Jerusalem, festimi shoqërohet me tragjedinë

2018-05-19 12:12:08 CRI Komenti juaj Printoni

Nën shoqërimin e protestave të ashpra të palestinezëve dhe të dënimit të shumë vendeve, të hënën u hap në Jerusalem ambasada e ShBA-së në Izrael. Për këtë rast, presidenti i ShBA-së Donald Trump çoi tre të dërguar të posaçëm: të bijën Ivanka Trump, dhëndrin me origjinë hebreje Jared Kushner dhe sekretarin e Departamentit të Thesarit, po me prejardhje hebraike, Steven Mnuchin.

Në ambasadën e re, zyrtarët amerikanë dhe izraelitë festuan në një atmosferë të gëzueshme. Në të njëjtën kohë, vetëm 80 km larg ambasadës, në Rripin e Gazës trupat izraelite po hapnin zjarr ndaj palestinezëve, duke shkaktuar si pasojë të paktën 58 të vdekur dhe mijëra të plagosur.

Kjo ishte dita më tragjike për palestinezët pas luftës së Gazës në vitin 2014. Sipas gazetarit të rrjetit amerikan NBC: "Në një anë ishin zyrtarë amerikanë e izraelitë me veshje të shkëlqyera dhe, në anën tjetër, ishin dëshpërimi, vdekja dhe flakët e zjarrit."

Diferenca midis festimit dhe tragjedisë

Delegacioni i të dërguarit të posaçëm të Trump-it mbërriti më 13 maj, me rastin e "Ditës së Jerusalemit", e cila u vendos nga Izraeli në shenjë kremtimi për pushtimin e plotë të Jerusalemit në vitin 1967. Ambasada e re u hap më 14 maj, me rastin e ditës jubilare të 70-vjetorit të krijimit të shtetit të Izraelit.

Një ditë më vonë, 15 maji është "Dita e katastrofës" (Nakba) e Palestinës, kushtuar refugjatëve palestinezë që kanë humbur tokat dhe janë larguar nga vendlindja gjatë 70 vjetëve.

Kjo është situata midis Palestinës dhe Izraelit. Megjithëse kryeministri izraelit pretendon se Jerusalemi është "kryeqytet unik dhe i pandashëm i Izraelit", ndihet çarja e madhe në kulturë, fe, identitetin kombëtar, histori dhe madje jetën e përditshme.

"Unik", "i pandashëm" dhe "kryeqytet", pse këto elemente janë aq të rëndësishme? Pse veprimet e qeverisë së Trumpit kanë ngjallur mosmarrëveshje të gjera dhe konflikte të ashpra?

Mosmarrëveshje

Ambasada e një vendi në një vend tjetër vendoset zakonisht në kryeqytet, por ky zakon nuk vlen për Jerusalemin, sepse, sipas rezolutës së OKB-së të vitit 1947, statusi i këtij qyteti nuk është vendosur ende dhe ai duhet të administrohet bashkërisht nga vendet përkatëse.

Por në fakt, statusi i pavendosur i Jerusalemit ka rëndësi vetëm sipas ligjit ndërkombëtar. Ky qytet u administrua në fillim bashkërisht nga Izraeli dhe Jordania dhe, pas Luftës së Tretë të Lindjes së Mesme, Izraeli e ka pushtuar plotësisht atë. Megjithatë, bashkësia ndërkombëtare nuk e ka njohur gjerësisht pushtimin e Jerusalemit nga Izraeli.

Mjete

Në këtë rrethanë, Bibla, arkeologjia dhe turizmi janë bërë mjetet kryesore të Izraelit për të vërtetuar sovranitetin e tij ndaj Jerusalemit.

Bibla është jo vetëm një libër i rëndësishëm fetar për judaizmin dhe krishterimin, por ndërthuret thellësisht edhe me politikën, kulturën dhe konceptin e vlerave të botës perëndimore. Në Bibël shënohet në mënyrë teologjike procesi i pushtimit të Jerusalemit nga Mbretëria Juda e Jugut, si dhe i ndërtimit të Pallatit të shenjtë të Jehovait. Por, për të krishterët e thjeshtë, ngjarjet e shënuara në Bibël mund të jenë plotësisht të barabarta me faktet historike, kështu që Bibla është një mjet i natyrshëm i Izraelit për kërkimin e përkrahjes nga bota perëndimore, përfshirë ShBA-në.

Pas krijimit të shtetit të Izraelit, arkeologjia është bërë një mjet tjetër për vërtetimin e shënimeve në Bibël dhe ka gjetur mbështetje të madhe nga shteti dhe nga grupet financiare hebraike jashtë vendit.

Një shembull tipik i ndërthurjes së detyrës politike me gërmimet arkeologjike janë rrënojat e Qytetit të Davidit. Megjithëse këto rrënoja është e vështirë të lidhen drejtpërdrejt me mbretin legjendar David dhe nuk është shumë bindëse që i përkasin epokës së hekurit, kjo nuk e ka penguar Qytetin e Davidit të bëhet dëshmi për Jerusalemin si kryeqytet i lashtë i hebrenjve dhe një nga pikat turistike më të rëndësishme në Jerusalem.

Ndërthurja e Biblës dhe e arkeologjisë mishërohet në turizmin. Nga njëra anë, rrënojat arkeologjike mbështetin shënimet në Bibël dhe, nga ana tjetër, parqet e rrënojave kanë tërhequr besimtarë nga mbarë bota.

Gjatë udhëtimit në Qytetin e Davidit, shumë pak turistë e vënë re fshatin origjinal të palestinezëve, që ndodhet prapa malit ku gjenden rrënojat. Gjatë tre mijë vjetëve, nga kananasit në hebrenjtë e lashtë, e deri në të krishterët e myslimanët, në Jerusalem kanë ndryshuar sundimtarët njëri pas tjetrit dhe kanë ndryshuar edhe banorët.

Asnjëri nuk mund të mohojë lidhjet midis hebrenjve të lashtë dhe Jerusalemit, as statusin kulturor e fetar të këtij qyteti për besimtarët e judaizmit. Megjithatë, një fakt i pamohueshëm është se, pas largimit të hebrenjve, Jerusalemi dhe madje rajoni ku ndodhet ai, mbart gjurmët e historisë së kombeve të tjera gjatë dy mijë vjetëve. Të gjitha njohuritë për Jerusalemin duhet të mos ndahen nga lidhjet e palestinezëve me këtë qytet.

Por ndonjëri që nuk respekton faktet historike, pretendon se Jerusalemi është jo vetëm kryeqytet i Izraelit modern gjatë 70 vjetëve, por edhe "kryeqytet i Izraelit për tre mijë vjet"!

Ky person është pikërisht këshilltari për fetë i qeverisë së Trump-it Robert Jeffress, i cili bëri lutje në ceremoninë e shpërnguljes së ambasadës, si pastor ungjillor.

Fe

Dihet nga të gjitha pozita komanduese e elitës hebraike në qarqet politike, ekonomike, mediatike, arsimore dhe akademike të ShBA-së, por vetëm me këtë nuk mund të shpjegohet përkrahja e publikut amerikan ndaj Izraelit.

Fakti kyç është që në ShBA, një kontingjent të krishterësh janë përkrahësit e vendosur të Izraelit dhe të sionizmit. Ndërkohë, këta të krishterë konvencionalë janë gjithashtu mbështetësit kryesorë të Partisë Republikane, veçanërisht të Donald Trump-it. Kjo ka dhe lidhje të ngushtë me qëndrimin dhe veprimet e Trump-it për statusin e Jerusalemit.

Nuk është e rastësishme që, si i krishterë i devotshëm, zv.presidenti i ShBA-së Mike Pence tha në fjalimin e tij në mbledhjen vjetore të Komitetit Amerikan për Punët Publike të Izraelit (AIPAC): "Vlerat e Izraelit janë vlerat tona dhe lufta e Izraelit është lufta jonë."

Nga fjalët e Pence-it del se përkrahja e ungjillorëve amerikanë vjen jo vetëm nga lidhjet fetare, por edhe nga identiteti i qytetërimit perëndimor. Sionizmi, nën maskën e traditës dhe identitetit hebraik, është në thelb kombinimi i kolonializmit dhe nacionalizmit të Evropës në një periudhë të veçantë. Ardhja e sionizmit në Lindjen e Mesme gjithashtu ka lidhje të ngushtë kohore me ndërhyrjen e fuqive të krishtera europiano-amerikane në Perandorinë Osmane dhe në punët e Lindjes së Mesme.

Procesi historik i ka shndërruar armiqtë e dikurshëm në të ashtuquajturin burim të përbashkët të "qyteterimit judeo-të krishterë". Përballë botës islamike në Lindjen e Mesme dhe madje të gjitha kulturave joperëndimore, ata bëhen aleatë më të ngushtë.

Në krahasim me tërheqjen nga marrëveshja bërthamore e Iranit, shpërngulja e ambasadës dhe njohja e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit janë dy masa më të lehta për Trump-in, që të mbajë premtimet që ka bërë gjatë zgjedhjeve presidenciale dhe për të fituar përkrahjen e votuesve.

Përkrahja e ShBA-së ndaj Izraelit dhe sionizmit nuk mbeten vetëm te masat e sipërpërmendura. Në të ashtuquajturin konflikt midis Palestinës dhe Izraelit tani një palë ka epërsi absolute ndaj palës tjetër dhe gjendja nuk do të ndryshojë brenda një kohe të shkurtër.

Çlirimi kombëtar dhe kundërvënia fetare nuk mund të përgjithësojnë si duhet marrëdhëniet e tanishme palestinezo-izraelite. Ndoshta faktorët gjeopolitikë që ndodhen në bazë të kundërvënies midis Lindjes dhe Perëndimit në aspektet ideologjike, të qytetërimeve dhe të interesave reale, janë një këndvështrim i përshtatshëm për vëzhgimin e problemit palestinezo-izraelit. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore