Evropa nuk ka "oreks" për sojën amerikane të refuzuar nga Kina

2018-08-01 14:09:22 CRI Komenti juaj Printoni
Më 25 korrik, pas bisedimeve dyorëshe, presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump dhe presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Junker gjetën gjuhën e përbashkët për mosvendosjen e tarifave të reja hakmarrëse gjatë fazës së konsultimeve dypalëshe. Kjo arritje mund të thuhet se shtypi butonin "Pushim" të fërkimeve tregtare mes dy brigjeve të Oqeanit Atlantik, të cilat mund të përshkallëzohen në çdo kohë.

 
 
Por gjatë ditëve të fundit, detajet e publikuara nga të dy palët rreth projektit "Tre zero" të presidentit Trump, pra "tarifa zero, pengesa jotarifore zero dhe subvencion zero për produktet e industrisë së automjeteve", kanë qenë "një deklaratë me dy interpretime".
 
Në një miting më 26 korrik në Ajova, një shtet i madh bujqësor i ShBA-së Qendrore-Perëndimore, Donald Trump-i deklaroi përpara pjesëmarrësve i emocionuar: "Sapo kemi hapur dyert e Evropës për ju fermerët... Sapo keni gjetur një treg të madh". Për të siguruar efektin maksimal pamor dhe për të tërhequr vëmendjen e të pranishmëve, Trump-i mori një kapelë të gjelbër ku ishin shkruar me ngjyrë të verdhë  fjalët: "T'i bëjmë fermerët tanë përsëri të mëdhenj". Megjithatë, një sondazh i fundit tregon se popullariteti i Trump-it në këtë shtet, i cili ka qenë pro tij, është duke rënë.
 
Po atë ditë, Përfaqësuesi Tregtar i ShBA-së Robert Lighthizer u shpreh në mënyrë të prerë në një seancë dëgjimore në Kongresin amerikan: "Opinioni ynë është që ne po negociojmë për bujqësinë, pikë". Për fat të keq, në bregun tjetër të Atlantikut, zyrtarët evropianë u shprehën se "bujqësia nuk është pjesë (e negociatave), por vetëm pikat e përmendura në deklaratë."
 
Radhëve të tyre iu bashkuan edhe presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe kryeministri spanjoll Pedro Sánchez. Macron-i nuk përkrah zhvillimin e negociatave në shkallë të gjerë, të tipit të Partneritetit Transatlantik të Tregtisë dhe të Investimeve (TTIP), duke argumentuar që një marrëveshje e mirë tregtare ngrihet vetëm mbi bazën e ekuilibrimit dhe të përfitimeve të përbashkëta dhe nuk është subjekt i ndonjë kërcënimi. Presidenti francez e kundërshton përfshirjen e bujqësisë në ndonjë marrëveshje tregtare. "Jam i mendimit që, në aspektin e mjedisit, shëndetit dhe ushqimit, standardet evropiane nuk duhet të kufizohen ose të ulen," tha ai. Ndërsa Sánchez-i theksoi "mbrojtjen e politikave të përbashkëta të BE-së për bujqësinë". "Spanja nuk beson te unilateralizmi dhe as nuk beson në imponimin nga ndonjë ekonomi e veçantë të politikave dhe të standardeve të veta mbi të tjerët në tregtinë ndërkombëtare," tha kreu i qeverisë spanjolle.

 
Pse Evropa dhe ShBA-ja mbajnë qëndrim të kundërt mbi çështjen bujqësore?
 
Bujqësia është një çështje delikate në tregtinë mes dy brigjeve të Oqeanit Atlantik, sepse të dyja palët janë të përkushtuara për mbrojtjen dhe ngritjen e produktivitetit të vet bujqësor. Sipas të dhënave evropiane, subvencionet e BE-së për fermerët në vit shkojnë në 59 miliardë euro, ose 68 miliardë dollarë amerikanë. Revista "The Economist", ndërkohë, ka bërë të ditur, duke cituar të dhënat e publikuar nga Organizata e Bashkëpunimit dhe e Zhvillimit Ekonomik, që në vitin 2016, llojet e ndryshme të subvencioneve të qeverisë amerikanë për fermerët arritën në vlerën e rreth 33 miliardë dollarëve amerikanë.
 
Faktikisht, mosmarrëveshjet midis ShBA-së dhe BE-së për sa u përket çështjeve bujqësore kanë qenë një nga arsyet e mosarritjes së TTIP-it pas tre vjetësh negociimi. Evropa propozoi vendosjen e "Treguesve gjeografikë", në një përpjekje për të ndaluar produktet amerikane me emra të ngjashme markash me ato europiane të hynin në tregun evropian, gjë që u kundërshtua ashpër nga pala amerikane. Evropa nuk pranon gjithashtu të importojë produkte gjenetikisht të modifikuara nga ShBA-ja.
 
Veprime të tilla pasqyrojnë shqetësimin e thellë të Brukselit: sistemi evropian i bujqësisë me modelin tradicional të punishteve familjare nuk mund të konkurrojë me sistemin modern amerikan, megjithëse "Wall Street Journal" ka cituar të dhënat e qeverisë amerikane, sipas të cilave në fushën e agrobiznesit BE-ja ka një suficit tregtar me ShBA-në që arrin në 9.4 miliardë dollarë amerikanë.
 
Pavarësisht që një numër liderësh të vendeve kryesore evropiane nuk pranojnë përfshirjen e bujqësisë në projektin e "Tre zerove" të bisedimeve tregtare, BE-ja është shprehur se do ta respektojë angazhimin e saj. Zëdhënësja për shtypin  e BE-së Mina Andreeva u tha gazetarëve: "Nëse lexoni deklaratën e përbashkët... do të shikoni se ajo nuk përmend bujqësinë, por përmend fermerët dhe sojën, që janë pjesë e diskutimeve, dhe ne do të veprojmë në këtë drejtim."

 
Mirëpo, a ka vërtet aftësi Bashkimi Evropian ta ndihmojë Uashingtonin lidhur me problemin e sojës të shkaktuar nga kundërmasa e Kinës?
 
Kompania "Bloomberg" i dha kësaj pyetjeje përgjigjen "Jo". Sipas një raporti të saj, tregu evropian është një prej pak tregjeve alternative për fermerët amerikanë të sojës, por është shumë larg përmasës së konsumit të Kinës. Në vitin 2017 Kina importoi 12.3 miliardë dollarë sojë amerikane, ndërsa importi i BE-së ishte vetëm 1.6 miliardë dollarë. Parashikohet që kërkesa e Evropës për sojën amerikane në periudhën 2018-2019 do të jetë rreth 15.3 milionë tonë, që është me pak sesa një e gjashta e konsumit të parashikuar të Kinës. Administrata e Trump-it nisi luftë tregtaren me Kinën, duke shkaktuar marrjen e kundërmasave nga kjo e fundit, gjë që solli dëmtimin e fermerëve amerikanë të sojës dhe ushtrimin e trysnisë mbi vetë Trump-in nga deputetët republikanë të shteteve bujqësore, gjë që Evropa nuk mund ta lehtësojë.  
 
Në një raport të agjencisë "Reuters" me titull "Ulja e çmimeve dhe jo fjalët do të shtojnë shitjen e sojës amerikane në BE",  thuhet që marrëveshja e re midis Evropës dhe ShBA-së mbi shtimin e importit të sojës amerikanë ka vetëm domethënie simbolike. Për arsye që, para takimit në Shtëpinë e Bardhë, BE-ja filloi të shtojë importin e sojës amerikane për shkak të uljes së çmimit në treg, parashikohet se çmimi i sojës amerikane në gusht do të jetë 20 dollarë për ton më i ulët sesa soja e Amerikës Latine. Një funksionar evropian u shpreh për agjencinë "AFP" se, megjithëse BE-ja ka rënë dakord për të shtuar importin e sojës amerikane, sasia konkrete do të varet nga tregu evropian.
 
Revista amerikane "Mother Jones" ka vënë në dukje se soja amerikane zë afro një të tretën e vëllimit të përgjithshëm të sojës që importon BE-ja dhe shtimi i importit evropian do të ketë ndikim të kufizuar mbi eksportin e sojës nga ShBA-ja. Në kushtet e bisedimeve të tregtisë së jashtme BE-ShBA dhe subvencioneve nga qeveria e ShBA-së, çmimi i sojës amerikane arriti në 8.95 dollarë për shinik, por sipas analizës së Universitetit Illinois, fermerët amerikanë mund të sigurojnë fitime vetëm kur çmimi të ngrihet në 10.05 dollarë për shinik.
 
Fermerëve amerikanë të sojës u duhet një treg i qëndrueshëm eksporti dhe jo kuponat e subvencionit të qeverisë. Tregu i ri evropian që ka gjetur administrata e Trump-it, nuk ka aq "oreks" për sojën e refuzuar nga Kina. Mbi 31 milionë fermerë amerikanë që po humbin tregun kinez që kanë fituar prej vitesh, nuk shpëtohen dot nga subvencioni qeveritar. (Wang Xianya)

 

Mrekulli
Lajmet Kryesore