Fluturimet e përbashkëta hapësinore, zbulimi i interesave të përbashkëta

2018-05-31 14:55:24 CRI Komenti juaj Printoni

Më 28 maj, misioni i përhershëm i Kinës në OKB dhe Zyra e OKB-së për Çështjet e Hapësirës së Jashtme organizuan bashkërisht në kryeqytetin e Austrisë Vjenë ceremoninë e "Njoftimit të mundësisë së bashkëpunimit për shfrytëzimin e stacionit hapësinor të Kinës". Kjo gjë shënon nisjen zyrtare të bashkëpunimit ndërkombëtar për përdorimin e stacionit hapësinor të Kinës. Kina mirëpret vendet e tjera të botës të zhvillojnë eksperimente brenda dhe jashtë kabinës së stacionit hapësinor dhe bashkëpunime të tjera.

Në vitin 2022 do të përfundojë së ndërtuari dhe do ta vihet në funksionim stacioni hapësinor i Kinës. Ky është një moment tjetër historik në rrugën e realizimit të "ëndrrës hapësinore" të Kinës.

Më 28 maj, u publikua zyrtarisht në Vjenë "Njoftimi i mundësisë së bashkëpunimit për shfrytëzimin e stacionit hapësinor të Kinës". Po atë ditë, Kina shpalli zyrtarisht që stacioni i saj hapësinor do të jetë i hapur për të gjitha vendet, organizatat dhe entet private, duke ofruar raste për zhvillimin e eksperimenteve shkencore hapësinore nga shkencëtarët e vendeve të ndryshme të botës.

Shi Zhongjun është ambasador i misionit të përhershëm të Kinës në OKB dhe organizatat e tjera ndërkombëtare në Vjenë. Ai mbajti një fjalim në ceremoninë e publikimit të "Njoftimit", duke vënë në dukje konceptin e Kinës mbi bashkëpunimin ndërkombëtar në hapësirën e jashtme, që duhet të jetë i hapur, paqësor dhe me përfitime të ndërsjella. Bashkëpunimi në stacionin hapësinor të Kinës është i mirëpritur, për të siguruar interesat e përbashkët.

Shi Zhongjun, ambasador i misionit të përhershëm të Kinës në OKB dhe organizatat e tjera ndërkombëtare në Vjenë

Ambasador Shi u shpreh se "Traktati i hapësirës së jashtme", i vitit 1967, përcakton që eksplorimi dhe shfrytëzimi i hapësirës së jashtme është një çështje e përbashkët e të gjithë njerëzimit dhe duhet t'i shërbejë së mirës së njerëzimit. Kështu që stacioni hapësinor kinez i përket jo vetëm Kinës, por edhe botës:

"Kina është e gatshme të zhvillojë bashkëpunim me botë, që bota të shfrytëzojë plotësisht platformën dhe burimet e stacionit hapësinor të Kinës. Nëpërmjet këtij aktiviteti, dëshirojmë t'i tregojmë gjithë botës që stacioni hapësinor i Kinës do të funksionojë për qëllime paqësore dhe do të jetë i hapur e transparent. Dëshirojmë t'u themi të gjithëve që ky stacion hapësinor u shërben tërë popujve."

Sipas përmbajtjes së "Njoftimit", aplikantët mund të zhvillojnë eksperimente brenda kabinës së stacionit hapësinor me pajisjet e prodhuara nga vetë ata ose nga Kina.

Drejtoresha e Zyrës së OKB-së për Çështjet e Hapësirës së Jashtme Simonetta Di Pippo vlerësoi lart përparimet e Kinës në fushën e hapësirës ajrore. Di Pippo tha që programi i fluturimeve hapësinore me kozmonaut i Kinës është një prej programeve më sistematike dhe me teknologji më të përparuar në botë. Ajo shprehu bindjen që ky program do t'u sjellë përfitime të gjithë njerëzve:

"Që nga viti 1970, kur arriti të çonte me sukses satelitin e parë në hapësirë, Kina është bërë një prej vendeve kryesore në botë që janë të afta për të zhvilluar kërkime në hapësirën e jashtme. Teknologjia hapësinore që zotëron Kina ka arritur gjithashtu nivelin e përparuar botëror. Të tërë do të përfitojmë nga teknologjia hapësinore e Kinës. Eksplorimi dhe shfrytëzimi paqësor i hapësirës së jashtme janë një forcë nxitëse dhe mjet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomiko-shoqëror. Të gjitha vendet ndodhen përpara sfidave globale, kështu ka kuptim të madh në forcimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit mes palëve në fushën e hapësirës ajrore. "

Drejtoresha e Zyrës së OKB-së për Çështjet e Hapësirës së Jashtme Simonetta Di Pippo

Di Pippo shtoi se, me anë të programit të bashkëpunimit ndërkombëtar në stacionin hapësinor të Kinës, vendet e tjera do të përfitojnë nga teknologjitë dhe përvoja e Kinës. Ky projekt është në favor të ngritjes së nivelit të bashkëpunimit dhe kapacitetit të përgjithshëm ndërkombëtar në fushën e hapësirës së jashtme, do të thellojë më tej njohjen nga njeriu të aplikimeve të teknologjive hapësinore, do t'i ndihmojë vendet e botës, sidomos ato në zhvillim, të hyjnë në hapësirën e jashtme, dhe mbi të gjitha, do të shërbejë për realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Vazhdueshëm 2030.

Të interesuar për detajet e pjesëmarrjes në bashkëpunimin në kuadër të stacionit hapësinor të Kinës, një numër përfaqësuesish të vendeve të ndryshme kanë shprehur vullnetin dhe dëshirën për bashkëpunim. Përfaqësuesi i përhershëm i Francës në OKB dhe ambasadori i posaçëm e fuqiplotë Jean-Louis Falconi e komentoi pozitivisht vendimin e Kinës për të hapur stacionin e saj hapësinor për bashkëpunim ndërkombëtar, duke e cilësuar si një masë konstruktive, që tregon qëndrimin e hapur dhe transparent të Kinës për të zhvilluar eksplorimin e hapësirës së jashtme në mënyrë paqësore:

"Hapja e stacionit hapësinor për gjithë botën është një vendim i jashtëzakonshëm. Ai jep një mesazh publik për zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar lidhur me shfrytëzimin paqësor të hapësirës së jashtme. Kemi shumë interes për të zhvilluar bashkëpunimin ndërkombëtar hapësinor. Për kërkimet në hapësirën e jashtme duhet bashkimi i mençurisë dhe përparësive të vendeve të ndryshme, gjithashtu duhet bashkëpunimi mes tyre. Stacioni hapësinor i Kinës ofron pikërisht një platformë të tillë, me të cilën mundësohen eksperimente të llojeve të ndryshme."

Po në ditën e publikimit të "Njoftimit", Zyra e OKB-së për Çështjet e Hapësirës së Jashtme u dërgoi vendeve të ndryshme një notë verbale, duke i ftuar palët e ndryshme të paraqesin aplikimet për bashkëpunim në këtë program para datës 31 gusht. Hapi tjetër është vlerësimi nga Kina dhe OKB-ja i të gjitha aplikimeve, si dhe përcaktimi i programit konkret të bashkëpunimit.

Ambasadori i Kinës Shi Zhongjun shprehu shpresën që nëpërmjet bashkëpunimit në kuadër të stacionit hapësinor të thellohet besimi i ndërsjellë mes vendeve të ndryshme. Ai theksoi se bashkëpunimi i sinqertë dhe me përfitime të ndërsjella duhet të bëhet shembull për të tjerët, që hapësira e jashtme të jetë territori i ri ku mirëqenia e përbashkët njerëzore të shtohet vazhdimisht.

Planifikohet që kabina thelbësore e stacionit hapësinor i Kinës do të lëshohet rreth vitit 2020. Gjithë stacioni do të jetë i gatshëm për funksionim në vitin 2022. Sipas projektimit, stacioni do të punojë për dhjetë vjet me radhë. Lartësia orbitale e stacionit shkon nga 340 deri në 450 kilometra dhe ai mund të zërë njëkohësisht tre astronautë që punojnë në orbitë. Gjatë kohës kur bëhet ndërrimi i ekuipazhit, kabina mund të zërë gjashtë veta. (Wang Xianya)

Mrekulli
Lajmet Kryesore