Fjalët kyçe të deklaratës së përbashkët amerikano-koreanoveriore

2018-06-15 16:42:40 CRI Komenti juaj Printoni

Bisedimet midis Kim Jong Un-it dhe Donald Trump-it, të cilësuara si "takimi i shekullit që ka hapur faqen e re të historisë", u kurorëzuan me "Deklaratën e përbashkët ShBA-Kore e Veriut". Si ta kuptojmë këtë dokument të shkurtër me vetëm dy faqe? A është ai një "rezultat historik" i papritur nga bota, apo vetëm një deklaratë simbolike ku mungojnë përmbajtjet konkrete?

Sot le të analizojmë këtë dokument nëpërmjet katër shprehjeve kyçe dhe të shohim rolin e Kinës prapa deklaratës.

I. Garancia për siguri

Kjo shprehje del në paragrafin e parë të deklaratës së përbashkët midis ShBA-së dhe Koresë së Veriut. "Presidenti Donald Trump premton t'i garantojë Koresë së Veriut sigurinë". Një shprehje e tillë u bë nga presidenti aktual i ShBA-së dhe u shkrua zyrtarisht në deklaratën e përbashkët të nënshkuar nga krerët e dy vendeve. Rëndësia politike dhe efektiviteti i zbatimit të deklaratës do të jenë të padiskutueshme. Mund të themi se Koreja e Veriut mori për herë të parë në histori një garanci të vërtetë nga ShBA-ja . Ky është rezultati numër një i këtij samiti.

Por në dokument nuk shkruhen qartë hollësirat e "garancisë së Trump-it për sigurinë e Koresë së Veriut". Në konferencën e shtypit të zhvilluar më 12 qershor pasdite, Trump-i u shpreh për mundësinë e ndalimit të manovrave ushtarake amerikano-koreanojugore dhe tërheqjen e trupave amerikane nga Gadishulli Korean. Opinioni publik është i mendimit se realizimi i një ideje të tillë gjendet para shumë sfidash. Si do të reagojë ushtria amerikane dhe të ashtuquajturit "skifterë" në Kongresin e ShBA-së, si edhe Koreja e Jugut si aleate? "Garancia për siguri" është e vështirë të realizohet brenda një kohe të shkurtër dhe gjatë këtij procesi, duhet edhe mbështetja nga Kina.

II. Marrëdhëniet e re ShBA- Kore e Veriut

Në deklaratën e përbashkët shkruhet se ShBA-ja dhe Koreja e Veriut angazhohen që, sipas dëshirës së dy popujve për paqen dhe përparimin, të krijojnë marrëdhënie të reja midis tyre. Nga një këndvështrim, kjo nënkupton se qeveria e Trump-it heq dorë nga politika armiqësore amerikane ndaj Koresë së Veriut gjatë dekadave të kaluara dhe ka filluar ta shohë ndryshe këtë vend. Ky është një premtim shumë i vështirë për ShBA-në.

Gjatë këtij samiti, nga shumë hollësi protokollare, si logoja, vendosja e flamujve etj., shihet qëndrimi i ShBA-së, që e trajtoi Korenë e Veriut për herë të parë si të barabartë dhe tregoi në një shkallë të konsiderueshme njohjen e autoriteteve koreanoveriore. Nga ana e Koresë së Veriut, përfshirja e këtij premtimi të qartë në dokumentin e nënshkruar nga vetë presidenti amerikan shënon realizimin fillestar të objektivit të saj të vjetër që "të pranohet nga ShBA-ja, udhëheqësja e botës perëndimore".

Marrëdhëniet e reja ShBA-Kore e Veriut do të përfshijnë elemente të shumta. A do të hapin të dy vendet së pari zyra përfaqësuese tek njëra-tjetra apo do të vendosin drejtpërdrejt marrëdhënie diplomatike? Apo a do të ketë bashkëpunim ekonomik në të ardhmen?

III. Denuklearizimi i plotë

Në deklaratën e përbashkët vihet në dukje se Koreja e Veriut rithekson "Deklaratën e Panmunjom-it" të nënshkruar më 27 prill 2018 midis dy koreve dhe premton të përpiqet të realizojë denuklearizimin e plotë të Gadishullit Korean. Opinioni ka vërejtur se kjo shprehje është e ndryshme nga ajo e palës amerikane në prag të samitit, që ShBA-ja ngul këmbë në denuklearizimin "e plotë, të verifikueshëm dhe të pakthyeshëm". Në konferencën e shtypit pas samitit, Trump-i e shmangu për këtë pyetje nga gazetarët. Kjo tregon se të dyja vendet kanë mosmarrëveshje relativisht të mëdha në këtë koncept. Megjithatë, për ShBA-në objektivi më i rëndësishëm është premtimi i hapur dhe i qartë i liderit më të lartë të Koresë së Veriut për denuklearizimin përpara mbarë botës. Për këtë arsye, ShBA-ja bëri lëshime në probleme konkrete, si "verifikueshmëria" e "pakthyeshmëria" e këtij procesi.

Tjetër pikë që meriton të fokusohemi është se në deklaratën e përbashkët thuhet se denuklearizimi do të realizohet në mbarë Gadishullin Korean e jo vetëm në Korenë e Veriut. Kjo do të thotë se denuklearizimi do të përfshijë edhe sistemin THAAD, të vendosur nga ShBA-ja në Korenë e Jugut, që kërcënon sigurinë e Kinës.

Rezultatet e këtij samiti nuk përfshijnë programin apo afatet konkrete të denuklearizimit të Koresë së Veriut, për të cilat opinioni është shumë i interesuar. Kjo tregon se gjatë procesit të denuklearizimit, do të ketë shumë faktorë të papërcaktuar.

Nga ana tjetër, Trump-i e ka shprehur qartë se ShBA-ja nuk do t'i japë Koresë së Veriut ndihma ekonomike gjatë procesit të denuklearizimit dhe njëkohësisht, sanksionet ndaj Koresë së Veriut do të hiqen vetëm kur ky vend të përfundojë krejtësisht denuklearizimin. Kjo nënkupton se Koreja e Veriut është e detyruar të kërkojë përkrahje ekonomike nga Kina ose Koreja e Jugut për kryerjen e denuklearizimit.

IV. Mekanizmi afatgjatë dhe i qëndrueshëm i paqes

Në deklaratën e përbashkët thuhet se "ShBA-ja dhe Koreja e Veriut do të bashkëpunojnë për krijimin e mekanizmit afatgjatë dhe të qëndrueshëm të paqes në Gadishullin Korean".

Ndryshimi i formulimit nga "mekanizmi i armëpushimit" në "mekanizmin e paqes" pasqyron qartë dëshirën e ShBA-së për nënshkrimin e "marrëveshjes së paqes" me Korenë e Veriut, që t'i japë fund luftës që teorikisht ka zgjatur për mbi gjysmë shekulli. Në sajë të këtij mekanizmi, dokumenti i 12 qershorit jo vetëm ka rëndësi të veçantë për Korenë e Veriut dhe ShBA-në, por do të ndikojë edhe në strukturën e Azisë Verilindore dhe madje të mbarë botës.

Meriton të përmendet se para takimit, shumë media parashikuan se Koreja e Veriut dhe ShBA-ja mund ta linin mënjanë Kinën dhe të shpallnin vetë "deklaratën e përfundimit të luftës". Në fakt hamendjet për margjinalizimin e Kinës kanë vazhduar pandërprerë. Në deklaratën e përbashkët përmendet "krijimi i mekanizmit të paqes", por nuk u publikua "deklarata e përfundimit të luftës" apo nuk u nënshkrua "marrëveshja e paqes". Trump-i shprehu qartazi shpresën që edhe Kina dhe Koreja e Jugut do të marrin pjesë në këtë proces. Të gjitha këto tregojnë se Kina nuk ka munguar dhe nuk do të mungojë në tryezën e bisedimeve mbi problemin e Gadishullit Korean.

Në përgjithësi, kjo është një "deklaratë historike" e arsyeshme, por edhe e papritur. Nga dokumenti del qartë se të dyja palët, Koreja e Veriut e ShBA-ja, bënë lëshime dhe kompromis. Pavarësisht prej zigzageve në rrugën e ardhshme, takimi midis Kim-it dhe Trumpit i dha Gadishullit Korean një "dritë paqeje" si kurrë më parë. Ashtu siç tha Kim Jong-Un gjatë samitit: "Do të hedhim prapa të kaluarën dhe bota do të dëshmojë ndryshime të rëndësishme." (Wang Lei/ Artani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore