjedisi i biznesit në Kinë është përmirësuar gjithnjë e më shumë. Midis "ikjes" dhe "qëndrimit", kompanitë me investimet e huaja mbeten në pezull nga një pyetje: A ka ende mundësi investimi në Kinë?

Fitime të mëdha

Në korrik të vitit 1979 filloi të zbatohej në Kinë "Ligji i ndërmarrjeve me investime të përbashkëta kineze dhe të huaja". Qysh nga ajo kohë, biznesmenët e huaj filluan të investonin në Kinë dhe tërheqja e investimeve të huaja u bë faktor shumë i rëndësishëm i zhvillimit të ekonomisë kineze. Duke ndjekur suksesin e zonave të zhvillimit ekonomik në bregdetin e Kinës Juglindore, u krijuan në mbarë Kinën zona të zhvillimit ekonomik të niveleve të ndryshme dhe u inkurajua me forcë të madhe industria me përqendrim të madh të krahut të punës për eksport. Nga qeveria qendrore e deri në pushtetin vendor, investimet e huaja gëzuan një të ashtuquajtur trajtim superkombëtar, me favorizim në taksa, në përdorimin e tokës, në financim dhe në përdorimin e valutave.

Në vitet '80-'90 të shekullit të kaluar, një pjesë e industrive të nivelit të ulët u shpërngul nga Japonia e Koreja e Jugut në Kinë. Të mbështetur te kostoja e ulët e krahut të punës dhe politika e favorshme për tërheqjen e investimeve të huaja, Kina importoi teknologjitë e përvojën e përparuar dhe eksportoi në vendet e zhvilluara produktet me përqendrim të madh të krahut të punës. Kështu, Kina u bë gradualisht "fabrika e botës".

Gjatë procesit të tërheqjes së investimeve të huaja dhe të tregtisë së jashtme, administrat vendore dolën gradualisht nga situata e mungesës së kapitaleve, duke nxitur punësimin dhe duke shtuar të ardhurat financiare. Njëkohësisht, edhe kompanitë me investime të huaja patën fitime të shumta në Kinë. Sipas të dhënave statistikore, nga viti 2000 deri në vitin 2010, sasia e përgjithshme e fitimeve të dërguara jashtë Kinës nga kompanitë me investime të huaja në Kinë arriti në 261.7 miliardë dollarë amerikanë, me një rritje mesatare 30 % në vit, shumë më e lartë se mesatarja botërore 20% në të njëjtën periudhë.

Sot, Kina ka thithur gjithsej afro 2.1 trilionë dollarë amerikanë investime të huaja të drejtpërdrejta. Kompanitë me investime të huaja kanë kontribuar për 10% të punësimit, 20% të të ardhurave financiare dhe afro gjysmën e import-eksportit të Kinës dhe kanë çuar përpara nivelin e modernizimit të ekonomisë kineze.

1 2 3
Mrekulli
Lajmet Kryesore