Sqarime mbi tre thashetheme lidhur me mosmarrëveshjen tregtare kino-amerikane

2018-07-18 11:12:46 CRI Komenti juaj Printoni

Ditët e fundit po përhapen në internet tre thashetheme lidhur me mosmarrëveshjen tregtare midis Kinës dhe ShBA-së. Në këtë artikull dëshiroj të hedh dritë mbi këto fjalë të pabaza.

1. Organizata Botërore e Tregtisë ka hedhur poshtë padinë e Kinës kundër tarifave të reja të palës amerikane, të quajtur "Hetimi 301", dhe ka gjykuar se kundërmasat e Kinës shkelin rregullat e OBT-së.

Brenda një viti, qysh nga gushti 2017, kur filloi "Hetimin 301", ShBA-ja është paditur 17 herë nga anëtarët e Organizatës Botërore të Tregtisë (listuar me numra: DS533, DS534, DS535, DS536, DS539, DS540, DS543, DS544, DS545, DS546, DS547, DS548, DS550, DS551, DS552, DS554, DS556), duke regjistruar rekordin si vendi anëtar i OBT-së i paditur më shumë brenda një harku kohor prej 12 muajsh. Ndër rastet e sipërmendura, dy janë paraqitur nga Kina, që janë përkatësisht kundër "Hetimit 301" dhe "Hetimit 232", ndërsa 15 të tjerat nga vendet e tjera anëtare të OBT-së. Deri tani, për tre prej 17 rasteve ka nisur procesi i zgjedhjes së mosmarrëveshjes nga ekipi i ekspertëve dhe 14 të tjerat janë në procesin e negociimit. Njëkohësisht, Kina është paditur dy herë (DS542,DS549), përkatësisht nga ShBA-ja e BE-ja, lidhur me transferimin e teknologjisë dhe të drejtat e pronësisë intelektuale, të cilët janë duke u diskutuar. Zakonisht, pasi nis procesi nga ekipi i ekspertëve, duhet nëntë muaj që të dalë vendimi i shkallës së parë. Deri tani, as dy paditë e paraqitura nga Kina kundrejt ShBA-së e as çështja e paraqitur nga ShBA-ja kundër Kinës nuk kanë hyrë në procesin e shqyrtimit nga grupi i ekspertëve, prandaj nuk ka një afat të përcaktuar se kur do të dalë vendimi i parë. Gjithashtu, nuk është e vërtetë që OBT-ja e ka hedhur poshtë padinë e Kinës. Në bazë të rasteve të kaluara, 90 për qind e të paditurve nuk arrijnë t'i shpëtojnë akuzës.

Ndoshta ShBA-ja e parashikonte numrin e madh të padive kundër saj dhe ka ankesa ndaj rasteve të humbjes në gjyq, sepse pas zgjedhjes së Donald Trump-it president, filloi të bojkonte emërimin e gjyqtarëve të Trupës së Apelit të OBT-së, duke bërë që vetëm katër prej shtatë gjyqtarëve të jenë në detyrë. Në shtatorin e sivjetshëm, njërit prej këtyre katër gjyqtarëve i mbaron mandati dhe nëse gjendja vazhdon kështu, në fund të vitit tjetër, Trupa e Apelit e OBT-së do të mbetet vetëm me një gjyqtar. Në rast se do të ndodhë kjo gjë, i gjithë ky organ do të paralizohet dhe nuk mund të formohen gjykatat e apelit, që duhet të përbëhen prej tre gjyqtarësh. Në rast se ShBA-ja humb në vendimin e shkallës së parë në 17 çështjet, ajo pa dyshim do të apelojë për rigjykim, por, për shkak të mosplotësimit të numrit të duhur të gjyqtarëve, gjykatat e apelit nuk mund të formohen, kështu që nuk do të ketë vendim përfundimtar. Abuzimi me të drejtën e bojkotimit të emërtimit të gjyqtarëve nga Uashingtoni ka sjellë kritika nga anëtarët e tjerë të OBT-së, por mekanizimi përkatës i OBT-së funksionon vetëm kur të gjithë anëtarët gjejnë gjuhën e përbashkët, kështu që nuk mund të ketë zgjidhje për këtë situatë.

Një gjë tjetër është që, deri më tani, ShBA-ja nuk ka bërë padi ndaj kundërmasave të Kinës, prandaj nuk mund të ketë vendim të OBT-së që këto kundërmasa shkelin rregullat e OBT-së.

2. OBT-ja ka shpallur më 11 korrik 2018 që Kina është një ekonomi e mbyllur.

Nga 11 deri në 13 korrik 2018 OBT-ja shqyrtoi për të shtatën herë politikat tregtare të Kinës. Kryetari i mbledhjes së shqyrtimit të këtyre politikave i dha Kinës vlerësime të larta, duke përmbledhur në mënyrë të hapur e të drejtë çështjet dhe vërejtjet e anëtarëve të OBT-së për politikat tregtare të Kinës. Kjo mbledhje është përkthyer në kinezishte nga dr. Hong Chaowei i Institutit të Studimit të Çështjeve të Amerikës Latine në Akademinë e Shkencave Shoqërore të Kinës.

