Malcolm Clarke: Pse aq shumë keqkuptime ndaj Kinës?

2018-10-10 15:03:32 CRI Komenti juaj Printoni

Malcolm Clarke është një regjisor i famshëm, i kandiduar katër herë për Çmimet "Oskar", duke i fituar dy herë ato, gjashtëmbëdhjetë herë për Çmimet "Emmy", si dhe pesë herë për Çmimet "CableACE" për televizionin kabllor. Gjatë mbi dyzet vjetëve që merret me filmat artistikë dhe dokumentarë, ai ka lënë gjurmë në mbi 80 vende e rajone të botës.

Vitet e fundit, Clarke e ka kthyer fokusin e vet nga Kina. Ai ka thënë: "Më pëlqen Kina shumë, sepse në Kinë ka shumë histori për të gërmuar." Njëkohësisht, ky kineast veteran, që ka ruajtur sinqeritetin ndaj Kinës, bëri një pyetje shumë të mprehtë: "Prodhohen aq shumë filma e telenovela rreth Kinës çdo vit në botë, po përse megjithatë bashkësia ndërkombëtare ka aq shumë keqkuptime ndaj Kinës?"

Le të dëgjojmë përgjigjen e atij vetë në një ligjëratë të mbajtur kohët e fundit në Kinë, ku ai foli për përvojën e tij për rrëfimin si duhet të historive lidhur me Kinën gjatë dyzet vjetëve të kaluar.

Ndryshimet

Erdha në Kinë për herë të parë në vitin 1981, kur isha një regjisor i ri britanik. Atë vit u shpërngula nga Britania në Nju-Jork dhe fillova punën në kompaninë e transmetimeve ABC, e cila kishte kuriozitet të madh për ndryshimet e Kinës gjatë tridhjetë vjetëve pas vitit 1949 dhe dëshironte të xhironte një dokumentar për Kinën. Kështu, pata fatin që të vija në Kinë si regjisor.

Sigurisht, Kina në fillim të viteve '80-të ishte krejt ndryshe nga sot. Në Pekin, të gjithë gazetarët e huaj banonin në Hotelin e Pekinit dhe në mëngjes mijëra qytetarë shkonin në punë me biçikleta, ndërsa në rrugët e Pekinit shiheshin shumë rrallë makina.

Nga Pekini shkova në krahina të ndryshme të Kinës dhe pashë kudo varfëri ekstreme. Por në fshatrat shumë të largët, u preka thellësisht nga natyra punëtore, këmbëngulëse dhe optimiste e kinezëve të thjeshtë. Gjatë afro nëntë muajve, shkova puthuajse në çdo kënd të Kinës dhe u takova me njerëz të qarqeve të ndryshme, për të bërë përgatitje për dokumentarin tim.

Fjeta në shtëpitë e pritjes të pushtetit vendor, në shtëpitë e fshatarëve e të tregtarëve të vegjël dhe në bordin e anijeve në lumin Jance. Kisha besim se ky do të ishte një dokumentar prekës. Por për fat të keq, kur u ktheva në Pekin, ndodhën probleme në marrëdhëniet midis Kinës dhe ShBA-së dhe u lajmërova se xhirimi do të ndërpritej pa afat. Megjithatë, kalova një turne të paharrueshëm gjatë nëntë muajve, sepse pashë nga afër një qytetërim me një histori 5000-vjeçare dhe ky vend më interesonte aq shumë, sa besova se do të kthehem patjetër këtu.

Gjatë mbi tridhjetë vjetëve të mëvonshëm, xhirova filma në 86 vende e rajone të botës. Por vetëm disa vjet më parë pata rastin të kthehesha për xhirimin e një filmi lidhur me Kinën, sigurisht, por edhe me ShBA-në.

Lidhur me këtë, pata konsensus të fortë në ShBA. Ekonomisti fitues i çmimit "Nobel", "babai i euros" Robert Mundell, dhe ish-sekretari amerikan i Shtetit Henry Kissinger, që e konsiderojnë veten si miq të vendosur të popullit kinez, shpresojnë të prodhojnë një film mbi marrëdhëniet kino-amerikane, për shqyrtimin dhe diskutimin e së ardhmes së dy superfuqive. Sepse, pas rimëkëmbjes dhe zhvillimit mbi tridhjetëvjeçar, Kina është bërë një superfuqi e padiskutueshme.

Misioni

Sot, kur erdha përsëri në Pekin, ndjeva menjëherë pasionin dhe gjallërinë. Pekini është bërë një metropol i madh ndërkombëtar, plot optimizmin, vetëbesim dhe raste. Sigurisht, gjatë këtyre dhjetëra vjetëve kanë ndodhur shumë ndryshime në Kinë. Vendi përpara syve të mi ka ndryshuar krejtësisht, por për këtë perëndimorët shumë rrallë janë të ndërgjegjshëm. Kina po ecën drejt rilindjes në mënyrë të qetë.

Të gjitha këto pasqyrohen në dokumentarin tim me titull "Anët më të mira (Better Angles)".

Duhet të pranoj sinqerisht se fillimisht ne ishim shumë të paditur dhe parashikonim se do ta përfundonim këtë film brenda 18 muajve. Por kur filluam të kërkonim personazhe, histori dhe vende për xhirime, zbuluam se një vit e gjysmë nuk mjaftonin. Pse?

Pse nuk isha i ndërgjegjshëm se pas 40 vjetëve Reformë e Hapje, Kina është bërë një "vend global" dhe nuk është më një "vend i qendrës" i mbyllur dhe i izoluar. Kina ndodhet kudo në jetën tonë, prandaj nëse dëshirojmë të pasqyrojmë historitë e rilindjes së Kinës, duhet të shkojmë edhe në kënde të ndryshme të botës. Pra, krahas Kinës dhe ShBA-së, shkuam edhe në Afrikë, në Evropë dhe në Lindjen e Mesme.

Gjatë procesit të xhirimit, sa më shumë dëgjonim rrëfime nga banorët e thjeshtë, aq më të ndërgjegjshëm ishim që njohja e amerikanëve nga kinezët e thjeshtë ishte shumë më e pasur sesa ajo e amerikanëve të thjeshtë ndaj kinezëve. Kjo është merita e makinerisë së fuqishme të promovimit të ShBA-së. Eksportimi i kulturës pop amerikane, duke përshirë muzikën, filmat, telenovelat, lajmet dhe letërsinë i njohin plotësisht njerëzit e mbarë botës me të mirat dhe të metat e ShBA-së.

Meriton të përmendet se mosekuilibrimi i dukshëm i informacioneve midis dy popujve ka mundësi të shkaktojë dyshime dhe frikë. Ne kemi shpesh frikë nga e panjohura. Ky është karakteri i natyrshëm i njeriut. Por në fushën gjeopolitike, frika dhe mosbesimi do të na sjellin pasoja katastrofike. Një pjesë amerikanësh dhe evropianësh shqetësohen për ngritjen e Kinës, sepse ata nuk e njohin ose nuk e kuptojnë gjendjen reale të Kinës dhe nuk mund të vlerësojnë në mënyrë të arsyeshme zhvillimin e këtij vendi.

Mirëkuptimi

Për këtë arsye e mendoj riekuilibrimin e "deficitit të të kuptuarit" midis Kinës dhe vendeve të tjera të botës si një gjë gjithnjë e më të ngutshme. Përpiqem t'i shpjegoj botës se ngritja e Kinës nuk nënkupton recesionin e ShBA-së apo të ndonjë vendi tjetër.

Pavarësisht nga shmangiet e vogla gjatë zhvillimit, ne duhet të vëmë re sukseset e Kinës gjatë këtyre 40 vjetëve. Në vitin 1981, pashë shumë fëmijë të kequshqyer dhe familje në varfëri. Kurse sot 1.4 miliardë kinezë kanë ushqim çdo ditë. Vetëm për këtë arritje, mendoj se Kina duhet të krenohet. Por a e dinë këtë arritje vendet e tjera të botës? Kam dyshim të madh.

Për t'i ndihmuar ShBA-në dhe vende të tjera të zhdukin dyshimet e tyre për ngritjen e Kinës, Kina ka shumë punë për të bërë. Ka shumë metoda për të promovuar sukseset e veta, historinë e kulturën e lashtë, si dhe përparimet në shkencë, teknologji dhe në art. Nëse kinezët nuk promovojnë vetveten, askush tjetër nuk mund t'i ndihmojë për ta bërë këtë.

Tre vjet më parë, intervistova një gazetar të ri amerikan, që sapo ishte kthyer nga Kina. Ai ishte shumë i dëshpëruar, jo nga përvoja e tij në Kinë, por nga trajtimi i punës së tij në vendin e vet. Këtij të riu i lanë përshtypje të thella ato që pa dhe dëgjoi në Kinë dhe i pasqyroi në njoftimet e tij. Por ai zbuloi se asnjë medie amerikane nuk kishte dëshirë t'i botonte artikujt e tij, madje pa pagesë. Ky i ri u ndërgjegjësua shumë shpejt se, si një gazetar i ri i huaj në Kinë, metoda më e mirë për të siguruar jetesën janë lajmet negative për Kinën, qoftë për ndotjen, krimin apo korrupsionin. Vetëm artikujt e tillë mirëpriten nga tregu. Më në fund, ai hoqi dorë nga puna në Kinë dhe u kthye në vendlindje.

Kina duhet të nxjerrë mësimin se, në fushë të promovimit, ajo nuk mund të varet nga të huajt kureshtarë për Kinën, por duhet të hapë vetë rrugën dhe t'i tregojë botës historitë e saj interesante, por jo të bëjë propagandë të fortë politike. Në këtë drejtim, Kina duhet të mësojë nga ShBA-ja, që ta tregojë veten me guxim. Kur bota të jetë e ndërgjegjshme se ngjashmëritë midis jush dhe nesh janë më të shumta se ndryshimet, besoj se keqkuptimet, dyshimet dhe frikërat për Kinën do të zëvendësohen nga respekti dhe admirimi. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore