Ekspozita e Importit, i gjithë globi përpiqet të hyjë në tregun kinez

2018-11-05 17:06:22 CRI Komenti juaj Printoni

Më 5 nëntor u hap në Shangai Ekspozita Ndërkombëtare e Importit e Kinës, e para ekspozitë me temën e importit në botë. Ky "produkt" publik ndërkombëtar, "i prodhuar" nga qeveria kineze për nxitjen e globalizimit ekonomik, do të jetë një platformë e re dhe e hapur bashkëpunimi për mbi tre mijë kompani nga mbi 130 vende e rajone të botës dhe do t'u sjellë vendeve të ndryshme mundësi të reja për të përfituar nga zhvillimi i Kinës.

Në krahasim me ekspozitat e tjera të import-eksportit në botë, Ekspozita e 1-rë Ndërkombëtare e Importit e Kinës ka shumë karakteristika të veçanta. Ajo përfshin jo vetëm pavijonet e kompanive, por edhe të vendeve; jo vetëm tregtinë e mallrave, por edhe të shërbimeve, dhe është jo vetëm panair, por edhe forum për diskutimin e problemeve të rëndësishme ekonomiko-tregtare globale.

Më konkretisht, në këtë edicion të parë të ekspozitës së importit ka shumë elemente që tërheqin vëmendjen. Sipërfaqja e ekspozitës arrin në 300 mijë metra katrore, megjithatë kërkesa për pavijone ka qenë e madhe dhe ka qenë shumë e vështirë gjetja e tyre. Mbi 130 vendet e rajonet pjesëmarrëse përfshijnë anëtarët e G20-s, vendet e BRICS-it dhe të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, 58 vendet përgjatë "Një brez, një rrugë", si dhe 35 vendet më të pazhvilluara. Ndër tre mijë ndërmarrjet pjesëmarrëse, mbi 200 janë nga 500 kompanitë më të fuqishme në botë ose kompani udhëheqëse në sektorët e tyre. Në këtë edicion të ekspozitës do të publikohen dhe mbi 100 produkte e teknologji të reja. Në kuadër të ekspozitës, zhvillohet edhe Forumi Ekonomik e Tregtar Ndërkombëtar "Hongqiao", që do të fokusohet në temat e hapjes, novacionit e investimeve, që kanë lidhje më të ngushta me zhvillimin tregtar.

Tani, kur po forcohen prirjet e antiglobalizimit e të proteksionizmit dhe ekonomia botërore ndodhet nën trysninë e rënies, biznesmenët nga vende të ndryshme kanë shprehur shqetësime dhe shpresojnë të zënë të parët tregun kinez nëpërmjet platformës së re të ekspozitës së importit. Kompanitë udhëheqëse në fushën e robotëve inteligjente në botë KUKA, ABB dhe FANUC do të demonstrojnë rezultatet e tyre më të përparura në këtë ekspozitë, kurse kompania sllovake e automjeteve "Aeromobil" do të paraqitë makinën e parë fluturuese në botë. Stimuluesi kardiak më i vogël në botë, aparati i parë i rezonancës magnetike bërthamore (NMR) posaçërisht për foshnja, analizuesi më i shpejtë i imunitetit dhe produkte e teknologji të tjera të reja do të hyjnë në Kinë. Ndërkohë, kompanitë "Nestle" dhe "Danone" do t'u sjellin konsumatorëve kinezë më shumë ushqime të huaja cilësore.

Prodhuesit dhe eksportuesit e mbarë botës kanë vështrim të mprehtë. Në botën e sotme është vështirë të gjesh një tjetër vend si Kina, që ka një shtresë të mesme prej 400 milionë vetash dhe një treg konsumi prej afro 1.4 miliardë banorësh. Sipas parashikimit të organizatave ndërkombëtare, nga viti 2001 deri më 2017-n, importimi i mallrave në Kinë pati një rritje mesatare prej 13.5 % në vit, dy herë më e lartë se rritja mesatare e importeve në botë, ndërkohë që importimi i shërbimeve në Kinë u rrit mesatarisht 16.7 % në vit, 2.7 herë më e lartë se mesatarja botërore. Kështu, Kina u ka ofruar mundësi të mëdha partnerëve tregtarë nga mbarë botë, qoftë vendeve të zhvilluara, qoftë vendeve në zhvillim. Qysh nga viti 2002, Kina ka dhënë një kontribut prej afro 30 % për ekonominë botërore.

Aktualisht, ekonomia kineze po ndjek rrugën e zhvillimit më cilësor. Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, shpenzimet e konsumit përfundimtar kontribuuan për 78.5 % të rritjes ekonomike, 14.2% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shtresa e madhe e mesme është në shtim me sipër dhe ajo i kushton rëndësi përmirësimit e ngritjes së cilësisë së konsumit. Tregu i konsumit në Kinë ka potencial të mëtejshëm për t'u krijuar më shumë raste vendeve të ndryshme.

Gjatë dyzet vjetëve të Reformës e Hapjes ndaj botës, Kina jo vetëm ka përfituar nga hapja, por ka qenë edhe përkrahëse dhe zbatuese e saj dhe ka mbështetur me vendosmëri liberalizimin e tregtisë dhe lehtësimin e investimeve. Presidenti kinez Xi Jinping ka shprehur në shumë raste në veprimtari ndërkombëtare vendosmërinë dhe vetëbesimin e Kinës për hapjen e gjithanshme dhe ndarjen e mundësive të zhvillimit të saj me vende të tjera. Ekspozita Ndërkombëtare e Importit e Kinës u ka ofruar pjesëmarrësve shumë lehtësi në zhdoganimin e shërbimet financiare, si dhe masa për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale. Besohet se nga të gjitha këto biznesmenët e huaj do të ndiejnë nga afër sinqeritetin dhe vullnetin e Kinës për hapjen e mëtejshme të tregut. Ambasadori zviceran në Kinë Jean-Jacques de Dardel shprehu bindjen e plotë që "sa më shumë të hapet Kina, aq më mirë do të jetë dhe aq më shumë do të përfitojë ekonomia botërore".

Kina ka krijuar tashmë kushtet për ndarjen e shanseve të zhvillimit me botën: në pesë vjetët e ardhshëm, ajo do të importojë 8 trilionë dollarë amerikanë mallra, do të thithë 600 miliardë dollarë amerikanë investime dhe do të investojë 750 miliardë dollarë amerikanë në vendet e tjera. Kina do të organizojë çdo vit Ekspozitën e Importit dhe do ta shndërrojë atë në një platformë të rëndësishme për hyrjen në tregun kinez të prodhuesve dhe eksportuesve nga mbarë bota.

Më e rëndësishmja është se Kina i ka transmetuar botës me veprimet e saj konceptin e hapjes, gjithëpërfshirjes, leverdisë së ndërsjellë dhe të përfitimeve të përbashkëta. Ky është kyçi për krijimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta për njerëzimin. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore