Mbështetja te forcat e veta! Reflektim për ngjarjet e ZTE-së

2018-04-20 22:43:30 CRI Komenti juaj Printoni

Shtetet e Bashkuara po veprojnë gjithnjë e më haptazi kundër kompanive kineze të teknologjisë. Fill pas urdhrit ekzekutiv nga Departamenti i Tregtisë të publikuar të hënën për ndalimin e eksporteve ndaj kompanisë kineze të telekomunikacionit ZTE për 7 vjet, Komisioni Federal i Komunikacionit (FCC) i ShBA-së miratoi të martën një rezolutë, që ndalon përdorimin e fondeve të programeve qeveritare për të blerë pajisje interneti nga kompanitë që "përbëjnë kërcënim ndaj sigurisë kibernetike të ShBA-së". Në të nuk përmendet asnjë kompani me emër, por opinioni publik amerikan është i mendimit se kjo masë do të pengojë shërbimet e kompanive kineze ZTE dhe "Huawei" në ShBA.

"Kina sfidon goditjet dhe presionet e ShBA-së ndaj kompanive kineze të teknologjisë," komentoi gazeta britanike "The Guardian" në numrin e së mërkurës. "Gjatë fërkimeve tregtare kino-amerikane, masat e reja të ShBA-së pësuan kundërgoditje dhe mediat zyrtare kineze u bënë thirrje qytetarëve kinezë t'i përkrahin kompanitë kineze."

Goditja e pësuar nga ZTE-ja u ra kambanave të alarmit për zhvillimin e Kinës. Në internet shumë kinezë u shprehën me zë të lartë se "konkurrenca midis fuqive varet në fund të fundit nga potenciali" dhe "vetëm me mbështetjen te forcat e veta, nuk mund të kufizohesh nga të tjerët."

"Qeveria e Trump-it po intensifikon pengimin kundër ambicieve të Kinës për teknologjitë e larta," njoftoi gazeta "New York Times". Të martën, ZTE-ja u godit përsëri. Sipas Agjencisë "Reuter", ka mundësi që pajisjet e ZTE-së nuk do të mund të përdorin sistemin "Android" të "Google"-it. ZTE-ja dhe "Google" kanë diskutuar shumë për ndikimet e urdhrit të ndalimit të qeverisë amerikane, por nuk kanë vendosur ende si do të veprojnë më tej. Agjencia "Bloomberg" njoftoi se ndërprerja e lejes ndaj ZTE-së për përdorimin e sistemit "Android" është pjesë përbërëse e urdhrit amerikan të së hënës. "Nëse ky ndalim do të konkretizohet, do të goditë rëndë ZTE-në".

Edhe kompania tjetër kineze e telekomunikacionit "Huawei" ka pësuar goditje nga qeveria amerikane, madje para ZTE-së. Gazeta "New York Times" njoftoi të martën se, megjithëse "Huawei" e ka sqaruar më se një herë se produktet e saj nuk përbëjnë asnjë rrezik për sigurinë kombëtare të ShBA-së, nën presionin e rregullatorit të ShBA-së, "Huawei" nuk ka perspektivë të mirë në tregun amerikan. Njoftohet se një person në dijeni ka bërë të ditur se "Huawei" shkarkoi pesë punonjës amerikanë të nivelit të lartë, përfshirë William Plummer-in, zëvendëspresidentin e kësaj kompanie që përgjigjet për lidhjet me vendimmarrësit e Uashingtonit. Ky person shprehu mendimin se "Huawei" po i dobëson "sulmet politike" në ShBA dhe ka mundësi të ndalojë "përpjekjet e tij dhjetëvjeçare, por pa efekt" për shmangien e akuzave të Uashingtonit, që mendon se "Huawei" ka lidhje me qeverinë kineze.

Kundrejt shkarkimit të punonjësve, "Huawei" u përgjigj të mërkurën se çdo pakësim i stafit është për rregullimin e burimeve të kompanisë dhe për të mbështetur strategjinë dhe objektivat e biznesit të kompanisë. Presidenti i radhës i kompanisë "Huawei", Xu Zhijun, tha të martën se kompania e tij do t'i kushtojë më shumë energji dhe kohë shërbimit ndaj klientëve ekzistues.

"A duhet të dyshojnë perëndimorët te shkenca dhe teknologjia kineze?" Me këtë titull, BBC-ja njoftoi të mërkurën se urdhri i ndalimit i ShBA-së dhe paralajmërimi i Britanisë ndaj ZTE-së tregojnë se Perëndimi po dyshon gjithnjë e më shumë te teknologjia kineze dhe "ky dyshim është ndërlikuar më tej nga gjeopolitika," thotë BBC-ja, duke iu referuar analizës së menaxherit të përgjithshëm të firmës së konsulencës ADG, Chris DeAngelis. Sipas tij, pavarësisht nëse janë të vërteta apo jo shqetësimet e ShBA-së dhe Britanisë për sigurinë kombëtare, "problemi kyç është se ShBA-ja dhe Britania dëshirojnë që kompanitë e tyre të mbijetojnë, gjatë konkurrencës me ZTE-në." Në këtë raport të BBC-së thuhet gjithashtu se shumë histori u kanë imponuar lexuesve idenë se shkenca dhe teknologjia kineze janë vjedhje e risive të ShBA-së dhe pastaj u shiten vendeve të tjera perëndimore me çmim të ulët. "Kjo ndoshta ishte e vërtetë në të kaluarën, por tani sigurisht jo." Autorja e këtij raporti thotë se përvoja e saj shumëvjeçare në njoftimet për Kinën tregon se "kompanitë kineze krijojnë risi me një shpejtësi të veçantë" dhe "thuhet se frika e Perëndimit nga Kina vjen prej xhelozisë, sepse ata nuk e dinë sa me zell punojnë kinezët." Në këtë raport thuhet gjithashtu se kompanitë kineze kanë largpamësi. Pas lëshimit të urdhrit të ndalimit nga ShBA-ja, presidenti i ZTE-së Yin Yimin i shkroi të gjithë stafit të tij: "Çdo rrugë drejt një të ardhmeje të ndritur nuk do të jetë e drejtë… dhe pas stuhive do të bëhemi më të fortë."

Zëdhënësi i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit e të Reformës të Kinës Yan Pengcheng tha të mërkurën se lidhur me fërkimet tregtare të nisura nga ShBA-ja, Kina ka bërë përgatitje për masat dhe politikat përballuese, të niveleve të ndryshme, madje për gjendjen më të keqe. Sipas këtij Komisioni, fërkimet tregtare kino-amerikane do të ushtrojnë ndikime kufizuese dhe të kontrollueshme për funksionimin e ekonomisë kineze dhe Kina ka besim dhe është në gjendje të ruajë qëndrueshmërinë e ekonomisë. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore