Buxheti për mbrojtjen dhe PBB-ja e Kinës pasqyrojnë qëndrueshmëri

2018-03-08 11:38:55 CRI Komenti juaj Printoni

Kina planifikon të shtojë 8.1% buxhetin për mbrojtjen në vitin 2018 dhe PBB-ja e Kinës pritet të rritet 6.5%. Këto dy shifra ishin informacioni më tërheqës të hënën, kur u hap sesioni i parë i legjislaturës së 13-të të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës.

Shtimi 8.1 % i buxhetit të mbrojtjes është pak më i lartë se 7 % në vitin e kaluar, por shumë më i ulët se rritja dyshifrore për shumë vjet me radhë para vitit 2016. Duke marrë parasysh rritjen prej 10 % të shpenzimeve ushtarake nga ShBA-ja gjatë vitit financiar 2017-2018 dhe se vëllimi i përgjithshëm i shpenzimeve ushtarake të Shteteve të Bashkuara është katër herë më i madh se ai i Kinës, shtimi prej 8.1% i Kinës është me të vërtetë jo i lartë.

Sigurisht, Kina nuk bie në mentalitetin e "garës së armëtimeve" me ShBA-në, sepse, nëse do të donte një gjë të tillë, ajo është plotësisht në gjendje ta ngrejë përsëri në mbi 10% buxhetin e mbrojtjes. Në fund të fundit, shpenzimet ushtarake të Kinës nuk zënë as 1.5 % të PBB-së, ndërsa standardi i vendeve të NATO-s është 2 % dhe i ShBA-së 4%.

ShBA-ja e ka cilësuar Kinën si "rivale strategjike" dhe ka provokuar herë pas here Kinën në Detin e Kinës Jugore. Njëkohësisht, ShBA-ja, Japonia, Australia dhe India kanë diskutuar vazhdimisht për "aleancën e katër vendeve" dhe tensioni është shfaqur përsëri edhe në ngushticën e Tajvanit. Të gjitha këto kanë ushtruar presion ndaj Kinës lidhur me buxhetin e mbrojtjes. Megjithatë, Kina ngul këmbë në ritmin e vet të modernizimit të ushtrisë dhe nuk ndikohet nga ndryshimet e jashtme.

Shifra 8.1% mishëron vetëbesimin e Kinës për mbrojtjen kombëtare. Presioni i jashtëm nuk prek planifikimin e Kinës, e cila është e sigurt për shpejtësinë e zhvillimit në sektorin e mbrojtjes në përputhje me nevojat e sigurisë kombëtare.

Kjo shifër pasqyron edhe konceptin e Kinës për ngritjen paqësore. Nëse Kina me të vërtetë synon "ekspansionin", është e logjikshme të ketë një hov të jashtëzakonshëm në forcimin e ushtrisë me shtim të buxhetit prej 20-30 % në vit. Por fakti është se forcimi i mbrojtjes kombëtare të Kinës zhvillohet në mënyrë përpjesëtimore me zhvillimin ekonomik e shoqëror. Kinezët po ecin me hap të madh dhe të qëndrueshëm, dhe nuk po vrapojnë.

Qëndrueshmëria e Kinës mishërohet edhe në shtimin e PBB-së. Ajo planifikon të realizojë rritjen e PBB-së prej 6.5% në vitin 2018. Në fakt rritja e PBB-së në vitin 2017 ishte 6.9% dhe perspektiva e ekonomisë kineze është shumë optimiste. Megjithatë, qeveria kineze e uli objektivin për vitin 2018, që t'i lërë hapësira tërë shoqërisë në përballimin e vështirësive e rreziqeve të ndryshme dhe që shoqëria të mos funksionojë me tensione tepër të mëdha.

Me zhvillimin 40-vjeçar pas reformës e hapjes, Kina nuk është më një varkë e vogël, por anije kolosale, për të cilën kursi është në plan të parë, prandaj qëndrueshmëria është parimi i parë strategjik për Kinën.

8.1% dhe 6.5% mishërojnë këtë zgjedhje strategjike të Kinës. Këto vite vendi ka qenë në reformim, për të mos pasur si qëllim suksesin e shpejtë e përfitimet e atypëratyshme dhe për të arritur zhvillimin e vazhdueshëm. Për t'u shmangur rreziqet e ndryshme, Kina ka ngadalësuar në njëfarë mënyre ritmin e zhvillimit, duke ngritur nivelin e ekonomisë.

Si një vend me zhvillim gjithëpërfshirës, modernizimi i Kinës nuk është suksesi në ndonjë fushë të vetme, por përparimi sistemor. Kina po i shfaq botës qëndresën e saj në rimëkëmbje.

"Kina po ngrihet në arenën ndërkombëtare plot vetëbesim", shkruan në numrin e saj të 5 marsit gazeta zvicrane "Neue Zürcher Zeitung". "Nga raporti i kryeministrit Li Keqiang mbi punën e qeverisë, shihet qartë se si do të ecë Pekini në arenën ndërkombëtare. Pekini angazhohet për zhvillimin paqësor dhe është i gatshëm për të marrë pjesë në ndyshimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe për të dhënë kontribut për reformimin e qeverisjes globale."

Mrekulli
Lajmet Kryesore