Parashikimi për Kupën e Botës në futboll

2018-06-08 21:32:52 CRI Komenti juaj Printoni

Kupa e Botës në futboll do të hapet së shpejti në Rusi. Tifozët e mbarë botës do të presin festën e tyre madhështore një herë në katër vjet.

Në prag të veprimtarisë, gazetarët e Radios së Jashtme të Kinë në mbarë botën bënë intervista me pjesëtarët e ekipeve të ndryshme pjesëmarrëse në përgatitje për këtë kupë botërore.

Ekipi brazilian

Pavarësisht nga humbja "skandaloze"1-7 katër vjet më parë në vendin e vet, asnjëri nuk dyshon se ekipi brazilian do të jetë pretendenti më i fortë i Kupës së Botës. Veçanërisht pas ardhjes së trajnerit Adenor Leonardo Bacchi (Tite), ekipi i ri i Brazilit ka ndryshuar rrënjësisht. Shpallja kampion botëror për të gjashtën herë, nuk është një ëndërr e pamundshme për "ansamblin e sambas".

Në "mbretërinë e futbollit" nuk mungojnë në asnjë mënyrë talentet. Lojtarët e rinj janë rritur shumë shpejt. Në ndeshjet eliminatore, ekipi brazilian fitoi nëntë ndeshje me radhë dhe u bë i pari ekip që u kualifikua në fazën finale të Kupës së Botës me një epërsi të madhe prej 10 pikësh më shumë se vendi i dytë i grupit.

Dihet nga të gjithë se as titulli nënkampion s'ka kuptim për "Seleçaon". Po të shohësh formacionin e përgjithshëm, ky ekip brazilian ka mjaft potencial për t'u shpallur kampion në Rusi, por i mungon vetëm përvoja në veprimtari botërore. Në këtë ekip, vetëm gjashtë lojtarë kanë marrë pjesë në një kupë bote më parë.

Tjetër shqetësim për Brazilin janë dëmtimet e lojtarëve më të vjetër. Ylli nr.1 i ekipit Neymar nuk ka luajtur për tre muaj. Por gjatë ndeshjes parapërgatitore me ekipin kroat, Neymar u duk përsëri në fushë dhe shfaqi një gjendje të mirë. Pas ndeshjes, Neymar-i tha:

"Kthehem sot pas tre muajsh dhe shënova një gol, jam i kënaqur. Megjithëse nuk jam shëruar plotësisht dhe jam disi i shqetësuar për plagën në këmbë, besoj se do të përmirësohem."

Në këtë edicion të kupës së botës, ekipi brazilian ka fat që ndodhet në grup me Zvicrën, Rosta-Rikën dhe Serbinë. Sipas trajnerit Tite, në grupet e tjera ka të paktën nga dy ekipe të forta, por në grupin e vet Brazili është i vetmi ekip i fortë.

"Vetëm zvicranët ndoshta kanë mundësi t'i hapin telashe ekipit tonë," u shpreh ai.

Ekipi argjentinas

Ndër 32 ekipet pjesëmarrëse në Kupën e Botës në Rusi, ekipi argjentinas i kryesuar nga gjiganti Lionel Messi është pa dyshim një nga ekipet në fokus të vëmendjes së tifozëve.

Por gjatë ndeshjeve eliminatore, "shqiponjat e Pampës" nuk bënë ndonjë paraqitje të spikatur dhe u kualifikuan duke u renditur vetëm në vendin e tretë në grupin e Amerikës Jugore. Shumë tifozë, përfshirë edhe një pjesë të atyre argjentinas, kanë filluar të dyshojnë te "bardhekaltrit" se sa kohë do të qëndrojnë në Rusi. Lidhur me këtë, trajneri i ekipit argjentinas Jorge Sampaoli iu përgjigj:

"Kisha parashikuar se Brazili, Gjermania dhe Franca janë pretendentët kryesorë për titullin kampion. Por nëse pyetem për këtë tani, mendoj se edhe ekipi argjentinas është një konkurrent i fortë për të fituar. Nëse lojtarët tanë do të shfrytëzojnë plotësisht potencialin e tyre, ekipi ynë do të japë një shfaqje madhështore në këtë kupë bote. Sigurisht, paraqitja e mrekullueshme nuk siguron rezultatin përfundimtar, sepse gjatë ndeshjeve hasen probleme të llojllojshme. Besoj se, nëse lojtarët argjentinas do të shfaqin nivelin e tyre të duhur, ata do të jenë një problem i madh për çdo rival."

Ekipi argjentinas do të konkurrojë me ekipet e Islandës, të Kroacisë dhe të Nigerisë në grupin D, që quhet "grupi i vdekjes".

Ekipi francez

Ekipi i Francës është tjetër ekip që ka shpresa për t'u shpallur kampion. Ky ekip është kualifikuar në fazën finale të Kupës së Botës në 14 edicione dhe u shpall kampion në vitin 1998 në vendin e vet, duke mundur ekipin e fortë brazilian në finale. Sivjet, me rastin e 20-vjetorit të shpalljes kampion, a do të përsëritë ekipi i ri i Francës me moshë mesatare vetëm 25.6 vjeçe "Verën e Francës" të 20 vjetëve më parë?

Ky ekip i ri është plot gjallëri dhe disa të rinj janë bërë yje të rinj botërorë, si Antoine Griezmann i lindur më 1991, që u vlerësua si goditësi më i mirë evropian i portës për vitin 2016 dhe është kandidat kryesor për çmimet "Këpuca e Artë" dhe "Topi i Artë". Kylian Mbappé, që ishte ende në barkun e nënës kur ekipi francez fitoi Kupën e Botës, tani është bërë një nga shtyllat e "gjelave". Trajneri Didier Deschamps është plot besim për lojtarët e tij.

"Kam besim të plotë tek të gjithë anëtarët e ekipit. Pavarësisht se sa kohë ka luajtur njëri apo tjetri lojtar në fushë, të gjithë ata janë pjesë përbërëse e ekipit dhe ne jemi një tërësi."

Ekipi gjerman

Në listën prej 23 vetash, të shpallur nga ekipi kombëtar të Gjermanisë, përfshihen lojtarë kryesorë të klubeve të futbollit të nivelit më të lartë të botës, si Manuel Neuer, Thomas Müller, Sami Khedira, Mesut Özil, Mats Hummels, Toni Kroos, Jerome Boateng etj.

Në arenën botërore të futbollit, vetëm ekipi italian dhe ai brazilian kanë shënuar historinë e mbrojtjes së titullit kampion. Për gjatë afro gjysmë shekulli, asnjë fuqi tjetër e futbollit botëror nuk e ka përsëritur këtë sukses. Ekipi gjerman, i radhitur aktualisht në vendin e parë në botë, ka hyrë të paktën në gjysmëfinale në çdo veprimtari të madhe botërore, gjatë 12 vjetëve me Joachim Loew si trajner. Kësaj here ka mundësi jo të vogël që gjermanët të mbrojnë titullin kampion, duke shënuar herën e parë pas vitit 1962. Lidhur me këtë, Loew tha:

"Dihet nga të gjithë se Kupa e Botës është një luftë shumë e ashpër, ndërsa ekipi ynë, si fitues i Kupës së Botës dhe i Kupës së Konfederatave, me siguri do të bëhet objektivi i ekipeve të tjera. Do të përpiqemi të prishim ciklin e largimit shumë herët në fazën finale në edicionin pasardhës pas shpalljes kampion, siç ka ndodhur me ekipin brazilian, spanjoll apo italian. Vetëm po të kemi paraqitje më të mirë dhe më të fortë se në vitin 2014, do të fitojmë në këtë rrugë të mbrojtjes plot zigzage." (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore