Kush kontrollon topin në luftën e tregtisë globale?

2018-07-24 16:58:14 CRI Komenti juaj Printoni

Të dielën në kryeqytetin e Argjentinës Buenos-Aires përfundoi mbledhja dyditore e ministrave të Financave dhe guvernatorëve të bankave qendrore të vendeve të G20-s. Problemi i tregtisë ishte pa dyshim fokusi i kësaj mbledhjeje. Megjithëse në deklaratën e përbashkët të publikuar në përfundim të kësaj mbledhjeje theksohet se vendet e ndryshme kanë nevojë të forcojnë dialogun për të përballuar rreziqet e sjella nga mosmarrëveshjet tregtare ndaj ekonomisë globale, ministri i Financave i Francës Bruno Le Maire tha se ShBA-ja duhet të heqë së pari tarifat doganore ndaj produkteve të çelikut dhe të aluminit, përndryshe, BE-ja nuk mund të zhvillojë bisedime të tregtisë së lirë me ShBA-në. Ai theksoi se, për sa i përket çështjes se si dhe kur do të nisin bisedimet e tregtisë me ShBA-në, Franca dhe Gjermania kanë një qëndrim të përbashkët, d.m.th., Uashingtoni duhet të "hedhë hapin e parë", duke anuluar tarifat ndaj produkteve të çelikut dhe të aluminit.

Ata që janë të vëmendshëm duhet ta kenë vënë re faktin se qysh nga marsi i këtij viti, kur ShBA-ja shpërtheu luftën tregtare me vendosjen e tarifave ndaj produkteve të importuara të çelikut dhe të aluminit, sipas nenit 232 të "Ligjit të zgjerimit të tregtisë" të vitit 1962, një dukuri është përsëritur herë pas here në mosmarrëveshjet tregtare globale. Nga njëra anë, ShBA-ja ua ka ngarkuar të gjitha përgjegjësitë për zgjidhjen e problemeve partnerëve të saj tregtarë kryesorë, përfshirë Kinën dhe BE-në, dhe pretendon si një "e dëmtuar" se "topi" për zgjidhjen e problemit "është në fushën e palës tjetër". Ndërkohë, ShBA-ja ka marrë pandërprerë masa njëra pas tjetrës, duke ngritur "shkopin" e tarifave, i cili përdoret vetëm nga "dëmtuesi". P. sh., pas shtimit të tarifave ndaj produkteve të çelikut dhe të aluminit, ShBA-ja kërcënon tani të shtojë tarifat edhe mbi automjetet që BE-ja eksporton në ShBA dhe, njëkohësisht, vlera e mallrave të importuar nga Kina mbi të cilat do të vendosen tarifa shtesë do të rritet nga 50 miliardë në 200 miliardë dollarë amerikanë.

Tani lind pyetja se në fushën e kujt është topi i kësaj lufte tregare, që përfshin mbarën globin. Për t'i përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet t'i hedhim një vështrim historisë.

Në një artikull të publikuar të premten e kaluar në revistën britanike "The Economist", me titull "Donald Trump-i po shpërthen luftën tregtare në shumë fronte", bëhet një përmbledhje e këtij raundi të luftës tregatare me ilustrime dhe vihet në dukje se "presidenti amerikan mendon se fitimi i luftës tregtare është një gjë shumë e lehtë, tepër e lehtë, prandaj ai shpërtheu luftën tregtare në shumë fronte." E kush mund ta kundërshtojë një gjë të tillë!

Më 22 janar, qeveria e Trump-it shpalli se qysh nga 7 shkurti do të nisë zyrtarisht shtimi i tarifave ndaj paneleve diellore dhe makinave larëse të importuara me vlerë prej 9 miliardë dollarësh amerikanë.

Më 1 mars, qeveria e Trump-it shpalli se qysh nga 23 marsi do të shtojë tarifat ndaj produkteve të çelikut dhe të aluminit të eksportuara në ShBA, me vlerën prej 47.8 miliardë dollarësh amerikanë.

Më 22 mars, qeveria e Trump-it shpalli se do të vendosë tarifa ndaj mallrave kineze të importuara me vlerë 50 miliardë dollarë amerikanë, dhe për 34 miliardë dollarë prej tyre u vunë në zbatim qysh nga 6 marsi.

......

Për provokimet e njëpasnjëshme nga ShBA-ja nëpërmjet shtimit të tarifave, palët përkatëse, si Kina, BE-ja, Kanadaja, Meksika, India dhe Turqia kanë marrë kundërmasa dhe kanë ngritur padi nëpërmjet mekanizmit të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të Organizatë Botërore të Tregtisë. Pavarësisht nga kundërgoditjet apo paditë në Organizatën Botërore të Tregtisë, palët kanë shprehur vullnetin e tyre për konsultime dhe bisedimet në kornizën e mekanizmit të OBT-së. Ashtu siç vuri në dukje ministri i Financave i Francës Bruno Le Maire, ShBA-ja duhet të heqë dorë së pari nga politika e shtimit të tarifave dhe Evropa nuk mund të zhvillojë bisedime me detyrim. Fjalët e ministrit francez e kanë paraqitur shumë qartë qëndrimin: "Ekipi amerikan, topi është në gjysmëfushën tënde!"

Qeveria amerikane e mban në dorë "topin" e tarifave, por nuk dëshiron të hedhë ndonjë hap, dhe njëkohësisht ka hedhur baltë mbi "lojtarët" e tjerë që detyrohen të marrin pjesë në këtë ndeshje. ShBA-ja vepron kështu për të vetmen arsye se nuk dëshiron fare ta përfundojë këtë luftë tregtare, madje shpreson ta vazhdojë nën kontrollin e vet.

Në mbledhjen e ministrave të Financave dhe të guvernatorëve të G20-ës, presidentja e Fondit Monetar Ndërkombëtar Christine Lagarde shprehu haptazi shqetësimin për ndikimet negative të vazhdimit të kësaj lufte tregare ndaj rritjes së ekonomisë globale. Sipas parashikimeve të FMN-së, lufta tregtare do ta ulë 0.5 % rritjen e ekonomisë globale dhe do të sjellë një humbje të prodhimit me vlerë afro 430 miliardë dollarë amerikanë. Si ekonomia numër një në botë, pse ShBA-ja ndjek mënyrën ekstreme të të vepruarit, duke bërë "vetëvrasje"? Përgjigjja është të dhënat, të dhënat dhe përsëri të dhënat. Sipas raportit të kompanisë amerikane "JPMorgan", edhe sikur Shtëpia e Bardhë të zbatojë zyrtarisht të gjitha masat kërcënuese për shtimin e tarifave, këto produkte zënë vetëm një të tretën e vëllimit të përgjithshëm të produkteve të importuara nga ShBA-ja. Për këtë arsye, qeveria amerikane mendon se kjo është një luftë të cilën ajo mund ta vazhdojë.

A është e vërtetë kjo? Në kohën e sotme kur globalizimi është përhapur kudo, tregtia e ka kapërcyer sferën e vetë tregtisë. Në një koment të 21 korrikut të gazetës britanike "Financial Times" paralajmërohet se shkelja nga ShBA-ja e rregullave të OBT-së dhe orvatjet e saj për proteksionizëm e luftë tregtare të pafund do të shkaktojnë përhapjen e proteksionizmit dhe do të kenë edhe ndikime gjeopolitike e madje do të shkatërrojnë rendin ndërkombëtar, që është shumë i dobët tani. Duke iu referuar fjalëve të njohura të ekonomistit amerikan të shekullit të kaluar Otto Todd Mallery, në koment thuhet: "Kur nuk kalojnë kufirin mallrat, e kalojnë ushtarët." Në koment shprehet mendimi se ndoshta realiteti nuk është aq i thjeshtë sa fjalët e Mallery-t, por ekziston një prirje e tillë.

Kush e kontrollon "topin" që shpërtheu luftën tregtare globale? Megjithëse Trump-i e konsideron si "armik të ShBA-së", BE-ja e quan prapëseprapë veten si aleate të ShBA-së. Por "aleatja" nuk është "pronarja e aleancës". Sipas ministrit Le Maire, ShBA-ja duhet të tregohet pak a shumë "e arsyeshme" e "të respektojë rregullat e tregtisë shumëpalëshe", duke i zgjidhur mosmarrëveshjet tregtare me BE-në e Kinën nëpërmjet dialogut. Nuk e dimë nëse qeveria amerikane i kupton fjalët e ministrit francez.

Nuk është e çuditshme që edhe mund të mos i kuptojë. Në fund të fundit, në fjalorin e amerikanëve, "soccer" zëvendëson "futbollin", fjalën që gjendet në fjalorët e popujve të tjerë të botës. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore