CAS nis projektin "Energji e pastër" për strukturën e re energjetike të Kinës

2018-06-23 10:34:50 CRI Komenti juaj Printoni

Projekti i posaçëm i studimeve strategjike të Akademisë së Shkencave të Kinës (CAS), i quajtur "Teknologji kyçe revolucionare për energjitë e pastra dhe praktika pilot" (shkurt "Energji e pastër"), filloi më 19 maj në qytetin Dalian të Kinës Verilindore. Ky projekt synon formimin e strukturës së re të energjive të pastra në Kinë, me efikasitet më të madh dhe burime më të pasura plotësuese. Ai do të shërbejë për planin afatgjatë të Kinës për zhvillimin e strategjisë së saj energjetike në të ardhmen.

Kina është konsumatorja më e madhe e energjisë në botë, por rezerva e saj energjetike nuk është mjaft e pasur dhe struktura e teknologjia energjetike duhen përmirësuar urgjentisht. Vitet e fundit është rënduar më tej çështja e ndotjes së mjedisit dhe e lëshimit të dioksidit të karbonit, e shkaktuar nga konsumi i burimeve tradicionale fosile. Projekti i nisur nga Akademia e Shkencave e Kinës "Energji e pastër" përqendrohet në teknologjinë e zhvillimit të energjisë së pastër. CAS ka si objektiv të formojë sistemin e ri të energjisë së pastër, të mbështetur në llojet e pasura energjetike, në përshtatje me rezervën e tanishme energjetike të Kinës. Kështu, lëshimi i karbonit do të jetë më i ulët dhe shfrytëzimi i energjisë do të jetë më i efektshëm.

Përgjegjësi i projektit "Energji e pastër" është Liu Zhongmin, anëtar i Akademisë së Inxhinierisë të Kinës, njëkohësisht drejtor i Institutit të Fizikës Kimike të CAS-it në Dalian dhe i Institutit të Teknologjisë së Bioenergjisë dhe Bioprocesit të CAS-it në Qingdao. Duke folur për këtë projekt, ai u shpreh:

"Burimet fosile zënë një pjesë të madhe në strukturën tonë të energjisë. Përdorimi i burimeve fosile sigurisht që sjell lëshimin e dioksidit të karbonit. Ka marrëveshje ndërkombëtare për pakësimin e lëshimit të dioksidit të karbonit, por ne e kemi edhe objektiv të brendshëm mbrojtjen e mjedisit, kështu që përballemi me çështjen e zhvillimit të energjisë së pastër pa dëmtuar mjedisin dhe duke pakësuar lëshimin e dioksidit të karbonit. Çështja e dioksidit të karbonit duhet të zgjidhet me anë të energjive të tjera, si p. sh. energjisë së erës, asaj diellore, bioenergjisë e energjisë së përtëritshme, duke përfshirë energjinë bërthamore. Nisja e projektit tonë ka si qëllim zhvillimin e teknologjive të reja që bashkojnë e integrojnë këto burime. Ne duhet të hartojmë drejtimin e zhvillimit të burimeve energjetike të vendit tonë."

Me objektivin për të eksploruar drejtimin e zhvillimit, projekti "Energji e pastër" përfshin studimet lidhur me tetë projekte, që përkatësisht janë transformimi dhe shfrytëzimi i gazrave sintetikë, si edhe i metanolit, djegia e efektshme dhe e pastër, praktika e përdorimit të energjive të përtëritshme përplotësuese, rezervimi i efektshëm dhe në masë të mëdha i energjisë, përdorimet e gjithanshme, por joelektrike, të energjisë bërthamore, prodhimi i hidrogjenit dhe i metanolit nga energjia e përtëritshme dhe studimet për strategjinë energjetike të Kinës.

 

Li Xianfeng, studiues dhe asistent i drejtorit në Institutin e Fizikës Kimike të CAS-it në Dalian, është përgjegjësi i projektit "Rezervimi i efektshëm dhe në masë të madhe i energjisë". Sipas tij, studimi i thellë në këtë fushë do të sjellë ndikim të madh për përdorimin e përgjithshëm të energjisë së pastër dhe përmirësimin e jetës së njerëzve:

"Promovimi dhe përdorimi i teknologjisë së rezervimit në masë të madhe të energjisë do të nxisë promovimin dhe përdorimin e energjisë së pastër. Zhvillimi i përgjithshëm i energjisë së pastër do të ketë ndikim shumë të rëndësishëm në çështjen tonë të mjedisit dhe të mungesës së energjisë. Ky është një projekt i lidhur ngushtë me jetesën e popullit."

Çdo kohorta e projektit "Energji e pastër" zgjat pesë vjet. Sipas planifikimit, deri në 2023 do të arrihet zhvillimi i 39 teknologjive kyçe dhe do të zbatohen ato në 23 sektorë industrialë. Zhvillimi nga Kina i teknologjisë së energjisë së pastër do të jetë në pozicion udhëheqës në botë në pesë aspekte.

Kina ka synim të zëvendësojë 100 milionë tonë burime fosile me energji alternative, të ulë vëllimin e lëshimit të lëndëve ndotëse me 40-50 për qind dhe të realizojë përdorimin 100 % të energjisë së përtëritshme dhe integrimin e energjive me lëshim të ulët karboni.

Akademiku Liu Zhongmin vuri në dukje se këta objektiva janë vetëm fillimi. Një projekt i tillë ka një objektiv më afatgjatë, që është për t'i shërbyer planifikimit të strategjisë energjetike të Kinës në të ardhmen.

"Megjithëse planifikojmë ta zbatojmë projektin për pesë vjet, një kohortë 5-vjeçare, kemi hartuar edhe një projekt për studime strategjike, me anë të të cilave të ndërthurim planet ekzistuese, që çdo pjesë të funksionojë në mënyrë maksimale. Do të përpiqemi të hartojmë programin kombëtar të zhvillimit energjetik për periudhën deri në vitin 2035, madje 2050," shprehet Liu Zhongmin. (Wang Xianya)

Mrekulli
Lajmet Kryesore