Katër mësimet nga kriza e borxheve e Greqisë

2018-06-30 15:39:49 CRI Komenti juaj Printoni

Pas tre raundeve të ndihmave, Greqia mori lajmin e mirëpritur prej kohësh: ministrat e financave të Eurozonës ranë dakord ditët e fundit që Greqia të tërhiqet në afat nga programi i ndihmës në gusht të këtij viti. Autoritetet greke e quajtën këtë vendim "me rëndësi historike", gjë që tregon se ky vend ka fituar një betejë kyçe në luftën kundër krizës së borxheve.

Vetëm ata që kanë vuajtur i kuptojnë vështirësitë. Gjatë tetë vjetëve, në Greqi, djepi i qytetërimit evropian, shteti ishte në prag të shembjes financiare dhe Greqia gati doli nga Eurozona. Pas atyre kohëve të errëta, si dhe përpjekjeve të mëdha dhe pagesave të rënda, Greqia e kaloi natën e gjatë dhe ka pritur dritën e mëngjesit. Edhe Eurozona, që ishte në rënie, po ecën në rrugën e rimëkëmbjes.

Duke i hedhur një sy rrugës së gjatë të tetë vjetëve të kaluar, nga kriza e Greqisë mund të nxirren katër mësime.

Barra financiare e një shteti duhet të jetë e arsyeshme dhe të kontrollohet brenda mundësive. Në vitin 2010, kur shpërtheu kriza e borxheve, në Greqinë me 11 milionë banorë, kishte afro 1 milion punonjës qeveritarë, shifër kjo që zinte afro 1/4 e popullsisë së aftë për punë në vend. Si pasojë, shumë sektorë publikë punonin me efikasitet shumë të ulët dhe financat kombëtare nuk e përballuan dot barrën tepër të madhe. Një nga shprehjet kyçe të reformave 8-vjeçare në Greqi ishte "shkurtim punonjësish".

Zhvillimi ka rëndësi thelbësore dhe fondet duhet të përdoren për zhvillimin. Para shpërthimit të krizës, një pjesë e madhe e huave të marra nga Greqia u përdorën për zgjerimin e institucioneve qeveritare dhe për të plotësuar mungesën financiare të shkaktuar nga shmangia masive e pagimit të taksave. Këto hua nuk u përdorën për të bërë investime ose për të forcuar kapacitetet prodhuese kombëtare. Pavarësisht se nuk i plotësonte standardet e duhura financiare, Greqia u pranua në Eurozonë, dhe kështu pati mundësi të merrte më lehtë borxhe. Më vonë, Eurozona nuk arriti ta frenojë dot në kohë huamarrjen e verbër të Greqinë dhe kështu, nën ndikimin e krizës financiare ndërkombëtare, u prish zinxhiri i huamarrjes së Greqisë dhe shpërtheu kriza e borxheve.

Kriza duhet të përballohet në mënyrë të arsyeshme. Për të shmangur tërheqjen nga Eurozona dhe shkeljen e marrëveshjes së borxheve, Greqia zgjodhi të pranonte planin e ndihmës me kushte shumë të rrepta dhe, për këtë, u detyrua të zbatonte shtrëngesën financiare dhe reforma raund pas raundi. Në vitin 2015 Greqia zbatoi kontrollin e kapitaleve dhe përcaktoi se çdo person mund të tërhiqte vetëm 60 euro në ditë nga banka. Përpara vështirësive, grekët treguan arsye e përmbajtje të madhe, duke pritur radhën me durim për të tërhequr para. Pamje të tilla bënë që populli grek të fitonte respektin e botës.

Zgjidhja e krizës mbështetet te bashkimi dhe në këtë drejtim integrimi i Evropës ishte një forcë e madhe. 28 vendet anëtare të BE-së dhe 19 vendet e Eurozonës janë shumë të ndryshme në përmasat e ekonomisë dhe në nivelin e zhvillimit. Ato kanë pasur ndikime të ndryshme nga kriza e borxheve dhe kanë mbajtur qëndrime të ndryshme për përballimin e krizës. Pavarësisht nga mosmarrëveshjet shumë të ashpra, këto vende kanë arritur një program të pranuar nga të gjitha palët, duke lënë mënjanë këto mosmarrëveshje dhe duke shmangur zgjerimin e krizës. Eurozona ka bërë të gjitha përpjekjet për të ruajtur tërësinë e vet dhe ka nxjerrë mësime nga kjo krizë, duke zbatuar masa efikase për parandalimin e krizave të reja. Për sa i përket Greqisë, megjithëse të ardhurat familjare janë ulur herë pas here, anëtarët e familjes dhe institucionet e ndryshme shoqërore kanë ndihmuar njëri-tjetrin, duke shmangur shndërrimin e krizës së borxheve në krizë shoqërore.

Mësimet historike nuk vjetrohen kurrë. Përfundimi i programit të ndihmës nuk kupton kryerjen e të gjitha punëve. Ashtu siç tha kryeministri i Greqisë Alexis Tsipras, vendi i tij duhet të mjekojë plagët e mbetura nga kriza e borxheve dhe të vazhdojë luftën. Mësimet nga kriza e borxheve e Greqisë do të jenë gjithmonë të vlefshme për botën. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore