Duhen zëra racionalë për marrëdhëniet kino-amerikane

2018-09-11 14:39:53 CRI Komenti juaj Printoni

Ditët e fundit, në Nju-Jork dhe Uashington Instituti "Chongyang" për Studimet Financiare pranë Universitetit Renmin të Kinës dhe disa institucione studimore të tjera amerikane organizuan dialogët për çështjet financiare midis instituteve të studimit të politikave Kinë-ShBA. Në takimet dyditore, intelektualë, specialistë dhe përfaqësues të qeverive të të dy vendeve shkëmbyen thellësisht mendime lidhur me fërkimet tregtare Kinë-ShBA, duke u përpjekur të gjejnë rrugëdalje për mosmarrëveshjet. Këta janë dialogët e parë në nivel të lartë ndërmjet instituteve të studimit të politikave të të dy vendeve qysh nga fillimi i vitit, kur ShBA-ja filloi të ndërmarrë në mënyrë të njëanshme një sërë masash, gjë që sollën përshkallëzimin e mosmarrëveshjeve. Në këto kushte, zhvillimi i diskutimeve të tilla ka një domethënie shumë të rëndësishme.



Gjatë tryezës së rrumbullakët të zhvilluar bashkërisht nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) e ShBA-së e Instituti "Chongyang" i Universitetit Renmin të Kinës, ambasadori i Kinës në ShBA Cui Tiankai mbajti një fjalim. Ndër të tjera në këtë fjalim diplomati kinez vuri në dukje: "Mbi bazën e respektit të ndërsjellë, pala kineze i është përkushtuar mbajtjes së një qëndrimi të ekuilibruar që merr parasysh interesat e të dy palëve, për të zgjidhur çështjet ekonomiko-tregtare me anë të bisedimeve dhe konsultimeve serioze, pragmatike dhe thelbësore. Në këtë proces të dy palët duhet të tregojnë mirëkuptim dhe sinqeritet ndaj njëra-tjetrës. Me anë të kësaj mënyre, zgjidhja e problemeve ekonomiko-tregtare nuk do të jetë aq e vështirë. "

Ambasadori kinez Cui nënvizoi gjithashtu faktin që ka prej atyre që, megjithëse janë në poste të rëndësishme, u mungon gjykimi praktik. Ata mendojnë se mund të shpërfillin ligjet ekonomike, të monopolizojnë përgjithmonë teknologjitë e reja, të fajësojnë të tjerët për të shmangur përgjegjësinë e tyre, si edhe të armiqësohen me të tjerët që të vënë në dukje "madhësinë" e vet. Është kjo lloj mendësie që rrit pasigurinë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe sjell vështirësi në marrëdhëniet tregtare kino-amerikane.

Për fat të mirë, në Shtetet e Bashkuara ende ka zëra racionalë nga sipërmarrësit, intelektualët dhe strategjistët që bëjnë thirrje për rrugëdalje, me qëllim zhvillimin e shëndetshëm të marrëdhënieve kino-amerikane. Në fund të gushtit Përfaqësuesi Tregtar i ShBA-së zhvilloi një sërë seancash dëgjimore për vendosjen e tarifave mbi mallrat kineze me vlerë 200 miliardë dollarë. Gjatë seancave maratonë ndihej shqetësimi i ndërmarrjeve amerikane lidhur me luftën e tregtare dhe qëndrim kundërshtues i tyre. Kompanitë amerikane frikësohen se, me ndërprerjen e zinxhirit të furnizimit dhe të qasjen në tregun kinez, nuk do të kenë kohë të mjaftueshme për të eksploruar tregje të tjera dhe kostoja do të rritet. Barra e rritjes së kostos ose do të mbahet nga vetë kompanitë, ose do t'u kalojë konsumatorëve. Pavarësisht si do të jetë rezultati, është e vështirë për qytetarët amerikane të përballen me këtë fakt.


Fituesi i Çmimit "Nobel" për Ekonominë, profesor i Universitetit të Kolumbias Joseph Stiglitz është shprehur se mendimi i Trump-it për nisjen e luftës së gjithanshme tregtare me Kinën do të çojë në "ekzistencën kudo të taksave". Rritja e kostos në përmasa të mëdha përfundimisht do të përballohet nga qytetarët, prandaj shtresa më e varfër e shoqërisë amerikane do të pësojë goditjen më të rëndë.


Robert J. Samuelson është gazetar i së përditshmes "Washington Post" dhe prej vitesh merret me çështjet ekonomike dhe tregtare. Ditët e fundit, në një artikull të tij me titull "Lufta tregtare e Trump-it mund të dështojë", Samuelson-i shkruan: "Kur gjithçka të thuhet dhe të bëhet, lufta tregtare e nisur nga presidenti Trumpi mund të përfundojë me dështim".



Në artikull, Samuelson përmend disa arsye për humbjen e luftës tregtare nga Trump-i. Njëra prej tyre është që objektivat e luftës tregtare të Trump-it, sidomos Kina, Japonia dhe Gjermania, nuk do të pranojnë kërkesat e Trump-it. Arsye tjetër është kundërshtimi i brendshëm në ShBA nga kompanitë amerikane të prekura nga tarifat e shtuara doganore, që mbajnë qëndrim të ashpër kundërshtues ndaj luftës tregtare. Edhe po të shmangeshin dy shkaqet e sipërpërmendura, politika tregtare e Trump-it mund të gjendej para një kërcënimi më të madh, sfidës ndaj rolit të dollarit si monedha kryesore në botë. Dollari është shkak thelbësor i deficitit afatgjatë tregtar të ShBA-së.

Samuelson nënvizon se dollari është monedhë kryesore ndërkombëtare, d.m.th., edhe kur ShBA-ja nuk përfshihet drejtpërdrejt në tregti, dollari përdoret për tregtinë dhe investimet ndërkufitare. Kërkesa e tepërt për dollarin ngre vlerën e tij në tregun valutor. Kështu, eksportet e ShBA-së bëhen më të shtrenjta, ndërsa importet më të lira. Por ShBA-ja përfiton nga ky fakt, sepse importi frenon inflacionin dhe konsumatorët amerikanë kanë më shumë zgjedhje. Krahas kësaj, rrjedha e parave në instrumente në dollarë në sistemin bankar, tregun e bonove dhe të aksioneve, ul interesat.

Sigurisht, në këtë proces janë bërë viktima fermerët, prodhuesit dhe punëtorët, të cilët përballen me konkurrencën e ashpër nga vendet e huaja, si në tregun e brendshëm, edhe atë ndërkombëtar. Por këto arsye nuk është e lehtë t'i shpjegohen publikut. Mënyrë më e thjeshtë e shpjegimit janë fjalët që përdor Trump-i, sipas të cilit deficiti i tregtisë amerikane dëshmon diskriminimin e vendeve të tjera ndaj produkteve amerikane, kontrollin jo të rreptë nga ShBA-ja mbi importet etj. Rrugëdalja sipas Trump-it është eliminimi i diskriminimit dhe masat shtrënguese ndaj importit. Që atëherë, presidenti Trump ka hyrë në bisedime të pafund me aleatët e vet dhe Kinën.

Samuelson shton që, edhe sikur të fitonte ShBA-ja në këto bisedime, situata e deficitit tregtar nuk do të kishte ndryshim të madh, sepse ajo varet nga fakti që dollari është monedha kryesore ndërkombëtare. Rritja e vlerës së dollarit do të çojë në zgjerimin e mëtejshëm të deficitit tregtar. Presidenti Trump e ka futur veten në rrugë pa krye.

Gjatë dialogëve mes instituteve të studimit të politikave Kinë-ShBA, pjesëmarrësit kanë shprehur hapur mendimet e veta, duke theksuar që, në këtë moment kyç në marrëdhëniet ekonomike-tregtare, shprehja e mendimeve dhe e shqetësimeve dhe sqarimi i keqkuptimeve nga të dy palët është në favor të nxitjes së mirëkuptimit dhe bashkëpunimit mes dy qeverive, dhe ka rëndësi për trajtimin e fërkimeve tregtare dhe ruajtjen e marrëdhënieve kino-amerikane. Të pranishmit në dialogët theksuan që marrëdhëniet midis Kinës dhe ShBA-së janë një prej marrëdhënieve më të rëndësishme dypalëshe në botë dhe marrëdhëniet ekonomiko-tregtare janë baza e rëndësishme e formimit të marrëdhënieve dypalëshe. Megjithëse tani ka disa divergjenca tregtare, tregtia me përfitime të ndërsjella ndërmjet dy vendeve nuk ka ndryshuar. Tregtia ka nxitur zhvillimin ekonomik të të dy vendeve. Të dyja palët do të vazhdojnë të konsolidojë bazën e marrëdhënieve dypalëshe dhe kanë ende perspektiva të gjerë për bashkëpunimin ekonomiko-tregtar.

Trump-i ka për qëllim të ulë deficitin tregtar të ShBA-së, që vendi i tij të jetë më i lulëzuar nëpërmjet luftës tregtare. Por, a do të arrijë objektivin e tij me veprime të tilla? Profesori i Universitetit të Harvardit, ish-sekretari i Thesarit Lawrence Summers, vë në dukje në një artikull se Trump-i i vë masat agresive tregtare në qendër të menaxhimit të ekonomisë dhe kjo është problematike. Siç kanë vënë në dukje një numër ekonomistësh, rregullimi i politikave tregtare nuk do të ketë ndikim të dukshëm për rritjen e punësimit ose të GDP-së së vendit, përkundrazi, liberalizimi tregtar do të nxisë lulëzimin e ShBA-së.

Zv.dekani i Universitetit Renmin të Kinës dhe njëkohësisht anëtar i bordit ekzekutiv të Institutit "Chongyang" për Studimet Financiare, prof. Liu Yuanchuan, thotë se besimi i ndërsjellë midis instituteve të studimit të politikave kino-amerikane ka një rol të rëndësishëm për marrëdhëniet dypalëshe. Zhvillimi i dialogut në këtë kohë të ndjeshme do të jetë në favor të eliminimit të keqkuptimit, të matjes së pulsit të kohës dhe të hedhjes së syve drejt së ardhmes nga të dy palët. Përfaqësuesit e palës amerikane në dialogë thanë që, përfundimisht ShBA-ja ka nevojë të zgjidhë mosmarrëveshjet me Kinën nëpërmjet bisedimeve. Ata sugjerojnë që të dy vendet të zgjerojnë fushat e bashkëpunimit, të menaxhojnë divergjencat dhe të zhvillojnë dialog konstruktiv mbi çështjet dypalëshe, si edhe të shmangin konfrontimin ndërmjet të dy palëve.

(Tang Xianying, gazetar i së përditshmes "Guangming Daily" në Uashington)

Mrekulli
Lajmet Kryesore