Informacione për sfondin e takimit Xi-Modi

2018-05-02 17:19:26 CRI Komenti juaj Printoni

Bënë shëtitje buzë liqenit, pinë çaj dhe biseduan. Takimi jozyrtar dyditor midis presidentit të Kinës Xi Jinping dhe kryeministrit të Indisë Narendra Modi u zhvillua më 27 dhe 28 prill pranë liqenit Donghu të qytetit Wuhan, në një atmosferë shumë miqësore dhe të çlirët.

Tensioni i rreth një viti më parë në zonën kufitare Doklam midis Kinës dhe Indisë duket u zgjidh befasisht nga shëtitjet e lirshme të krerëve të të dy vendeve. Xi tha se Kina dhe India duhet të bëhen vende fqinj të mirë dhe miq të mirë, ndërsa Modi iu përgjigj me fjalët "Plotësisht dakord ".

Në qershorin e sivjetshëm në qytetin bregdetar Qingdao të Kinës Lindore do të zhvillohet Samiti i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait

dhe parashikohet që Modi të marrë pjesë në të, dhe sigurisht do të takohet me presidentin Xi. Atëherë, përse të dy udhëheqësit duhej të zhvillonin përpara kësaj një takim të veçantë në Wuhan? Pse nuk ishte kjo vizitë zyrtare, por ishte një "takim jozyrtar"?

Në fakt, ky takim në Wuhan ishte përgatitur prej kohësh.

Zanafilla

Ambasadori i Kinës në Indi Luo Zhaohui bëri të ditur se "zhvillimi i takimit jozyrtar u përcaktua nga Xi dhe Modi gjatë takimit të tyre në Xiamen". Edhe mediat indiane njoftuan se pala indiane propozoi "dialogun jozyrtar" me Kinën gjatë samitit të vendeve të BRICS-it në nëntor 2017 në qytetin Xiamen.

Është i dukshëm që kundërvënia midis Kinës dhe Indisë në Doklam para këtij samiti është shkaku i drejtpërdrejtë i paraqitjes së këtij propozimi nga pala indiane. Të dyja palët janë të ndërgjegjshme nga kundërvënia në Doklam se midis tyre ekzistojnë divergjenca të mëdha dhe keqkuptime strategjike ndaj njëra-tjetrës, prandaj gjatë takimit më 5 shtator 2017 në kuadrin e samitit të BRICS-it në Xiamen, të dyja vendet vendosën të forcojnë shkëmbimet strategjike nëpërmjet "takimit jozyrtar" dhe të kenë të qartë objektivat strategjikë të njëri-tjetrit.

Sigurisht, nga vendimi në realizimin e takimit është ecur në një rrugë me zigzage. Pas ardhjes në fuqi, administrata e presidentit amerikan Donald Trump shpalli "Strategjinë e Indo-Paqësorit", së cilës India iu përgjigj pozitivisht. Për këtë, Kina kishte dyshime se India po orvatej të krijonte bashkërisht me ShBA-në "NATO-n aziatike". Edhe në kufirin midis Kinës dhe Indisë vitin e kaluar gjendja u tensionua, si pasojë e shtimit të blerjes së armëve nga India dhe inspektimet me radhë nga ministri i Jashtëm dhe ai i Brendshëm i Indisë në zonën kufitare. Ky tension filloi të zbutej në janar 2018, kur ish-ambasadori i Indisë në Kinë Vijay Keshav Gokhale u emërua si sekretar i Punëve të Jashtme dhe India filloi të tregojë shenja pozitive në marrëdhëniet me Kinën. Pikërisht me vizitën e Gokhales në Kinë në shkurt, takimi Xi-Modi në Wuhan u konfirmua përfundimisht.

Hollësira

Pse takimi u zhvillua në Wuhan?

Sipas zv.ministrit të Jashtëm të Kinës Kong Xuanyou, kryeministri Modi kishte vizituar shumë qytete kineze, si Pekin, Guanzhou, Xian, Hangzhou, Xiamen etj., të cilat ndodhen përkatësisht në Kinën Veriore, Jugore, Perëndimore dhe Lindore. Por ai nuk kishte vizituar vetëm pjesën qendrore, prandaj shpresohej se vizita në Wuhan të Kinës Qendrore do t'i shtonte kryeministrit Modi njohjen e mëtejshme me Kinën.

Ndërkohë, ambasadori i Kinës në Indi Luo Zhaohui jep edhe një tjetër arsye: Wuhan-i ka lidhje të ngushtë me Indinë. Aktualisht mbi 1300 studentë indianë studiojnë në provincën Hubei, kryeqendra e së cilës është Wuhan-i. Në Universitetin Normal të Kinës Qendrore, që ndodhet në Wuhan, është ngritur Qendra e Studimeve për Indinë. Kompania e teknologjisë së telekomunikacionit "FiberHome" me seli në Wuhan, funksionon i suksesshëm në Indinë. Ditët e fundit, edhe presidenti kinez Xi Jinping e ka vizituar këtë kompani.

Kryeministri Modi u shpreh shumë i kënaqur për këtë agjendë të vizitës. Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Indisë Raveesh Kumar shkroi në "Twitter" se z. Modi është mirënjohës për dy pritjet nga presidenti Xi në qytetet jashtë Pekinit (në Xian më 2015 dhe në Wuhan kësaj here), sidomos për hollësirat e kujdesshme protokollare.

Gjatë takimit dyditor në Wuhan, u zhvilluan gjashtë veprimtari intensive. Veprimtaria e parë më 27 prill nisi pasdite, dhe kjo me qëllim për t'iu përshtatur "ritmit" të indianëve, të cilët hyjnë në "gjendjen e punës" zakonisht në orën 11. Po të shtosh këtu edhe ndryshimin e orës midis Kinës dhe Indisë, pasditja në Kinë është një kohë e përshtatshme për kryeministrin Modi.

Pasditen e 27 prillit, Xi Jinping dhe Narendra Modi vizituan bashkërisht ekspozitën e relikteve në Muzeun e Provincës Hubei. Të dyja vendet kanë qytetërime të lashta dhe shkëmbimet kulturore midis dy qytetërimeve janë bërë pjesë e historisë mijëravjeçare të të dy vendeve. Kryeministri Modi ka thënë se India dhe Kina janë "dy trupa me një shpirt", që do të thotë India dhe Kina kanë natyrë të përbashkët paqësore dhe dashamirëse, si dhe lidhje shpirtërore. Vizita në ekspozitën e relikteve synon theksimin e rëndësisë së dialogut dhe bashkëjetesës miqësore brez pas brezi midis dy fqinjëve për mijëra vjet me radhë.

Gjatë vizitës së tij jozyrtare, kryeministri Modi së bashku me presidentin Xi bënë shëtitje buzë liqenit Donghu dhe më pas e vizituan liqenin me varkë. Në një atmosferë të shpenguar dhe miqësore, liderët e dy vendeve shkëmbyen thellësisht e sinqerisht mendime për probleme ndërkombëtare e rajonale.

Rezultatet

Si një takim jozyrtar, në këtë vizitë të kryeministrit indian në Kinë nuk u përcaktua ndonjë temë konkrete, nuk u nënshkrua ndonjë marrëveshje dhe nuk u publikua ndonjë dokument i përbashkët. Por kjo nuk pengoi arritjen e rezultateve të rëndësishme gjatë vizitës.

Së pari, kjo ishte një vizitë me shkëmbime të përzemërta. Siç tha edhe vetë kryeministri Modi: "Gjatë dy ditëve, pata shkëmbime të thella dhe të sinqerta me presidentin Xi dhe ndjeva vëmendjen dhe përpjekjet e mëdha të presidentit Xi për zhvillimin e marrëdhënieve indiano-kineze dhe pashë dëshirën e Kinës për lidhje miqësie me Indinë."

Kjo ishte një vizitë paqësore. Gjatë takimit me Modin, Xi Jinping bëri gjykimin e madh strategjik që prirja e zhvillimit paqësor është e pakthyeshme dhe "Kina dhe India duhet të bëhen dy vend fqinj të mirë dhe miq të ngushtë", sepse zhvillimi i përkatësisht i Indisë dhe i Kinës përbën rast të mirë për të dy vendet dhe jo kërcënim. Ky gjykim i Xi-ut u prit pozitivisht nga Modi. Ai tha se Kina dhe India premtojnë të "ndjekin politika të pavarura të zhvillimit paqësor dhe të hapin bashkërisht një rrugë të madhe të bashkëpunimit miqësor midis dy vendeve të mëdha fqinje, në përputhje me kërkesat e kohës sonë." Kjo do të thorë se India nuk do të marrë pjesë në aleanca politike e ushtarake kundër Kinës dhe do të vazhdojë të këmbëngulë në politikën tradicionale të mosangazhimit.

Kjo vizitë fokusohej gjithashtu te zhvillimi. Liderët e të dy vendeve ranë dakord se do të "nxitin bashkëpunimin e gjithanshëm dhe do ta përkrahin procesin e modernizimit të vendeve të tyre", që të "çlirojnë gjallërinë e dy ekonomive të reja e të mëdha".

Takimi në Wuhan është pa dyshim pikënisja e re e marrëdhënieve kino-indiane pas kundërvënies në Doklam. Ten Siao Pini është shprehur që vetëm në rast se Kina dhe India zhvillohen, do të realizohet "Shekulli i Azisë". Edhe kryeministri i parë i Indisë Jawaharlal Nehru shpalli "Rilindjen e Azisë", duke thënë se "do të vijë me të vërtetë shekulli i Azisë, vetëm me ngritjen e përbashkët të Kinës dhe Indisë."

Si dy vendet më të mëdha në zhvillim, "e gjithë bota do ta dëgjojë zërin e përbashkët të Kinës dhe Indisë." Baza e këtij zëri të përbashkët është besimi i ndërsjellë, vuri në dukje presidenti kinez Xi Jinping gjatë takimit me kryeministrin indian Narendra Modi. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore