Zyrtarët kinezë: Rreziqet nga fërkimet tregtare kino-amerikane ndaj ekonomisë kineze, nën kontroll

2018-09-26 08:37:57 CRI Komenti juaj Printoni
Më 25 shtator, funksionarët nga Ministria e Tregtisë, Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe i Reformës, Ministria e Industrisë dhe e Teknologjisë së Informacionit dhe Zyra Kombëtare për të Drejtat e Pronësisë Intelektuale e Kinës u mblodhën në Zyra e Informacionit të Këshillit të Shtetit, për t'iu përgjigjur interesit të mediave lidhur me çështjet kryesore mbi fërkimet ekonomiko-tregtare kino-amerikane. Zyrtarët kinezë u shprehën që fërkimet tregtare, të nisura njëanshëm nga pala amerikane, mund të godasin rëndë dhe të kenë ndikim negativ mbi zinxhirin industrial global. Kina ka aftësi të plotë të shmangë ndikimet me anë të zgjerimit të kërkesës së brendshme dhe të nxitjes së zhvillimit cilësor. Rinisja e konsultimeve ekonomiko-tregtare të nivelit të lartë Kinë-ShBA varet tërësisht nga vullneti i palës amerikane.
 

Librin e bardhë "Faktet dhe qëndrimi i palës kineze për fërkimet tregtare Kinë-ShBA"

Fërkimet tregtare kino-amerikane, të provokuara në mënyrë të njëanshme nga pala amerikane, tërheqin vëmendjen e gjithë globit. Autoritetet kineze publikuan të hënën librin e bardhë "Faktet dhe qëndrimi i palës kineze për fërkimet tregtare Kinë-ShBA", me qëllim sqarimin e realitetit të marrëdhënieve ekonomiko-tregtare Kinë-ShBA, duke shtjelluar politikat e qëndrimet e Kinës për këtë problem dhe duke nxitur zgjidhjen e tij.
 
Në konferencën e shtypit, zv.ministri i Tregtisë dhe njëkohësisht zv.përfaqësuesi i Kinës në negociatat e tregtisë ndërkombëtare, Wang Shouwen, ritheksoi që Kina do ta mbajë të hapur gjithmonë derën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve tregtare nëpërmjet konsultimeve dhe bisedimeve. Sipas tij, rifillimi i konsultimeve tregtare të nivelit të lartë mes dy palëve varet krejtësisht nga pala amerikane.
 
"Nëse dëshiron të arrish rezultate nga bisedime, së pari, duhet trajtim i barabartë dhe respekt i ndërsjellë. Tani pala amerikane ka marrë masa të kufizimit tregtar në shkallë të gjerë dhe e ka vendosur thikën mbi qafën e të tjerëve, gjë që nuk është në favor të bisedimeve dhe konsultimeve të barabarta. Së dyti, duhet të tregosh sinqeritetin dhe të mbash premtimin për bisedimet dhe konsultimet. Kina dhe ShBA-ja kanë zhvilluar katër raunde konsultimesh të nivelit të lartë. Nga këto konsultime janë arritur një numër jo i vogël konsensusesh. Madje të dy palët kanë publikuar deklaratën e përbashkët, por pala amerikane i shkeli premtimet e saj, i braktisi këto konsensuse dhe ka marrë masa tregtare kufizuese, gjë që e bën të pamundur vazhdimin e bisedimeve. Prandaj, dëshiroj të theksoj që, nëse ka sinqeritet, nëse të dy palët janë të barabarta në bisedime dhe mbajnë premtimet, mund të gjejmë rrugëdalje nëpërmjet bisedimeve," tha Wang Shouwen.

 Zv.ministri i Tregtisë dhe njëkohësisht zv.përfaqësuesi i Kinës në negociatat e tregtisë ndërkombëtare, Wang Shouwen.

 
Ditët e fundit, ShBA-ja i "ka intensifikuar më tej" masat e saj dhe ka vendosur tarifa shtesë mbi produktet kineze me vlerë 200 miliardë dollarë. Zv.kryetari i Komitetit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës të Kinës Lian Weiliang u shpreh hapur se kjo do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë
mbi ekonominë kineze. Por në përgjithësi, sipas tij, rreziqet janë të kontrollueshme. Ekonomia kineze mund të zbutë goditjen nëpërmjet zgjerimit të kërkesës së brendshme dhe nxitjes së zhvillimit cilësor.
 
"Në vitin 2017, vëllimi ynë i përgjithshëm ekonomik arriti në 12.7 trilionë dollarë. Vlera e eksporteve ishte 2.26 trilionë dollarë, prandaj 200 miliardë dollarë zënë vetëm 8.8 % të eksportit të përgjithshëm. Duke marrë parasysh tregtinë e përpunimit, ndikimet ndaj vlerës së shtuar mund të jenë më të pakta. Një nga karakteristikat kryesore të ekonomisë kineze është struktura e plotë e sektorëve të saj. Përbërja e saj është e shumëllojshme dhe pjesët e ndryshme të saj plotësojnë dhe zëvendësojnë njëra-tjetrën. Kështu, kur ekonomia kineze përballet me goditje të jashtme, tregon qëndresë dhe elasticitet të madh. Popullsia jonë është gati 1.4 miliardë, duke e kaluar popullsinë e përgjithshme të ekonomive të zhvilluara. Të ardhurat vjetore për frymë janë afro 9000 dollarë dhe, krahas kësaj, ka një prirje të dukshme të përshkallëzimit të konsumit. Mund të themi që në tregu i brendshëm ka potencial të madh, " thotë Lian Weiliang-u.
 
Zv.kryetari i Komitetit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës shtoi se kompanitë kineze të import-eksportit po e rritin vazhdimisht aftësinë e tyre për t'u përshtatur me tregun. Lian shprehu besimin e tij ndaj kompanive kineze përballë provave të tregut.

Një gjë që vlen të vihet në dukje është që, në rrethanat e globalizimit ekonomik, fërkimet ekonomiko-tregtare mes dy ekonomive më të mëdha, Kinës dhe ShBA-së, do të sjellin goditje të rënda ndaj zinxhirit industrial global. Zv.ministri i Industrisë dhe i Teknologjisë së Informacionit Luo Wen u shpreh:
 
"Në kushtet e globalizmit ekonomik, ekonomitë e vendeve të ndryshme janë integruar thellësisht në zinxhirin industrial global. Vendet e ndryshme nuk bëjnë më vetëm tregti të thjeshtë, por ato mbështeten në rrjetin e ndërthurur të prodhimit. Kërkimi, projektimi, përpunimi, prodhimi, transporti dhe shitja e një produkti kryhet bashkë nga vendet e ndryshme. Industritë e vendeve të ndryshme varen nga njëra-tjetra dhe ndërthuren me njëra-tjetrën. Është formuar kështu një marrëdhënie e ndërvarur, ku nëse një palë fiton ose dëmtohet, edhe palët e tjera përkatësisht fitojnë ose dëmtohen. Shtimi i tarifave doganore nga pala amerikane, me një fjalë, prish sistemin normal të industrive ndërkombëtare, shkakton shkëputjen e industrive të ndërlidhura dhe rrezikon zinxhirin  industrial global."
 
Luo Wen shtoi se unilateralizmi dhe proteksionizmi i ShBA-së i ka detyruar vendet e botës të marrin kundërmasa. Njëkohësisht, tarifat e shtuara doganore prishin edhe normalitetin e tregtisë ndërkombëtare të mallrave dhe shpërndarjen e burimeve, dhe ul efektivitetin e ekonomisë globale. Në këtë situatë, rregullat e tanishme ekonomike dhe tregtare mund të dëmtohen, madje të përmbysen. Kështu do të thellohet rreziku i çrregullimit të zinxhirit industrial.  
 
Mrekulli
Lajmet Kryesore