Në këtë shqyrtim u paraqitën afro 1900 çështje dhe Kina dha përgjigje mbi shumicën e tyre. Zyrtarisht, shqyrtimi do të mbarojë pas një muaji, kur Kina të përfundojë së përgjigjuri për çështjet e mbetura. Por faktikisht mbledhja e shqyrtimit ka përfunduar dhe komentet e kryetarit kanë dalë si dokument zyrtar.

Në këtë mbledhje, Sekretariati i OBT-së paraqiti një raport të plotë prej 193 faqesh lidhur me shqyrtimin e politikave të Kinës, që ka përfunduar në qershor. Raporti përmban analiza të detajuara mbi politikën tregtare të Kinës dhe bën një vlerësim objektiv dhe në përgjithësi pozitiv. Ne kemi lexuar pjesën e përfundimeve të raportit prej gjashtë faqesh dhe kemi bërë një rishikim të shpejt të tërë raportit, por nuk kemi gjetur asnjë fjalë ose fjali që e përkufizon Kinën si një treg ose ekonomi të mbyllur. Po ashtu, nuk e kemi gjetur një njoftim të tillë as në mediat e huaja.

3. OBT-ja po rishikon statusin e vendit anëtar të Kinës.

Në OBT nuk ekziston një mekanizëm vlerësimi për statusin e vendeve anëtare, por një mekanizëm mbikëqyrës për politikat tregtare të këtyre vendeve. Nga 11 deri në 13 korrik 2018, OBT-ja kreu shqyrtimin e shtatë të politikave tregtare të Kinës. Kina, ShBA-ja, BE-ja dhe Japonia, këto katër ekonomi të mëdha, duhet t'i nënshtrohen shqyrtimit të OBT-së një herë në dy vjet për politikat e tyre. Duke nisur nga viti i ardhshëm, shqyrtimi do të bëhet një herë në tre vjet.

Përhapja e thashethemeve mund të vijë nga përkthimi i pasaktë i njoftimeve të huaja. Në këtë shqyrtim, ambasadorja e ShBA-së i kërkoi OBT-së të rishqyrtojë statusin e Kinës si vend në zhvillim, sepse sipas Uashingtonit, Kina duhet të jetë vend i zhvilluar.

OBT-ja nuk ka përcaktim rigoroz për vendet në zhvillim. Çdo vend mund të vetëpërkufizohet ose të vetëzgjidhet si vend në zhvillim. Vetëm një numër i vogël anëtarësh të OBT-së nuk e kanë përcaktuar veten si ekonomi në zhvillim brenda sistemit të tregtisë shumëpalëshe.

Meqenëse vendet anëtare të OBT-së mund të vetëpërcaktohen si vende në zhvillim, anëtarët e tjerë mund ta sfidojnë këtë përcaktim. Prandaj, të drejtat dhe detyrat e çdo vendi anëtar përcaktohen me anë të negociatave. ShBA-ja ka të drejtë të kundërshtojë statusin e Kinës si vend në zhvillim gjatë negaciatave në fusha të caktuara sipas standardeve të arsyeshme dhe provave, por nuk ka të drejtë t'i kërkojë Kinë të heqë dorë nga e drejta e garantuar nga OBT-ja për ta përcaktuar veten si vend në zhvillim. Deri më tani, nuk ka ndodhur që OBT-ja të kërkojë heqjen e përcaktimit të ndonjë vendi anëtar të saj si në zhvillim, kështu që është e pamundur që OBT-ja të vendosë për ta përcaktuar Kinën si vend i zhvilluar.

Banka Botërore i klasifikon ekonomitë e ndryshme në ekonomi me të ardhura të larta, të mesme-të larta, të mesme-të ulëta dhe të ulëta. Sipas Bankës Botërore, Kina e tanishme i përket kategorisë së ekonomive me të ardhura të larta-të mesme. Nëse të ardhurat mesatare për frymë të një vendi i kalojnë 12 056 dollarët, ky vend kategorizohet si ekonomi me të ardhura të larta. Në 2017-n, të ardhurat mesatare për frymë në Kinë ishin 8 690 dollarë, duke mos e arritur kështu standardin e ekonomisë me të ardhura të larta. Ndër anëtarët e OBT-së që nuk klasifikohen në ekonomitë me të ardhura të larta, asnjë prej tyre nuk e ka përcaktuar veten si vend anëtar i zhvilluar i OBT-së, por të gjitha si vende në zhvillim. Madje edhe një pjesë e ekonomive me të ardhura të larta sipas klasifikimit të Bankës Botërore, marrin pjesë në negociatat në kuadër të OBT-së si vende në zhvillim. Koreja e Jugut është ekonomi me të ardhura të larta, por merr pjesë në negociatat në sektorin bujqësor si vend anëtar në zhvillim, dhe si vend anëtar i zhvilluar në negociatat në fusha të tjera.

Cui Fan

Profesor në Universitetin e Biznesit dhe Ekonomisë Ndërkombëtare të Pekinit

Mrekulli
Lajmet Kryesore