Përmirësohen marrëdhëniet midis Kinës dhe Vatikanit

2018-09-27 15:32:44 CRI Komenti juaj Printoni

Në uebsajtin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës u publikua më 22 shtator ky lajm: "Zv.ministri i Jashtëm i Kinës Wang Chao u takua në Pekin me delegacionin e Vatikanit, të kryesuar nga zv.ministri i Marrëdhënieve me Shtetet e Tjera i Vatikanit Antoine Camilleri dhe të dyja palët nënshkruan një marrëveshje të përkohshme mbi emërimin e peshkopëve. Kina dhe Vatikani do të vazhdojnë të ruajnë shkëmbimet, për të vazhduar të çojnë përpara procesin e përmirësimit të marrëdhënieve dypalëshe".

I.

Ky lajm me vetëm dy fjali ka më pak se 100 hieroglife kineze, por përmban një domethënie të thellë dhe është bërë menjëherë fokusi i opinionit brenda e jashtë Kinës.

Sipas komentuesit "Bullpiano" në uebsajtin e agjencisë kineze të lajmeve "Hsinhua", ky lajm jep të paktën tre informacione.

Së pari, të dyja palët zhvilluan negociata në rang zv.ministrash në Pekin. Së dyti, u arrit një marrëveshje e përkohshme në problemin më thelbësor, d.m.th. mbi emërimin e peshkopëve. Së treti, të dyja palët do të vazhdojnë shkëmbimet për të nxitur përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve.

Në këtë lajm nuk flitet shumë për çështjen fetare, por nuk duhet harruar se Vatikani nuk është një shtet i zakonshëm.

Në kohën kur pala kineze shprehu qëndrimin e vet, edhe Vatikani publikoi një deklaratë të ngjashme. Ndër të tjera, në deklaratë thuhet:

"Kjo marrëveshje është rezultat i një afrimi hap pas hapi dhe të ndërsjellë. Ajo u nënshkrua në bazë të konsultimeve të gjata dhe të kujdesshme. Marrëveshja parashikon shqyrtimin e rregullt të zbatimit të saj, që të krijohen kushte për bashkëpunimin më të gjerë dypalësh."

Kjo fjali e fundit, "që të krijohen kushte për bashkëpunimin më të gjerë dypalësh", do të thotë që mbi bazën e tanishme, Kina dhe Vatikani do të kenë një bashkëpunim më të gjerë.

Të dyja palët, që janë shumë të kujdesshme, nuk e përmendin diplomacinë. Por të gjithë ata që kanë njohuri diplomatike e kanë të qartë çfarë nënkuptojnë një marrëveshje e tillë e përkohshme dhe një qëndrim i tillë.

Sipas shumë mediave të huaja, vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve mbetet vetëm një çështje kohe.

II.

Për Kinën, që ka vendosur marrëdhënie diplomatike me pothuajse të gjitha vendet kryesore të botës, nuk ka rëndësi shumë të madhe vendosja ose heqja e marrëdhënieve diplomatike me ndonjë vend. Por mund të thuhet se nga kjo përjashtohet Vatikani.

Ndër të gjitha vendet që kanë të ashtuquajturat "marrëdhënie diplomatike" me Tajvanin, ai me ndikimin më të madh është sigurisht Vatikani. Një fakt shumë interesant është se, nga ana e sipërfaqes dhe e popullsisë, Vatikani është shteti më i vogël në glob, vetëm sa një lagje e një qyteti kinez. Megjithatë, si qendër e katolicizmit, ai ushtron ndikim në një të gjashtën e popullsisë së globit.

Vatikani është gjithashtu i vetmi vend me "marrëdhënie diplomatike" me Tajvanin në Evropë. Me t'u vendosur marrëdhëniet diplomatike midis Vatikanit dhe Kinës, numri i vendeve evropiane me "marrëdhënie diplomatike" me Tajvanin do të jetë zero. Për autoritetet tajvaneze, kjo patjetër do të jetë një goditje e rëndë psikologjike, sepse ato do të hedhin një hap tjetër drejt "zeros" në marrëdhëniet diplomatike me mbarë botën.

III.

Sigurisht, para kësaj marrëveshjeje, Kina dhe Vatikani kanë bërë përpjekje disavjeçare.

Më 14 gusht 2014, sipas njoftimeve të BCC-së dhe të agjencisë "Reuters", Papa Françesku arriti në Korenë e Jugut për një vizitë 5-ditore. Kur avioni i tij i posaçëm fluturoi mbi hapësirën ajrore të Kinës, Papa u dërgoi një telegram përshëndetjeje liderit dhe popullit kinez, duke u shprehur urime për paqe dhe mirëqenie.

Ky është një qëndrim shumë i rëndësishëm.

Por nëse shihen shkëmbimet me Vatikanin vetëm me synimin për të trajtuar çështjen e Tajvanit, komentuesi "Bullpiano" mendon se kjo duket pak dritëshkurtër. Sipas atij, marrëdhëniet midis Kinës dhe Vatikanit pasqyrojnë edhe tre prirjet e mëposhtme.

Së pari, nuk është e arsyeshme që Kina, vendi me popullsinë më të madhe në botë, dhe Vatikani, vendi më i vogël në botë, nuk kanë rivendosur ende marrëdhëniet diplomatike pas ndërprerjes së tyre në vitin 1951. Prandaj, vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis tyre është prirje e domosdoshme.

Së dyti, pse marrëveshja u nënshkrua tani? Në fund të fundit, në bashkinë ndërkombëtare ka pasur zëra për vendosjen e marrëdhënieve midis Kinës dhe Vatikanit pothuajse çdo vit gjatë disa vjetëve të kaluar. Mund të pyesim edhe Tajvanin, pse aq shumë nga vendet me të ashtuquajtura "marrëdhënie diplomatike" me të i ndërprenë marrëdhëniet njëri pas tjetrit këto vitet e fundit.

Së treti, ky është rezultati i kërkimit të përfitimeve të përbashkëta. Për Vatikanin, do të sjellë më në fund vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me vendin me popullsi më të madhe në botë, ndërsa për Kinën, kjo është një tjetër paraqitje e vazhdimit të hapjes së saj dhe e bashkimit me të gjitha vendet që mund të bashkohen.

Përmirësimi i marrëdhënieve midis Kinës dhe Vatikanit me siguri do të ushtrojë një ndikim të thellë mbi gjeopolitikën dhe strukturën globale. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore